Çmimi Zayed, vlerësim i "apostujve të shpresës"
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku shqetësohet thellësisht për gjendjen e botës dhe urinë e miliona njerëzve që, të kequshqyer, e kërkojnë bukën e përditshme në grumbuj plehrash, ndërkohë që bota shpenzon shuma të mëdha parash për të prodhuar armë. Ngozi Okonjo-Iweala, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë, e vlerëson kështu shqetësimin e Papës për mirëqenien e të varfërve. E me të, edhe pesë anëtarët e tjerë të komisionit, që do të japë Çmimin Zayed 2025 për Vëllazërinë Njerëzore, në një konferencë shtypi të mbajtur të shtunën, më 14 dhjetor, në Palazzo Pio, në Vatikan, pak pas takimit në audiencë me Papën. Françesku.
Takime me Papa Françeskun
Gjykatësi Mohamed Abdelsalam, sekretar i përgjithshëm i çmimit, nënvizoi se kjo ishte audienca e njëzetë papnore për grupet lidhur me Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore, të cilin Papa Françesku e nënshkroi në vitin 2019 me Sheikh Ahmad Al-Tayyeb, Imamin e Madh të Al-Azhar. Çdo takim me Papën - tha ai - ofron inkurajim personal në përpjekjet e për t’u dhënë hov të ri vlerave të vëllazërisë njerëzore. “Dëshira jonë për të vazhduar këtë rrugë, përtërihet gjithnjë, kur takojmë Papën Françesku”, pohon gjyqtari Abdelsalam.
Mos e lejoni zhytjen në "kulturën përdor e flak”
Detyra e komisionit gjykues - pohoi kardinali Peter Turkson, është të bazohet mbi mesazhin e shpresës dhe të vëllazërisë së Papës dhe të shqyrtojë, për çmimin Zayed, rreth 100 kandidatë të cilët shprehin dëshirën e njerëzimit për paqe në një mënyrë të veçantë në jetën e tyre. “Në fillim të Jubileut të Shpresës” - kujtoi kancelari i Akademive Papnore të Shkencave dhe Shkencave Shoqërore, “duhet të mos lejojmë të zhytemi në kulturën e përdorimit e të flakjes dhe në errësirën, që na rrethon”. Kardinali Turkson shtoi se kandidatët të cilët përpiqen të nxisin mesazhin e vëllazërisë me mënyra të vogla e të mëdha, mund të quhen "apostujt e shpresës",
Paqja nuk është vetëm shpresë, por realitet njerëzor
Sipas Patricia Scotland, Sekretare e Përgjithshme e Komonuelthit të Kombeve, Çmimi Zayed për Vëllazërinë Njerëzore i krijon botës mundësinë të përqendrohet tek njerëzit që përpiqen ta lartësojnë shpirtin njerëzor. Çmimi - shtoi - i ndihmon të gjithë të kuptojnë se paqja "nuk është vetëm shpresë, por realitet njerëzor dhe se njerëzit po punojnë për ta arritur atë".
Macky Sall, ish-president i Senegalit, pohon se bota jonë është plot egoizëm, grindje dhe konflikte. Papa Françesku – kujton - në vend të saj, ofron mesazhin e "shpresës dhe të mençurisë" dhe i inkurajon të gjithë të punojnë për paqen në botë. Me çmimin Zayed - shton Sall - bota ndjek mesazhin e vëllazërimit, i cili shkon përtej feve dhe grupeve etnike, për t’i dhuruar njerëzimin mirësinë, që i mungon.
Sfidat e të rinjve dhe drama e konflikteve
Anëtarë të ndryshëm të komisionit e kuptuan se të rinjtë e sotëm ndeshen me një botë të zhytur në ankthe, me shumë shqetësime për gjërat që prindërit e tyre i merrnin si të mirëqena. “Ka 700 milionë njerëz, duke përfshirë 300 milionë në kontinentin afrikan, të cilët shkojnë të flejnë të uritur, ndërsa shpenzohen shuma marramendëse për armatim”, kujton e revoltuar Doktoresha Okonjo-Iweala. Nga ana e tij, José Luis Rodríguez Zapatero, ish-kryeministër spanjoll, vëren se çasti aktual historik ka parë numrin më të madh të konflikteve dhe të luftërave të hapura që nga përfundimi i Luftës II Botërore. “Ne kemi nevojë për një strategji të re dhe një vizion të ri të botës” - pohon - “Duhet të mobilizohemi për paqen”. Papa Françesku - vijon Zapatero, i ofron botës një mesazh "guximtar" shprese, paqeje, vëmendjeje për të varfërit dhe njerëzit që vuajnë nga konfliktet. "Jemi një familje njerëzore" pohoi ai. “Të gjitha fetë, të gjitha ideologjitë, të gjitha vendet, janë një njerëzim i vetëm”.
Nga i njëjti bark, me të njëjtin dinjitet
Duke reflektuar mbi kuptimin e vëllazërisë, kardinali Turkson vë në dukje se fjala rrjedh nga termi grek adelphos, që fjalë për fjalë do të thotë "nga i njëjti bark". "Është e pamundur që njerëzit që vijnë nga i njëjti bark e të kenë dinjitete të ndryshme" - shpjegon kardinali - “Ne të gjithë kemi të njëjtin dinjitet, ndaj duhet të respektojmë kërkesat e marrëdhënieve tona. Vëllazëria njerëzore e vendos këtë si bazë themelore për këto marrëdhënie”.
Çmimi Zayed për Vëllazërinë Njerëzore - pohoi Kardinali Turkson, na kujton se të gjithë mund të përpiqen ta bëjnë botën vend më të mirë. “Gjithkush – nënvizoi - mund të bëhet protagonist i paqes.