Kërko

Jezu Krishti Jezu Krishti

Urime për përfundimin e mirë të këtij Viti dhe fillimin e mbarë të Vitit të Ri

Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë miqve, dëgjuesve e shqiptarëve kudo që ndodhën e kremtojmë në atdhe apo nëpër botë, Urimet më të përzemërta për një përfundim të mirë të këtij Viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë Vit gëzimi, paqeje, dashurie, drejtësie e begatie shpirtërore e njerëzore.

R.SH. / Vatikan

Nga redaksia e programit shqip të Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë dëgjuesve e shqiptarëve kudo që ndodhën e kremtojmë në atdhe apo nëpër botë, Urimet më të përzemërta për një përfundim të mirë të këtij Viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë Vit gëzimi, paqeje, dashurie, drejtësie e begatie shpirtërore e njerëzore.

Çdo vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime e dështime, perspektiva e çështje që presin zgjidhje. Po sidoqoftë, ende pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy viteve, sonte le t’ia lartojmë Zotit lutjen tonë të falënderimit e mirënjohjes për të mirat që ka bërë për ne dhe për të gjitha çastet që kemi përjetuar gjatë këtij viti që po mbaron.

Po kështu, t’i lutemi Zotit që të na jap forcën të vijojmë udhën e jetës në Vitin e Ri, që po agon, të bindur se përmes planeve të mistershme të shtegtimit tonë tokësor, prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi, forca e paqja dhe çdo e mirë që mund të dëshirojë zemra jonë. Hyji është Atë që pret e don çdo njeri, secilin prej nesh. Në Të e kemi pikënisjen dhe cakun e jetës.

Sonte, ndërsa në ora 24 të mesnatës, ky Vit ia le vendin Vitit të Ri e njerëzit grehin gotat për t’i uruar njëri tjetrit një Motmot të Ri të gëzuar e në qiell ndizet yjet e dritat e fishekzjarrëve, Papa Françesku, në heshtje të thellë në kapelën e tij private në Vatikan, do t’i lutët Zotit që Viti Ri të jetë Viti i Paqes, i vëllazërimit, i mbrojtjes së mjedisit, viti i ndërtimit të qytetërimit të ri mbështetur mbi të mirëkuptimin e të vërtetën.

Pritja e Vitit të Ri në lutje drejtuar Zotit nga ana e Papës, tashmë prej shumë vitesh është bërë traditë që nga Papa Gjoni XXIII e deri më sot. Kështu, në orën e qetë të mesnatës, Papa do t’i jap lamtumirën një viti të ngarkuar me shqetësime, frikë, mosmarrëveshje e konflikte dhe situata të vështira në vise të ndryshme me shpresën në Zotin e nxitjen drejtuar të gjithë njerëzve vullnet të mirë, të punohet e ndërtohet një rend i ri njerëzor në paqe e respekt të anasjelltë.       

Më 31 dhjetor, Natën e Shën Silvestrit dhe të Viti të Ri, Papa kryeson Lutjet mbrëmësore të Solemnitetit të Marisë, Nënës së Zotit, që kremtojmë më 1 janar, dhe Himnin e lutjes së falënderimit “Te Deum”, në prani të besimtarëve. Atyre, dhe gjithë njerëzve vullnetmirë të botës, në festë, Papa kujton lutjen e falënderimit “Te Deum” drejtuar Zotit në përfundim të këtij viti, kur të gjithë meditojnë ngjarjet që jetuan gjatë 365 ditëve dhe i urojnë njëri-tjetrit: “Mot të mirë!”. E bashkë me Papën, miq e dëgjues të nderuar, edhe ne e falënderojmë Zotit nga thellësia e zemrës për të gjitha të mirat që na ka dhuruar gjatë 12 muajve që kaluam, për gjithçka që përjetuam.

Prandaj, në mbarim të këtij viti, Kisha na fton të përqendrojmë vështrimin tonë mbi Jezusin Foshnje, Diellin e ri që u shfaq në horizontin e njerëzimit, sepse në Të koha merr domethënien dhe përmasën e vet të vërtetë. Udha drejt lumturisë së vërtetë është Jezu Krishti, e vetëm në Të njeriu gjen bukurinë dhe kuptimin e jetës.

Pikërisht për këtë besimtarët e krishterë janë të thirrur t’i jetojnë këto orë duke i bërë të vetat ndjenjat e Virgjrës Mari e së bashku me Të ta mbajnë të fiksuar shikimin mbi Krishtin Zot e Shpëtimtar, dhe, të ngushëlluar nga drita e Tij Hyjnore, të jenë përherë të lidhur me Atin, të cilit, duhet t’i paraqesim gëzimet e shpresat, trishtimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme, problemet e të varfërve e sidomos të atyre që vuajnë, sepse ngjarja e Mishërimit të Zotit, Krishtlindja e “mbush” me vlerë e domethënie historinë dhe jetën e mbarë njerëzimit.

Hyji nuk e ka mbushur kohën duke zbritur e depërtuar në të prej së larti, por “nga brenda”, duke u bërë farë e vogël për ta udhëhequr njerëzimin deri në rritjen e pjekurinë e plotë. E siç pohon edhe kalendari, Koha kalon dhe rrjedha e saj e pandalur na nxit t’i sjellim sytë tanë me mirënjohje të thellë nga Hyji, që është i Amshuar, që është Zoti i kohës dhe i jetës.

Fjala e Zotit e Mishëruar – Jezu Krishti e shndërron nga brenda jetën njerëzore. Hyji u bë si ne, për të na bërë si Veten, bij në të Birin, njerëz të lirë e të liruar nga ligji i mëkatit. A nuk është kjo një arsye e fortë që na shtyn t’i lartojmë Hyjit falënderimin tonë e të kërkojmë ndihmën e Tij Hyjnore? Një falënderim që fiton vlerë të veçantë në mbarim të një viti, derisa kujtojmë ndihmën e Zotit që s’na mungoi kurrë gjatë 12 muajve të kaluar.

Ja sepse çdo bashkësi e krishterë sonte i këndon Zotit himnin e mirënjohjes, pra, ‘Te Deum’, këngën tradicionale të lavdërimit e të veprimit të hirit të të Shenjtueshmes Trini Hyj në jetën tonë njerëzore. E duke e kënduar t’ia besojmë, pra, Zotit dëshirat, synimet, planet tona e tërë jetën tonë.

Zotit le t’ia lartojmë lavdet dhe lutjen plot besim duke thënë

Ty, o Atë i jetës, zanafillë pa fillesë, e mira e pambaruar e drita e amshuar, me Birin e me Shpirtin Shenjt nderim e lumturi, lavdi e mirënjohje, në shekuj pa mbarim. Amen!

Në Ty, o Atë i jetës shpresuan dhe në Ty do ta mbështesim përsëri shpresën tonë. Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s’ka forcë që mund ta shuajë.

Urojmë që çdo njeri vullnetmirë ta provojë dashurinë dhe paqen tënde Hyjnore, o Atë i ynë Qiellor. Amen! 

E nga redaksia shqipe e Radio Vatikanit dhe Vatican News, të gjithë miqve, dëgjuesve dhe shqiptarëve kudo që ndodhën e kremtojmë në atdhe apo nëpër botë, Urimet më të përzemërta për një përfundim të mirë të këtij Viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë Vit gëzimi, paqeje, dashurie, drejtësie e begatie shpirtërore e njerëzore.



31 dhjetor 2024, 10:21