Gjatë audiencës së përgjithshme të mërkurën më 11 dhjetor, Papa lutet përpara skenës së lindjes së Krishtit, në sallën Pali VI. në Vatikan Gjatë audiencës së përgjithshme të mërkurën më 11 dhjetor, Papa lutet përpara skenës së lindjes së Krishtit, në sallën Pali VI. në Vatikan

Shpella e Betlehemit, yll për t’u ngjallur shpresë të krishterëve të Palestinës

Në Sallën e Palit VI vendoset “Lindja e Krishtit”, realizuar nga artizanët e Cisjordanisë. Drejtuesi, Taisir Hasbu: “Është shumë e rëndësishme të thuhet se Toka e Shenjtë ka nevojë për ndihmë dhe solidaritet, në pritje që viti jubilar të jetë në gjendje t’i mirëpresë sërish shtegtarët”

R.SH. / Vatikan

“E quajtëm veprën tonë Ndiqe yllin, atë që është mbi Shpellën tonë, mbi skenën tonë të lindjes së Krishtit, e cila pasqyron Shpellën e vërtetë, në Betlehem, veçse kjo është më e madhe, e bërë me perla, një kuriozitet për t'u zbuluar”. Taisir Hasbun është drejtues i veprës artistike, titulluar “Nativity of Bethlehem 2024”, përgatitur për Sallën Pali VI. Vjen nga Betlehemi, ashtu si edhe artizanët dhe asistentët që e punuan skenën e Lindjes së Krishtit në Shpellën e Betlehemit të Sallës Nervi, përuruar më 7 dhjetorin e kaluar. Vepra, e lartë tri metra, është projektuar nga Johny Andonia dhe Faten Nastas Mitwasi. “Është mundësi shumë e rëndësishme për ne qytetarët e Betlehemit, që të dëgjohet zëri ynë - shpjegon Hasbun - veçanërisht në situatën mjaft të vështirë në të cilën jetojmë. E edhe mënyrë për të qenë të pranishëm, për të ndarë emocionet me të gjithë vizitorët që do të jenë në Sallën Pali VI, për të bërë të njohur jetën tonë, praninë tonë, pjesëmarrjen tonë. Është shumë e rëndësishme”.

Simboli i drurit të ullirit

90% e skenës të Lindjes së Krishtit, për të cilën bashkëpunuan Komiteti Presidencial Palestinez për Çështjet e Kishës, Ambasada Palestineze në Vatikan, Qendra Piccirillo në Betlehem, e që u krijua kryesisht nga Universiteti Dar Al-Kalima, tregon historinë e Tokës Shenjte e të Familjes Shenjte. Familje shtatoresh, punuar me dru ulliri dhe shume materiale te tjera, si hekur per strukturen kryesore, perla per yllin, gur, qeramikë, qelq, pëlhurë, lesh me të cilin u krijuan delet e skenës së lindjes nga "Qendra Ma'an lil-Hayat”, një shoqatë në Betlehem që mirëpret personat me aftësi të kufizuara - vazhdon Hasbun - Do të ketë edhe një dru ulliri, natyrisht, për të përfaqësuar Palestinën dhe ekonominë e saj bujqësore, tokë e mbushur me ullinj, nga veriu në jug. Po pema e shfaqjes është, sidomos, simbol i paqes”.

Varfëria e Betlehemit

Betlehemi: paqe e humbur prej kohësh në këtë tokë, tashmë e gjunjëzuar,  edhe nga vazhdimi i një lufte dramatike, që filloi rreth një vit më parë. “Betlehemi dhe gjithë Toka Shenjte, e gjithë Palestina, varen nga turizmi. Në vitin 2019, më shumë se dy milionë shtegtarë, duke përfshirë turistë dhe vizitorë, hynë në Kishën e Lindjes së Krishtit. Për shkak të Covid-it  përjetuam një bllokadë totale për më shumë se një vit, ndjekur nga konflikti, që tashmë po prek gjithë Lindjen e Mesme, por veçanërisht Palestinën. Pjesa më e madhe e familjeve në Betlehem dhe rrethinat e tij, po flasim për 70%, varen nga turizmi, pasi artizanët që prodhojnë punëdore në dru ulliri, guaska, qeramikë, ndërmjet Covid-it dhe luftës, të gjithë po jetojnë një situatë shumë të vështirë, jashtëzakonisht të pasigurt. Madje, disa familje e kanë të pamundur të gjejnë ushqim. Familjet po jetojnë në kulmin e varfërisë, prandaj prania jonë në Vatikan është një mënyrë për t’u dëgjuar zëri ynë, për t’i kujtuar botës se kemi nevojë për solidaritetin e saj, për ndihmën e saj”.

 Taisir Hasbun shpreson se "në vitin jubilar 2025 situata do të përmirësohet e se miliona shtegtarë, si ata që u mirëpritën ndër shekuj, që nga fillimi i krishterimit e deri më sot, do të shkelin përsëri mbi ato troje, ku pati shkelë vetë Zoti!  Sepse Betlehemi është djepi i Krishterimit”.

11 dhjetor 2024, 16:01