Kërko

Lindja Jezu Krishtit Lindja Jezu Krishtit

Për shumë Mot Krishtlindjen!

Për shumë mot Krishtlindjen të gjithë dëgjuesve e miqve të Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë besimtarëve të krishterë, shqiptarëve dhe njerëzve vullnetmirë kudo: në atdhe e në botë: bekimi, drita dhe paqja e Foshnjes Hyjnore - Jezu Krishtit - që lind në këtë Natë të Shenjtë, ju begatoftë me të mirat e bekimet e veta hyjnore, nga grazhdi i Betlehemit

R.SH. - Vatikan

Për shumë Mot Krishtlindjen, të gjithë dëgjuesve e miqve të Radio Vatikanit - Vatican News e të gjithë besimtarëve të krishterë, shqiptarëve dhe njerëzve vullnetmirë kudo në atdhe e në botë: bekimi, drita dhe paqja e Foshnjës Hyjnore - Jezu Krishtit, që lind në këtë Natë të Shenjtë, ju begatoftë me bekimet e  të mirat e veta hyjnore nga grazhdi i Betlehemit.

Në këtë Natë të Shenjtë e të qetë të Lindjes së Jezusit, Shpëtimtarit të njerëzimit, prandaj le të gëzohemi të gjithë pa dallim: sepse Zoti vjen ndër ne duke marrë natyrën tonë njerëzore, duke na përqafuar e duke hapur udhën e shëlbimit për çdo njeri.

Askush nuk përjashtohet nga ky galdim: shkaku i gëzimit na bashkon të gjithëve, pse me Krishtlindjen, Zoti ynë që e mundi mëkatin dhe e mposhti vdekjen, duke mos gjetur asnjë njeri të pafaj, të pagabim e të pamëkat, erdhi në kohë e në histori për të na çliruar e për të na shpëtuar nga urrejtja, nga pushtimi i djallit të mallkuar dhe nga vdekja e përjetshme.

Prandaj: le të galdojë shenjti, pse në Jezusin Foshnje e ka shpërblimin;
le të gëzojë mëkatari, pse në Jezusin Foshnje i dhurohet falja e pajtimi
le të marrë guxim pagani, i patenzoni, pse në Jezusin Foshnje 
thirret të marrë pjesë në Jetë!

Në këtë Natë tejet të Shenjtë të Krishtlindjes, duke u ndalur para  Foshnjës Hyjnore në Shpellë të Betlehemit, të orvatemi ta pranojmë dhuratën e Tij Hyjnore dhe ta njohim këtë Mister të Madh të Dashurisë, që na siguron se:
Natë e Krishtlindjes do të thotë Zoti është me ne
Edhe pse në botë ende shumë njerëz nuk e njohin, Zoti është!
Edhe pse shumë njerëz ende nuk e pranojnë në zemra të veta, Zoti vjen!
Edhe pse në shumë zemra njerëzish vend për Të nuk ka nga egoizmi e
urrejtja, Zoti lind;
Po, Zoti lind për të na shpëtuar nga e keqja, nga errësira dhe nga vdekja;
Po, Zoti lind për të na mësuar dashurinë e për të na treguar udhën e Jetës.

Në këtë Natë të Shenjtë të Lindjes së Shëlbuesit të mbarë njerëzimit, Jezu Krishtit, kudo në botë sytë e të gjithëve drejtohen tek Shpella e Betlehemit, madje në këtë Natë të Shenjtë, çdo njeri vullnetmirë mund të afrohet dhe të hyjë brenda Shpellës, tek grazhdi i Foshnjës, për të takuar, për ta pranuar dhe për ta adhuruar Dashurinë e Zotit bërë njeri. Kjo është Krishtlindja e vërtetë: lindja e Jezusit në zemra tona, shpërthimi dhe rrezatimi i Dritës së Tij Hyjnore në jetën e veprat tona.

Protagonisti i festës është Krishti Shpëtimtar. Atë duhet ta kërkojmë, Atë duhet ta gjejmë, Atë duhet ta pranojmë, Atë duhet ta jetojmë! 

Për shumë mot Krishtlindjen!

Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News 

24 dhjetor 2024, 12:23