Hapet Porta Shenjte në Lateran, kard. Reina: në një kohë të trishtë, krahëhapur për të gjithë
R.SH. / Vatikan
"Të vijmë këtu për t’u çliruar nga të gjitha barrët tona dhe nga ato, që na i ngarkon mbi shpinë bota". Është dëshira e përbashkët që i gjallëron shtegtarët, mbërritur heret në mëngjes, mes ajrit të freskët dhe qiellit të kaltër, në Bazilikën papnore të Shën Gjonit në Lateran, në Romë, për të marrë pjesë në ritin e hapjes së Portës Shenjte, që shënon fillimin e viti jubilar në të gjitha dioqezat. Është edhe kryebashkiaku i Romës, i cili dje përuroi sheshin përballë dhe zonën me pamje nga Shkalla Shenjte, që shkëlqen falë punimeve të riasfaltimit, si dhe shatërvanët e mëdhenj të rrumbullakët me ujëvarat.
Bazilika është përplot me rregulltarë e besimtarë, nëna dhe fëmijë të moshuar, familje të reja, studentë dhe turistë nga rajone të ndryshme të botës. Një zemër e vetme, që rreh që gëzohet dhe dridhet për fatin e planetit dhe që shpreson. “Është nder i madh të jem këtu” - thotë një grua që shoqëron nënën e saj. Ndërsa një vajzë bëhet mbartëse e të gjithë atyre që do të donin të ishin atje, e nuk munden. "Është themelore të jemi këtu, për të ndryshuar jetën tonë, sepse jemi të thirrur për shenjtëri," thotë një murgeshë nga Meksika. "E rëndësishme për ne, sepse pa Zotin nuk mund të bëhet asgjë – kujton një çift nga Nju Jorku me katër fëmijë. “Ai na dhëntë shpresë dhe e sjelltë Fjalën e tij mes njerëzve” - shpreson një grua nga Italia veriore. Zëri emocional i një zonje të shquar: "Do të ishte mirë të çliroheshim nga të gjitha lidhjet dhe kufizimet tona".
Në bashkim me Papën, "katedralja e tij" hapet në të dy kanatat
Po, çlirimi bëhet i mundur në këtë kohë të përshtatshme që Zoti na ofron nëpërmjet “ndjenjave dhe zgjedhjeve të mëshirës,mirësisë dhe drejtësisë”. Para rrëfyestoreve spikat një radhë e gjatë, karriget tashmë janë zënë të gjitha, shumë mbeten jashtë. Lutja e shqiptuar nga vikari, kardinali Baldo Reina, lartohet për t’u bërë thirrje të gjithë atyre që kapërcejnë këtë derë të shoqërohen nga hiri i Atit: "Si grigjët, që mblidhen në një vath të vetëm, ta jetojmë frytshëm këtë vit jubilar". Në heshtje kapaku i bronztë i Portës Shenjte hapet, një çast heshtjeje në lutje e, më pas, këmbanat bien në "nënën e të gjitha kishave" me notat e himnit jubilar. Duart e famullitarit lëvizin mbi altorelievin e bukur e të lartë të 'Krishtit të Vdekur' dhe Zojës me Krishtin Fëmijë, me plasticitet të shkëlqyer. Në bashkësinë e thellë me Papën Françesku, në katedralen e tij, jehon ftesa për ta mbështetur Bariun me lutje.
Afërsi me atë që duron dhimbjen, vetminë, varfërinë dhe dështimin
Mendimet e kardinalit-vikar u drejtohen "me dhembshuri të veçantë atyre që ndihen të largët dhe të padenjë" dhe atyre që mbajnë "peshën e hidhërimit të thellë" në zemrat e tyre. Të sëmurët, të burgosurit, të mposhturit nga dhimbja, vetmia, varfëria, dështimi: këta janë njerëzit e dashur për zemrën e atyre që prijnë në rrugën drejt bazilikës. "Nuk duhet të ndjehen të braktisur ata, të cilëve u varen krahët, për shkak të dekurajimit ose mungesës së kuptimit", ata që nuk kanë shpresë ose që kanë pushuar së kërkuari krahët e Atit, sepse janë "mbyllur në vetvete ose në sigurinë e gjërave të botës”. Rikumbon lutja: "Në këtë botë të copëtuar nga luftërat, mosmarrëveshjet dhe pabarazitë, t'ua shtrijmë krahët të gjithëve".
Lutje për familjet në vështirësi
Për "rastësi providenciale" sot është festa e Familjes Shenjte të Nazaretit, "model i çdo bashkësie shtëpiake dhe pasqyrë e bashkimit trinitar" - kujton Kard. Rein - e cila i fton të gjithë ta shikojnë veten si familje e Zotit, e thirrur për t'u rritur në unitet dhe bamirësi reciproke. Lutja e Kardinalit shoqërohet veçanërisht nga mendimet e familjeve që jetojnë vështirësi dhe vuajtje. Në një nga qëllimet e lutjes gjatë Meshës, kërkesa për familjet e varfëra: "Qofshin në qendër të vëmendjes së atyre që janë përgjegjës për jetën civile dhe mos u mungoftë mbështetja e duhur për një të ardhme më dinjitoze". Për më tepër, sot familjet marrin një pamje të veçantë, që shprehet me gjestin simbolik të disave prej atyre grave, të cilat e kaluan Portën Shenjte pranë bashkëshortëve: është dëshmia e një misioni të përbashkët, të ndjerë “urgjent në kohën tonë” - thotë në predikim Kardinali Reina gjatë Meshës në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.
Një çast nga hapja e Portës Shenjte në Bazilikën e Shën Gjonit
Kaloni derën e shtëpisë për të na sjellë Zotin
"Porta e Shenjtë që kaluam na ngjall atë gjest të përditshëm, që e bëjmë kur kalojmë pragun e shtëpive tona. Kjo portë, tashmë e hapur, na ftoi jo vetëm në shtëpinë e Zotit, por në thellësi të zemrës së tij". Në lutjen për familjet, përpara liturgjisë eukaristike, lutja drejtuar Shpirtit për të udhëhequr veprimet e bashkëshortëve, në mënyrë që rritja njerëzore dhe e krishterë e fëmijëve të gjejë mbështetje në bashkësinë shtëpiake dhe që dashuria, e shenjtëruar nga lidhja e martesës, të tregohet më e fortë se çdo dobësi dhe çdo krizë. Kjo do të ishte porosia e theksuar në fund të predikimit: që, me kalimin e derës së shtëpisë, të përpiqemi "ta sjellim Zotin në familjet tona, në marrëdhëniet e përditshme, në marrëdhëniet me fëmijët, në lidhjet martesore, në vëmendjen dhe kujdesin e të moshuarve”.
Të jesh bir i Zotit është dhuratë
Kardinali Reina u mbështet gjerësisht tek shëmbëlltyra e Atit të mëshirshëm për të rizbuluar se çfarë do të thotë ta jetosh birësinë dhe të nxjerrësh në pah sesa i shtrembëruar është shpesh perceptimi ynë për atësinë e Zotit. Nuk bëhet fjalë për të kundërvënë dy vëllezër - shpjegoi - por për të kuptuar të njëjtën përpjekje që e jetojnë të dy. Ata ngulmojnë në një keqkuptim: nga njëra anë, ai sipas të cilit "Zoti është armiku i lirisë sonë, pengesa që duhet hequr për t'u ndjerë, më në fund, si arkitektë të jetës sonë", nga ana tjetër, se Zoti është figurë despotike, që kërkon bindje servile, pa dashuri. Prandaj, marrëdhënia që Zoti dëshiron të krijojë është ajo në të cilën "të jeni bij nuk është kusht i fituar apo i merituar, por dhuratë".
Krahët e hapura të Atit janë porta shenjte
Është përqafim pa shpjegime, ai i Atit, i themeluar mbi butësinë, dhembshurinë dhe “shpresën e palëkundur”, të aftë për të rikthyer dinjitetin - këmbëngul kardinali. Përsëri në dritën e historisë së dy djemve, në Ungjillin e Lukës, Kard. Reina vëren me ngushëllim të madh: "Ato krahë të hapur janë porta shenjte. Sado larg të kemi shkuar, nuk është e rëndësishme ajo që bëmë, e që humbëm ose rrënuam. Në çastin kur vendosëm të kthehemi nuk do të gjejmë kurrë derë të mbyllur, por një përqafim që mirëpret dhe bekon”. Dhe akoma: “Nga ato krahë të hapur mësojmë të jemi Kishë, të bëhemi sakramenti i saj, familja e Zotit që na çliron lirinë drejt së mirës”.
Prej këndej, nxitja për të hyrë me besim, për të shijuar dhe për të soditur mirësinë e Zotit, për të jetuar gëzimin e tij dhe për t'u bërë "bujq të palodhur të shpresës dhe ndërtues të vëllazërisë".