Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve  Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Sinodi, Papa emëron anëtarët e Këshillit: për herë të parë, dy gra

Motra Simona Brambilla, sekretare e Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, dhe María Lía Zervino, anëtare e Dikasterit të Ipeshkvijve, janë ndër emërimet e Papës, së bashku me Kardinajtë Hollerich dhe Repole të Këshillit XVI të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme. Katër anëtarët me emërim papnor, nuk janë më domosdoshmërisht ipeshkvij.

R. SH. - Vatikan

Sot, 13 dhjetor, Papa Françesku emëroi anëtarët e Këshillit të XVI të Zakonshëm të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit. Emërimet e datës 4 dhjetor u publikuan sot nga Zyra e Shtypit e Vatikanit. Është fjala për Kardinalin Jean-Claude Hollerich, S.I., kryeipeshkëv i Luksemburgut, relator i përgjithshëm në dy sesionet e takimit të tetorit 2023 dhe 2024;  ipeshkvin Roberto Repole, Kryeipeshkëv i Torinos, kardinal që nga 7 dhjetori i kaluar; Motrën Simona Brambilla, sekretare e Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike dhe María Lía Zervinon, presidente e Bashkimit Botëror të Organizatave të Grave Katolike, e emëruar anëtare e Dikasterit të Ipeshkvijve në vitin 2022. Hera e parë që dy gra emërohen ndërmjet katër anëtarëve të emërimit papnor, të cilët, megjithatë, nuk janë domosdoshmërisht ipeshkvij.

Brambilla: Sinod që transformon njerëzit, bashkësitë e Kishën

Duke marrë lajmin, motra Brambilla pohoi: "Besoj thellësisht në rrugën sinodale. Kemi jetuar dhe po jetojmë përvojën e Shpirtit, e cila e shtyn Kishën të ecë së bashku, në dëgjim dhe në ndërtim të anasjelltë. Nuk ka kthim prapa nga kjo përvojë. Ne ecim përpara dhe hyjmë në thellësi, të përfshirë dhe të lidhur me një lëvizje spirale që, me forcë dhe butësi, na çon në thelbin e asaj që jemi, si të krishterë: vëllezër dhe motra në Krishtin. Të lehtësuar, të çarmatosur e të çliruar nga armatura e veshje të ndryshme, që mund t’i kemi përdorur - shton murgesha - sepse Sinodi është shtegtim jashtëzakonisht shpirtëror dhe, si i tillë, është frymë, pëshpëritje, lëvizje që shndërron, çliron, bashkon, harmonizon, pa u rrafshuar kurrë. I lypi Zotit hirin që ne të mund t’i hapim zemrat tona gjithnjë e më shumë, për ta marrë këtë frymë dhe për ta lëmë të na shndërrojë si njerëz, si bashkësi, si kishë dhe si njerëzim.

Numri total 17

Anëtarët e tjerë - sipas një shënimi - ishin zgjedhur gjatë Kongregatës së 15-të të Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, më 23 tetor. Me ndryshimet në nenin 10 të Udhëzimit për kremtimin e Asambleve Sinodale dhe për veprimtarinë e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, të ratifikuar nga Papa më 17 tetor 2024, numri i përgjithshëm i anëtarëve është 17: dymbëdhjetë prej tyre u zgjodhën gjatë asamblesë së tetorit ndërmjet ipeshkvijve dioqezanë/heparkialë ose ekuivalentë (1 nga Kishat Katolike Lindore, 1 nga Oqeania, 2 përkatësisht nga Amerika e Veriut, Amerika Latine, Evropa, Afrika dhe Azia).

Nuk duhet të jenë domosdoshmërisht ipeshkvij

Këtyre do t'u shtohet, në kohën e duhur, kreu i Dikasterit të Kuries Romake, kompetent për temën e Sinodit të ardhshëm. Sipas kushtetutës apostolike Episcopalis Communio (n. 24, 1-3), Këshilli i Zakonshëm i Sekretarisë së Përgjithshme është kompetent për përgatitjen dhe zbatimin e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme. Anëtarët e Këshillit të Zakonshëm marrin detyrën në përfundim të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, që i zgjodhi; janë anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme pasuese dhe e pushojnë mandatin me shpërndarjen e kësaj të fundit. Këshilli, i kryesuar nga Papa, është pjesë përbërëse e Sekretariatit të Përgjithshëm.

Këshilli i ri i Zakonshëm, i cili do të mblidhet në video-konferencë më 17 dhjetor, do të luajë rol themelor si për zbatimin e këtij procesi sinodal për sinodalitetin, ashtu edhe për përgatitjen e Sinodit të ardhshëm.

Përbërja e Këshillit të zakonshëm

Këshilli i XVI i zakonshëm përbëhet nga:

Fortlumturia e tij Youssef Absi, Patriark i Antiokisë së Greko-Melkitëve, Kryetar i Sinodit të Kishës Katolike Greke Melkite

Kardinali Luis José Rueda Aparicio, kryeipeshkëv i Bogotas (Kolumbi)

Kardinali Jean-Marc AVELINE, kryeipeshkëv i Marsejës (Francë)

Kardinali Jean-Claude Hollerich, Kryeipeshkëv i Luksemburgut (Luksemburg)

Kardinali Dieudonné Nzapalainga, C.S.Sp., kryeipeshkëv i Banguit (Republika e Afrikës Qendrore)

Kardinali Roberto Repole, kryeipeshkëv i Torinos (Itali)

Kardinali Filipe Neri António Sebastião Do Rosário Ferrão, Kryeipeshkëv i Goa dhe Damão (Indi)

Kardinali Pablo Virgilio S. David, ipeshkv i Kalookan (Filipine)

Imzot Timothy John Costelloe, S.D.B., Kryeipeshkëv i Perthit (Australi)

Imzot Daniel Ernest FLORES, ipeshkëv i Brownsville (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

Imzot Alain Faubert, ipeshkëv i Valleyfield (Kanada)

 Imzot José Luis Azuaje Ayala, kryeipeshkëv i Maracaibo (Venezuela)

Imzot Gintaras Grušas, kryeipeshkëv i Vilnius (Lituani)

Imzot Andrew Fuanya Nkea, kryeipeshkëv i Bamenda (Camerun)

Motër Simona Brambilla, M.C., sekretare e  Dikasterit për Institutet e Jetës së Shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike (Itali)

Doktoresha María Lía Zervino, anëtare e Dikasterit për Ipeshkvijtë (Argjentinë)

13 dhjetor 2024, 16:13