Kërko

2024.12.15 Imzot Paul R. Gallagher në Baku 2024.12.15 Imzot Paul R. Gallagher në Baku

Në Baku vendosja e gurthemelit të një kishe kushtuar Papës Wojtila

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Paul Gallagher, nga 13 deri më 16 dhjetor ndodhet për vizitë në Azerbajxhan, për ceremoninë zyrtare të ndërtimit të një kishe të re. Me këtë rast Kryeipeshkvi u shprehu autoriteteve të Azerbajxhanit mirënjohjen dhe vlerësimin për angazhimin e bashkësisë katolike vendase, e cila po merret me nisma të rëndësishme shoqërore. Dje, Mesha në Kishën e Zojës së Papërlyer

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku "dëshiron t'ju forcojë në fe, t'ju ndezë zemrat me dashuri dhe t'ju bashkojë në lidhjen e paqes, në mënyrë që të mund ta jetoni plotësisht dashurinë e pafundme të Zotit dhe ta dëshmoni ndër të gjithë popujt": ky është mesazhi që Imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Marrëdhënieve të Selisë së Shenjtë me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, i solli bashkësisë së vogël katolike të Bakusë, në Azerbajxhan, ku dje, 15 dhjetor, kremtoi Meshën në Kishë të Zojës së Papërlyer. Kryeipeshkvi Gallagher e nisi vizitën në vendin e Kaukazit që nga e premtja e kaluar, me rastin e vendosjes së gurit të themelit për një Kishë të re, që do të ndërtohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit dhe do t'i kushtohet Shën Gjon Palit II.

Zoti nuk e braktis kurrë popullin e tij

Në homelinë e rastit, diplomati i Vatikanit theksoi se në të Dielën e tretë të Ardhjes, Kisha na fton të gëzohemi për ardhjen e afërt të Jezusit, me nxitjen e Apostullit Pal për t'ia besuar, me lutje "çdo shqetësim dhe kërkesë. Zotit”, i cili “e drejton me dashuri rrjedhën e jetës sonë”. “Edhe në mes të sfidave dhe sprovave, kjo siguri ngjall guxim dhe shpresë, sepse Ai na mban nën kujdes butësisht e nuk e braktis kurrë popullin e tij”. Më pas imzot Gallagher shtoi se “gëzimi i shpallur nga liturgjia e ditës nuk kufizohet vetëm tek besimtarët katolikë, por rrezaton si shenjë profetike për mbarë njerëzimin, duke i dhuruar një rreze shprese në një botë shpesh të errësuar nga konfliktet dhe vuajtjet”. Duke kujtuar "njerëzit e  prekur nga fatkeqësia e luftës", imzot Gallagher i theksoi se "gëzimi i vërtetë lind nga përtritja e shpirtit dhe bëhet dëshmi e gjallë e shpëtimit të dhuruar nga Zoti". Prej këndej, ftoi për mishërimin e drejtësisë dhe të solidaritetit.

Një kishë e re katolike, në Baku

Pasdite Imzot Gallagher mori pjesë sërish në Baku, në bekimin e tokës dhe vendosjen e gurthemelit të kishës së re kushtuar Shën Gjon Palit II. Prelati u shprehu mirënjohjen autoriteteve të Azerbajxhanit për dhënien me koncesion të zonës në të cilën do të ndërtohet kisha dhe falënderoi veçanërisht prefektin apostolik të Azerbajxhanit, Imzot Vladimír Fekete, "për angazhimin e tij të palëkundur në shërbim të Bashkësisë katolike në këtë vend, duke e ushqyer e forcuar dhe “për kolegët e tij meshtarë e motrat rregulltare, përkushtimi dhe shërbimi i paçmuar i të cilëve është jetik për fenë e kësaj bashkësie”. “Së bashku me besimtarët, ju përfaqësoni një prani të vogël, por thellësisht energjike, e cila shquhet jo vetëm për shpalljen e Ungjillit - vuri në dukje imzot Gallagher - por edhe për “nisma të rëndësishme shoqërore”. "Këto veprime janë dëshmi e gjallë e dashurisë suaj për të tjerët - përfundoi Prelati - dhe burim frymëzimi e inkurajimi për shumë njerëz".

Kultivoni lidhjet e vëllazërisë

Diplomati i Vatikanit kujtoi, më pas, udhëtimin apostolik të Gjon Palit II - Pasardhës i parë i Pjetrit, që vizitoi këtë vend në Baku, në vitin 2002 - dhe fjalët e tij në takimin me prijës fetarë dhe përfaqësues të politikës, kulturës dhe artit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me tri fetë e mëdha të pranishme këtu: hebraike, të krishterë dhe myslimane. “Pavarësisht nga dallimet mes nesh, së bashku ndihemi të thirrur për të kultivuar lidhje të vlerësimit dhe dashamirësisë së anasjelltë”, pati thënë Papa Wojtyla, ndërsa Papa Françesku, më 27 nëntor 2019, duke përshëndetur pjesëmarrësit në një seminar të organizuar nga Fondacioni Nizami Ganjavi, përsëriti: “Kultura e dialogut është rruga kryesore, bashkëpunimi është sjellja më efektive dhe njohja e anasjelltë, metoda për rritjen e vëllazërisë ndërmjet individëve dhe popujve" (shih Dokumentin mbi Vëllazëria Njerëzore, Abu Dhabi, 4 shkurt 2019).

16 dhjetor 2024, 12:10