Kërko

Kryeipeshkvi Gallagher në Maltë për Këshillin e 31-të Ministror të OSBE-së Kryeipeshkvi Gallagher në Maltë për Këshillin e 31-të Ministror të OSBE-së

Imzot Gallagher: OSBE-ja në udhëkryq, Vatikani i shqetësuar nga ndarjet. Të rikthehet dialogu

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, duke folur në Maltë, në Këshillin e 31-të të Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi: “Për të ardhmen e Kontinentit përgjigjet secili shtet pjesëmarrës. Kur merr vendime bazuar në konsensus, rreziku është vetëasgjësimi. Lidhur me këtë nevojiten shkallëzimi dhe ulja e tensionit.

R.SH. / Vatikan

Sukseset, në këta pesëdhjetë vjet pas Aktit përfundimtar të Helsinkit, kanë qenë të shumta, parë tashmë si fitore. Ndërsa çka vërejmë vitet e fundit brenda OSBE-së, është "prishja në rritje e besimit reciprok ndërmjet disa shteteve pjesëmarrëse, thellimi i agresionit ideologjik dhe shpërfillja e qartë e parimeve themelore" të përfshira në Aktin Përfundimtar të Helsinkit. 

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Paul Richard Gallagher nuk ua kursen denoncimet e paralajmërimet anëtarëve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke u përsëritur edhe ftesën për të rifituar frymën e dialogut dhe të bashkëpunimit. Në rrezik të "vetë-asgjësimit" të organizmit, “OSBE-ja është padyshim në udhëkryq e, për të ardhmen e saj, është përgjegjës secili shtet pjesëmarrës” - pohoi Kryeipeshkvi Gallagher në fjalimin e tij dje, 5 dhjetor, në Këshillin e 31-të të Ministrave, që vijon në Maltë, Vend i cili, në vitin 2024, mori përsipër presidencën vjetore e organizmit (pas Finlandës)

Përçarje në rritje

Ministrave të Punëve të Jashtme të 57 shteteve pjesëmarrëse të tre kontinenteve, imzot Gallagher u çoi përshëndetjet dhe mirënjohjen e Papës për shumë synime të arritura, gjithmonë me angazhimin për të ruajtur "paqen", "sigurinë" dhe "drejtësinë", por në të njëjtën kohë, edhe për “shqetësimin” e Selisë së Shenjtë në vrojtimin e “copëzimit dhe të ndarjeve në rritje, që po errësojnë vetë rrënjët e OSBE-së dhe po ndikojnë në punën e saj të përditshme”.

Rreziku i ndarjes në "klube"

Në këtë drejtim, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet kujtoi në fjalimin e tij, paralajmërimin e Papës Françesku i cili, duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar, kujtoi "rrezikun e ndarjes në 'klube', të cilat pranojnë vetëm shtete që konsiderohen ideologjikisht të pajtueshme". "Edhe agjencitë  që i kushtohen të mirës së përbashkët dhe çështjeve teknike, të cilat deri tani janë efektive, rrezikojnë të paralizohen për shkak të polarizimit ideologjik dhe shfrytëzimit nga shtetet individuale" - thekson Papa Françesku - e imzot Gallagher e përsëriti këtë.

Shpirti i Helsinkit

Kujtimi kryesor është ai i Aktit përfundimtar të Helsinkit, marrëveshja e verës së vitit 1975 e cila, e nënshkruar nga tridhjetë e pesë shtete, i dha fund Luftës së Ftohtë. E njëjta marrëveshje, e kujtuar shumë herë nga Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, në këtë epokë plot me konflikte dhe përçarje. OSBE-ja është fryt i 'frymës' së Helsinkit, domethënë - kujtoi imzot Gallagher - "të gjitha shtetet pjesëmarrëse pohuan se paqja nuk është thjesht mungesë e luftës ose ruajtje e ekuilibrit të fuqisë, por më tepër fryt i marrëdhënieve miqësore, dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare dhe respektimi i të gjitha të drejtave universale të njeriut”.

Sfidat dhe besimi

Por këto marrëdhënie, ky dialog, kjo dëshirë për të bashkëpunuar, duket se po dështojnë brenda Organizatës. Kryeipeshkvi ripohoi në Këshillin e Ministrave, si organ kryesor vendimmarrës dhe drejtues i OSBE-së, shqetësimin për vëzhgimin e plasave të tilla, si dhe "mungesën e konsensusit procedural". Një shembull i kësaj - pohoi - është “fakti që u deshën disa muaj për të emëruar katër pozitat e para”. Pa harruar se “nuk ka pasur asnjë diskutim zyrtar për presidencën në detyrë për vitin 2026”. Malta mori Presidencën me synimin e forcimit të qëndrueshmërisë dhe efektivitetit të Organizatës. Por "për fat të keq - vërejti Imzot Gallagher - sfidat e vazhdueshme ndaj efektivitetit dhe besueshmërisë së OSBE-së pasqyrojnë situatën më të gjerë gjeopolitike, në veçanti, luftën në Ukrainë".

Vendimet e bazuara me miratim

Si organizëm shtetesh, që funksionon me miratim, ne duhet të rifillojmë më pas "punën e durueshme të dialogut dhe të negociatave, në vend të imponimit me forcë". “Do të ishte shumë keq nëse shtetet pjesëmarrëse do të humbisnin shpresën dhe do të minonin thelbin e OSBE-së, duke braktisur ndjekjen e vendimeve të bazuara në konsensus dhe duke e kthyer atë në një forum vetëm për shtetet me të njëjtin mendim”

E ardhmja, në rrezik

Rreziku është "vetëasgjësimi" i mirëfilltë ose, të paktën, "ndryshimi i formës" së Organizatës, forca dhe veçantia e së cilës qëndron në "larminë e këndvështrimeve" që pasurojnë dialogun dhe proceset e vendimmarrjes. “Prandaj jemi të vendosur në angazhimin tonë për t’i sjellë të gjitha palët në tryezën e bisedimeve”- kjo,  ftesa e Kryeipeshkvit Gallagher.

Dialogu dhe shkallëzimi janë të nevojshëm

“Selia e Shenjtë është e bindur se OSBE-ja vazhdon të jetë një forum unik dhe i domosdoshëm për dialog të vërtetë dhe negociata të frytshme, ku vendimet e nevojshme dhe urgjente mund të merren duke u bazuar në konsensus” - shton ai. “Është themelore ta ruajmë Organizatën tonë, veçanërisht në një çast në të cilin nevojitet dialogu, shkallëzimi, ulja e tensionit”.

06 dhjetor 2024, 12:39