Kërko

Kardinali Pietro Parolin në Cattolica të Milanos Kardinali Pietro Parolin në Cattolica të Milanos

Kard. Parolin: urojmë që në Siri, në të ardhmen, të respektohen të gjithë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, në Milano, për një takim në Universitetin Katolik, kushtuar dialogut me botën islame. Kardinali Parolin komentoi gjendjen në Siri: “Regjimi u rrëzua në pak kohë, të shohim se çfarë skenarësh hapen. Na kanë thënë se do të respektohen bashkësitë e krishtera, le të shpresojmë". Në skenarët e luftës, Selia e Shenjtë, siguron kardinali, "përfiton nga çdo situatë për të kërkuar kushte për dialog dhe për zgjidhjen e problemeve"

R.SH. – Vatikan

Shqetësim për gjithçka ndodhi "aq shpejt" në Siri, ku një regjim, i cili dukej kaq i qëndrueshëm, u "fshi" nga faqja e dheut. Shpresë, që kushdo merr pushtetin të vendosë "një regjim, që i respekton të gjithë". Këto janë mendimet e shprehura nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, pas rënies së presidentit Assad, në Siri, ndërsa në Damask, rebelët po formojnë qeverinë e re të tranzicionit.

Kardinali ndodhet në Milano për një takim në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, me temë “Studime për dialogun. Çmimi Al Issa për Studimet Arabo-Islamike”, gjatë të cilit do të paraqitet puna kërkimore e promovuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Botërore Myslimane, Muhamed Al-Issa, si edhe do të jepet çmimi i destinuar për studiues të rinj të kulturës arabo-islame.

Në Siri gjithçka ndodhi shpejt

“Një mundësi e mirë për të vazhduar ndërtimin e urave” me botën myslimane, komenton Parolin me gazetarët, të cilët e pyetën për aktualitetin në botë. Para së gjithash trazirat e 72 orëve të fundit në Siri. “Mendoj se të gjithë jemi të shqetësuar për ç’po ndodh në Siri, edhe për shkak të shpejtësisë me të cilën u zhvilluan këto ngjarje. Është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh”, nënvizon Sekretari i Shtetit të Vatikanit. “Më bën përshtypje që një regjim, i cili dukej kaq i fortë, kaq i qëndrueshëm, u zhduk plotësisht brenda një kohe të shkurtër”.

Një regjim i hapur, që respekton të gjithë

Kardinali Parolin bën thirrje për kujdes: "Le të shohim tani se çfarë skenarësh hapen... Ndoshta është disi e parakohshme të flitet për këtë", pohon ai, duke nënvizuar se "kemi pasur disa premtime për respektimin e bashkësive të krishtera, ndaj shpresojmë vërtet që të ketë një të ardhme respekti për të gjithë”. Kardinali uroi “të krijohet një regjim i hapur, që i respekton të gjithë".

Veprimi i Selisë së Shenjtë

Ndërkohë Selia e Shenjtë vazhdon punën e saj të dialogut dhe të diplomacisë, pavarësisht se nuk ka ndonjë “rol formal”, sqaron kardinali. Në Ukrainë, për shembull, "nuk ka filluar asnjë lloj bisedimi formal, por ne përfitojmë nga të gjitha situatat për të kërkuar kushte, që na lejojnë të fillojmë dialogun dhe të zgjidhim së paku një problem, si armëpushimin, lirimin e pengjeve në Lindjen e Mesme, ose ndihmat humanitare etj. Këto janë të gjitha fusha, në të cilat po lëvizim”.

Rëndësia e dialogut

Ndër përparësitë, si gjithmonë, është dialogu. Takimi në Universitetin Katolik është mundësi për të forcuar urat ndërmjet kulturave të ndryshme fetare. “Besoj – nënvizon së fundi kardinali Parolin, duke lavdëruar nismën – se sot sfida është pikërisht ajo e bashkëpunimit për t'u dhënë përgjigje problemeve dhe vështirësive të shumta, që përjeton bota. Kemi nevojë të rivendosim sinergjinë e bashkëpunimin”.

10 dhjetor 2024, 11:39