Kërko

Klariset e kuvendit të Shën Romualdit (Fabriano, Itali), në liturgjinë e orëve Klariset e kuvendit të Shën Romualdit (Fabriano, Itali), në liturgjinë e orëve

Kard. Roche: me Jubileun, të rinovohet formimi i Kishës për lutjen

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe disiplinën e Sakramenteve njofton botimin e afërt të Shtesës së Liturgjisë së Orëve dhe të edicionit të tretë të Martiriologut Romak. Miratuar nga Papa Françesku më 12 dhjetor, të dyja projektet përfaqësojnë një etapë të mëtejshme në udhën e reformës liturgjike të dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit

R.SH. – Vatikan

"Dy projekte shumë të rëndësishme dhe të shumëpritura": kardinali Arthur Roche, prefekt i Dikasterit vatikanas për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, e përshkruan kështu - në një intervistë me mediat e Vatikanit - botimin e afërt të Shtesës së Liturgjisë së Orëve dhe të edicionit të tretë tipik të Martiriologut Romak. “Më 28 tetor 2024 u mbajt Asambleja e zakonshme e Dikasterit, e cila, unanimisht, miratoi botimin e të dy librave liturgjikë”, nënvizon kardinali. "Gjithashtu, kam kënaqësinë të njoftoj se Ati i Shenjtë, në audiencën e 12 dhjetorit, dha miratimin e tij. Prandaj, sa më shpejt të jetë e mundur. do të fillojmë procesin e botimit".

Hirësi, cila është rëndësia e këtyre dy projekteve?

Dua të filloj duke folur për Shtesën e Liturgjisë së Orëve, pasi me të, vërtet bëhet një hap i rëndësishëm në realizimin e projektit të reformave, dashur nga Koncili II i Vatikanit. Në fakt, ky libër plotëson çka përcaktohet nga Institutio Generalis de Liturgia Horarum. Realizimi i këtij projekti ka qenë veçanërisht i vështirë dhe, gjatë disa dekadave, ka përfshirë ekspertë të rëndësishëm të liturgjisë. Tani, më në fund, kemi mundësinë, falë kësaj pune të pasur dhe të madhe, t'ua "hapim më gjerë thesarin e traditës së Kishës atyre, që kremtojnë Liturgjinë Hyjnore".

Përsa i përket Martiriologut Romak, ai është libër liturgjik, që duhet përditësuar dhe pasuruar periodikisht me emrat e të gjithë atyre burrave dhe grave, të cilët Kisha i paraqet si modele shenjtërie. Botimi më i mbramë është ai i vitit 2004: në 20 vitet e fundit jo vetëm është shtuar numri i shenjtorëve dhe i të Lumëve, por Dikasteri ynë ka marrë edhe sinjalizime e kërkesa për sqarime historike, gjeografike dhe prosopografike, objekt studimi të kujdesshëm.

Ndërkohë që kemi njohuri më të mëdha familjare dhe praktike në lidhje me përmbajtjen e Martiriologut, a mund të na tregoni si është strukturuar Shtesa e Liturgjisë së Orëve?

Siç po thosha, Shtesa për leximet e Liturgjisë së Orëve është një projekt shumë i madh, pasi përbëhet nga tre elementë: cikli dyvjeçar i leximeve biblike dhe patristike; Lectionarium ad libitum dhe Orationes super psalmos et cantica. Botimi aktualisht në përdorim i Editio typica i Liturgia Horarum, reformuar sipas dekreteve të Koncilit II të Vatikanit përmban një "cikël vjetor" leximesh biblike dhe patristike për Uficen e Leximeve: ai përsëritet njëlloj çdo vit. Vetëm disa Konferenca Ipeshkvnore dhe disa urdhra murgare kanë kërkuar dhe kanë marrë miratimin e një "cikli dyvjeçar". Tani i propozohet gjithë Kishës universale një "cikël dyvjeçar" leximesh biblike dhe patristike nga Doktorët dhe Shkrimtarët kishtarë. Nuk është një integrim i thjeshtë i "ciklit vjetor", megjithëse përfshin disa tekste të pranishme në të: është autonom dhe "origjinal" dhe është alternativ, në kuptimin që mund të zgjedhësh për të ndjekur njërin, ose tjetrin.

Lidhur me Lectionarium ad libitum, siç thuhet nga Institutio Generalis de Liturgia Horarum, në nr. 161-162, “Përveç leximeve, që i caktohen Librit të Liturgjisë së Orëve për ditë individuale, ekziston edhe një leksionar fakultativ, në të cilin paraqitet një begati më e madhe leximesh... Secilit i jepet mundësia ta marrë leximin e dytë, ose nga Libri i Liturgjisë së Orëve, ose nga leksionari fakultativ. Konferencat Ipeshkvnore mund të përgatisin edhe tekste të tjera, që u përgjigjen traditave dhe mendësisë së rajonit të tyre, për t'u përfshirë në leksionarin fakultativ”. Në Lectionarium ad libitum, që po e propozojmë tani, duke ruajtur gjithmonë përparësinë e teksteve të Etërve të Shenjtë, pasqyrohen edhe tekste të lashta e mesjetare shenjtorësh (në veçanti, të dijetarëve të Kishës) dhe të Lumësh, si edhe tekste të autorëve më të afërt me ne, të cilëve u njihet doktrina e shëndoshë dhe jeta shembullore. Ky Leksionar opsional përbëhet, për çdo stinë liturgjike (Ardhja, Krishtlindja, Kreshmët, Pashkët, Koha e zakonshme), nga lexime që komentojnë fragmentet e Ungjillit të së dielës dhe nga seksione të veçanta, sipas tematikave më të përshtatshme. Mund të them pa frikë se ky Lectionarium - siç sugjeron edhe emri, gjithashtu opsional - është një thesar i vërtetë tekstesh të çmuara, që mund ta pasurojnë dhe ta nxisin zhvillimin shpirtëror të popullit të Zotit.

Së fundi, kemi Orationes super psalmos et cantica, një sërë lutjesh fakultative për çdo psalm dhe tekst të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, me synimin për t’i ndihmuar ata që thonë Psalmet t'i interpretojnë nga pikëpamja e krishterë. Pasi të përfundojë psalmi dhe të bëhet një pauzë heshtjeje, njerëzit luten në qetësi shpirtërore (shih IGLH n. 112).

Çfarë mundësish mund t'i ofrojë Kishës dhe popullit të Zotit botimi i këtyre dy librave të rinj liturgjikë?

E dimë mirë se shumë njerëz e kanë pritur botimin e këtyre librave prej një kohe të gjatë: jam i bindur se kjo pritje do të shpërblehet dhe, menjëherë, Dikasteri do të vihet në dispozicion të Konferencave Ipeshkvnore, që duan të fillojnë punën për përkthimin dhe përshtatjen, sepse kjo është përgjegjësi e tyre. Lidhur me mundësitë që na ofrojnë këta libra, besoj fuqimisht se në këtë Vit të veçantë Hiri, që është Jubileu, mund dhe duhet të shfrytëzojmë rastin për të rizbuluar pasurinë e Liturgjisë së Orëve dhe për të rifilluar formimin e Kishës në lutje. Vizitat ad limina të ipeshkvijve nga vende të ndryshme të botës na dëshmojnë se, që prej disa kohësh, kjo formë lutjeje është në krizë: pse të mos përfitojmë nga ky rast për t’u formuar nga lutja e Kishës, që e shenjtëron kohën, në çaste të ndryshme të ditës? Kështu, mund të rizbulojmë forcën dhe bukurinë e çka thotë Papa shenjt Pali VI në Kushtetutën Apostolike Laudis canticum: «...lutja e Kishës është njëkohësisht «lutja që Krishti me Korpin e tij i drejton Atit» (SC 84). Prandaj, ndërsa themi Uficen, duhet ta ndiejmë jehonën e zërave tanë në atë të Krishtit dhe të zërit të Krishtit në ne (shih Augustini, Komenti i Ps 85, 1)". Sigurisht që do të ishte një përgjigje e vlefshme dhe mirënjohëse për impenjimin e dashur nga Papa Françesku në përfundimin e reformës liturgjike të Koncilit, të cilën, në shumë raste, e ka cilësuar si të pakthyeshme. Edhe letra apostolike Desiderio desideravi, bindshëm, na fton të ecim në këtë drejtim.

27 dhjetor 2024, 10:02