Kërko

 Concistoro Ordinario Pubblico per la creazione di nuovi Cardinali, 2022.08.27 Concistoro Ordinario Pubblico per la creazione di nuovi Cardinali, 2022.08.27

Papa: nesër 7 dhjetor, Koncistori për krijimin e 21 kardinajve

Nesër, më 7 dhjetor, në vigjiljen e festës të Zojës së Papërlyer, në orën 16.00, në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku do të mbajë Koncistorin e Zakonshëm Publik për Krijimin e njëzetenjë Kardinajve të rinj, të cilëve do t’u dorëzojë kësulën, unazën dhe Titullin ose Diakoninë.

SH.- Vatikan

Për Koncistorin e dhjetë të Papnisë së tij, Françesku zgjodhi vigjiljen e së Dielës II të Kohës së Ardhjes. Nesër, më 7 dhjetor, në vigjiljen e festës të Zojës së Papërlyer, në orën 16.00, në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku do të mbajë Koncistorin e Zakonshëm Publik për Krijimin e njëzetenjë  Kardinajve të rinj, të  cilëve do t’u dorëzojë kësulën, unazën dhe Titullin ose Diakoninë. Edhe vizitat e mirësjelljes Kardinajve të rinj mund t’u bëhen nesër, 7 dhjetor, në orën 17.30 deri 20.00 në Pallatin Apostolik, në Vatikan.

Nga data 8 dhjetor Kolegji i Kardinajve do të përbëhet nga 256 anëtarë, nga të cilët 141 me të drejtën e zgjedhjes dhe 115 jozgjedhës. Të dielën, më 8 dhjetor, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, në orën 9.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë Françesku do të kryesojë kremtimin Eukaristik me Kardinajtë e rinj dhe Kolegjin Kardinalor.

21 kardinajtë e rinj,fytyrë e "universalitetit të Kishës"

Në Engjëllin e Tënzot të 06 tetorit 2024, Papa Françesku lexoi listën e prelatëve, që do të krijojë kardinaj në Koncistorin e 8 dhjetorit. Janë nga e gjithë bota: nga Irani - në Indonezi, nga Japonia - në Filipine, nga Bregu i Fildishtë - në Algjeri, deri në Itali, me vikarin e ri të dioqezës së Romës.  Në listën e Atit të Shenjtë Bergoglio gërshetohen periferitë e botës me kryedioqezat e mëdha e me personalitetet e Kuries romake, në përpjekjen e qartë për t’i dhënë Kishës fytyrë vërtet universale në këtë koncistor, i dhjeti i papnisë së Françeskut.

“Origjina e tyre –kujtoi Papa gjatë Engjëllit të Tënzot të 06 tetorit 2024 - shpreh universalitetin e Kishës, e cila vazhdon të shpallë dashurinë e mëshirshme të Hyjit për të gjithë njerëzit e tokës. Përfshirja në dioqezën e Romës tregon edhe lidhjen e pandashme ndërmjet Selisë së Shën Pjetrit dhe Kishave të veçanta, të përhapura në botë”.

Në listë figuron emri i imzot Baldassarre Reina, të cilin Papa e emëroi Vikarin e ri të dioqezës së Romës, duke pasuar kështu kardinalin Angelo De Donatis, i cili u emërua në krye të Pendestarisë Apostolike, prillin e kaluar. Ndër kardinajtë e rinj është edhe nunci Angelo Acerbi, 99 vjeç, ndoshta kardinali më i vjetër i krijuar deri më sot. Acerbi do të jetë ndër kardinajtë që, për arsye moshe, nuk do të votojnë në një Konklav të ardhshëm.

Tre emra nga Kuria Romake. Para së gjithash, Át Fabio Baggio, skalabrinian, zv.sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe drejtues i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve. Át Baggio është edhe drejtor i përgjithshëm e pikë referimi e drejtpërdrejtë e Papës Françesku për Borgo Laudato Si' dhe Qendrën e Formimit të Lartë Laudato Si'. Pastaj, kryeipeshkvi lituanez, imzot Rolandas Makrickas, 51 vjeç, emëruar komisar i jashtëzakonshëm për Bazilikën Papnore të Zojës së Madhe, më 2021, si edhe Imzot George Kovakaad, indian, figurë e njohur për publikun e gjerë si organizator i udhëtimeve papnore.

Ja lista e kardinajve të ardhshëm:

1. SH.T. Imzot Angelo Acerbi, Nunc Apostolik

2. SH.T. Imzot Carlos Gustavo CASTILLO MATTASOGLIO, kryeipeshkëv i Limës (Peru).

3. SH.T. Imzot Vicente BOKALIC IGLIC C.M., kryeipeshkëv i Santiago del Estero (Primat i Argjentinës).

4. SH.T. Imzot Luis Gerardo CABRERA HERRERA, O.F.M., kryeipeshkëv i Guayaquil (Ekuador).

5. SH.T. Imzot Fernando Natalio CHOMALÍ GARIB, kryeipeshkëv i Santiago de Cile (Kili).

6. SH.T. Imzot Tarcisio Isao KIKUCHI, S.V.D., kryeipeshkëv i Tokios (Japoni).

7. SH.T. Imzot Pablo Virgilio SIONGCO DAVID, ipeshkëv i Kalookanit (Filipine).

8. SH.T. Imzot Ladislav NEMET, S.V.D., kryeipeshkëv i Beogradit -Smederevo, (Serbi).

9. SH.T. Imzot Jaime SPENGLER, O.F.M., kryeipeshkëv i Porto Alegre (Brazil).

10. SH.T. Imzot Ignace BESSI DOGBO, kryeipeshkëv i Abidjanit (Bregu i Fildishtë).

11. SH.T. Imzot Jean-Paul VESCO, O.P., kryeipeshkëv i Algjerit (Algjeri).

12. SH.T. Imzot Paskalis Bruno SYUKUR, O.F.M., ipeshkëv i Bogorit (Indonezi).

13. H. E. Imzot Dominique Joseph MATHIEU, O.F.M. Konv., kryeipeshkëv i Teheranit Ispahan (Iran).

14. SH.T. Imzot Roberto REPOLE, kryeipeshkëv i Torinos (Itali).

15. SH.T. Imzot Baldassare REINA, ipeshkëv ndihmës i Romës, ish-zv.gjerent e, që sot, Vikar i Përgjithshëm për dioqezën e Romës.

16. SH.T. Imzot Francis LEO, kryeipeshkëv i Torontos (Kanada).

17. SH.T. Imzot Rolandas MAKRICKAS, Kryeprift koadiutor i Bazilikës Papnore të Zojës së Madhe.

18. SH.T. Imzot Mykola BYCHOK, C.Ss.R., ipeshkëv i eparkisë Shenjtorët Pjetër dhe Pal të Melburnit të ukrainasve

19. Át Timothy Peter Joseph RADCLIFFE, OP, teolog

20. Át Fabio BAGGIO, C.S., zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve të Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor.

21. Imzot George Jacob KOOVAKAD, funksionar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, përgjegjës për udhëtimet papnore.

06 dhjetor 2024, 13:35