Kërko

2024.12.24 Hapja e Derës së Shenjtë të Jubileut nga Papa Françesku 2024.12.24 Hapja e Derës së Shenjtë të Jubileut nga Papa Françesku

Pendestaria Apostolike: çdo rrëfyestore është Portë Shenjte për shpirtin

Imzot Nykiel, regjent i Pendestarisë Apostolike shpjegon se "ndjesa, shfaqje konkrete e mëshirës së Zotit, shkon përtej kufijve të drejtësisë njerëzore dhe i shndërron". Ne bindemi për kuptimin e saj, duke vrejtur jetën e shenjtorëve. “E duke parë këta shembuj dhe duke jetuar në bashkësi me ta, na forcohet e na bëhet siguri shpresa e faljes, që hap rrugën drejt shenjtërisë. Ndjesa të çliron zemrën nga barra e mëkatit, kur falja jepet në liri të plotë

R.SH. / Vatikan

“Jubileu është çast përtëritjeje shpirtërore, kthese e pajtimi”, pohon Ipeshkvi Imzot Krzysztof Józef Nykiel, Mëkëmbës i Pendestarisë Apostolike në një intervistë për Vatikanin Radio-Vatican News. Prelati theksoi se portat  shenjte, të hapura njëra pas tjetrës gjatë këtyre ditëve, janë shenjë e derës së shpëtimit, të hapur nga Krishti. E edhe se rrëfimi sakramendor është  kusht themelor për faljen e mëkateve.

Falja e çliron zemrën nga pesha e mëkatit

Imzot Nykiel shpjegon se "ndjesa, shfaqje konkrete e mëshirës së Zotit,  shkon përtej kufijve të drejtësisë njerëzore dhe i shndërron". Ne bindemi për kuptimin e saj, duke vrejtur jetën e shenjtorëve. “E duke parë këta shembuj dhe duke jetuar në bashkësi me ta, na forcohet e na bëhet siguri shpresa e faljes, që hap rrugën drejt shenjtërisë. Ndjesa të çliron zemrën nga barra e mëkatit, kur falja jepet në liri të plotë.

Kushtet e faljes

Mëkëmbësi i Pendestarisë Apostolike kujton edhe se "për të marrë ndjesën e plotë” gjatë Jubileut 2025, besimtarët duhet të plotësojnë disa kushte të veçanta, të caktuara nga Kisha. Janë: rrëfimi sakramendor, kungimi eukaristik, lutja sipas qëllimeve të Papës, një ose më shumë vepra bamirësie, shtegtime në viset e shenjta, shkëputje shpirtërore nga mëkati, qoftë edhe i lehtë”.

Shtegtim për Krishtin

Duke kujtuar Bulën që shpall Jubileun e zakonshëm të vitit 2025, Imzot Nykiel vë në dukje se një element kyç i çdo ngjarjeje jubilare është shtegtimi. “Shtegtimi është udhëtim personal i besimtarit në gjurmët e Shëlbuesit dhe shpreh kuptimin e jetës sonë njerëzore. Ai, siç pohonte Shën Gjon Pali II, 'është shtegtim i madh drejt shtëpisë së Atit' (Tertio millennio adveniente, 35). Shtegtim a nisje për udhë, nuk do të thotë thjesht ndryshim i vendit ku jetojmë, por ndryshim i vetvetes” - kujton  Mëkëmbësi i Pendestarisë Apostolike.

Rrëfimi, përvojë kthese e shtegtimit

Imzot Nykiel nënvizon se një çast i shtegtimit, i kuptuar si përvojë kthese, është rrëfimi. Në të "ne i pranojmë mëkatet tona dhe ia paraqesim Zotit, duke i lypur falje". Kujton edhe se “prifti është shërbëtor e, njëkohësisht edhe administrator i matur i mëshirës hyjnore. Atij i besohet përgjegjësia shumë serioze “për t’i falur ose jo mëkatet' (krh. Gjoni 20:23).

Kuptimi i Portës Shenjte

Nga ana tjetër, duke treguar rëndësinë e kalimit përmes Portës Shenjte të Bazilikave papnore të Romës, Mëkëmbësi i Pendestarisë shpjegon se ato janë "shenja e kalimit që çon në shpëtimin e shpirtit, rrugë e hapur nga Krishti me mishërimin, vdekjen dhe ringjalljen, që i thërret të gjithë të jetojnë të pajtuar me Zotin dhe me të tjerët. Për këtë arsye, kalimi i Portës, ngjall kalimin nga mëkati në hir, të cilin çdo i krishterë është i thirrur ta bëjë. Ka vetëm një udhë që të çon në hyrjen e jetës m Zotin e të bashkimit me Të:  është Jezusi, rruga e vetme dhe absolute e shpëtimit”.

30 dhjetor 2024, 16:47