Hyrja e Patriarkut Pizzaballa në Betlehem për kremtimin e Krishtlindjes
R.SH. / Vatikan
Ndërmjet dy krahëve të turmës, që e priste, Patriarku i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa hyri solemnisht në Betlehem në mëngjesin e vonë, duke nisur kremtimet dhe liturgjitë për Krishtlindjen Shenjte. Patriarku hyri si zakonisht përmes portës në murin ndarës, që kufizohet me varrin e Rakelës. Më pas e kaloi në këmbë pjesën e fundit të qendrës së qytetit, ku lindi Jezusi.
U prit, pëveç turmës, nga skautët betlemitë që lartonin parrulla me urime për mirëseardhjen e, sidomos, me brohori për paqen, që nuk po vonohet të duket në ato vise. Ndërmje tyre, njëri lexoi me zë të lartë: "Fëmijët tanë duan të luajnë dhe të qeshin".
Pritja e këtij viti, ndryshe nga viti i kaluar, pati një pjesëmarrje më të madhe dhe përgjithësisht më të qetë, për shkak të perspektivës së një armëpushimi në Gaza, që tani duket gjithnjë më i afërt.
Urime për paqen
Popullsia e Betlehemit vuajti shumë muajt e fundit të vitit: mungesa e shtegtarëve dhe kufizimi i lëvizjes, me vendim të autoriteteve izraelite, krijuan vështirësi serioze ekonomike për shumë familje. Në fund të procesionit, pasi arriti në Sheshin e Grazhdit me pamje nga Bazilika e Lindjes së Krishtit, pas një lutjeje në Kishën e Shën Katerinës, Kard. Pizzaballa ua drejtoi fjalën pjesëmarrësve, duke i ftuar t’ua përcillnin urimet e paqes të gjithëve dhe duke i ftuar të kthehen për të vizituar Betlehemin, sepse nuk duhet t’i mundë frika.
Sonte Kardinali Pizzaballa do të kremtojë Meshën solemne të Natës së Krishtlindjes në Kishën e Shën Katerinës, për të kremtuar përsëri edhe nesër në mëngjes.