Kërko

 100 presepi in Vaticano 100 presepi in Vaticano

"100 Shpella Betlehemi në Vatikan", edicioni i shtatë i ekspozitës me temën e shpresës

Njëqind e njëzet e pesë vepra nga vende të Evropës dhe të botës do të ekspozohen në Kolonatin e Sheshit të Shën Pjetrit. Më 24 dhjetor, para fillimit të Vitit Shenjt, përurimi me Imzot Fisichella-n, disa anëtarë të Dikasterit për Ungjillëzimin dhe një përfaqësues të Bashkisë së Kryeqytetit, Romës. Ekspozita, një nga etapat e rikrijimit të "Jubileu është kulturë", do të jetë e hapur deri më 6 janar 2025

R. SH. / Vatikan

Ekspozita Ndërkombëtare “100 Skenat e Lindjes së Jezusit në Vatikan” rikthehet në edicionin e shtatë edhe këtë vit, pak ditë para hapjes së Jubileut 2025. Është ekspozitë që mbledh vepra të krijuara prej artistëve nga e gjithë bota, të cilët realizojnë krijimtarinë e tyre në paraqitjen e skenave të Lindjes. Shumë prej veprave të pranishme janë të frymëzuara nga tema “Shpresa, që nuk zhgënjen”, titull i Bulës së shpalljes së Vitit Shenjt. Është një nga fazat e ekspozitës Jubileu është kulturë.

Përurimi në kolonadën e Shën Pjetrit

Përurimi i ekspozitës së hapur për të gjithë, do të mund të ndiqet të diel, më 8 dhjetor, në orën 16:00, nën kolonadën e majtë të Berninit, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan ku, siç është tashmë traditë, vendoset ekspozita. Ky skenar unik paraqet skenat e shumta të lindjes së Krishtit, vepra të vërteta arti, në një kornizë që e fton vizitorin të mrekullohet edhe më shumë me skenën tradicionale të Lindjes së Krishtit. Përgatiten, kështu, zemrat, për fillimin e afërt të Jubileut, më 24 dhjetor 2024 .

Ekspozita do të përurohet nga Imzot Rino Fisichella, proprefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin dhe përgjegjës për organizimin e Jubileut, së bashku me disa anëtarë të Dikasterit dhe një përfaqësues të Bashkisë së Kryeqytetit romak, në bashkëpunim me të cilin u realizua ekspozita. Ceremonia do të gjallërohet me koncertin e këngëve të Krishtlindjes, nga Kori i Shkollës Franceze të Muzikës Chateaubriand të Romës dhe nga banda muzikore e Korpusit të Xhandarmërisë Shtetërore të Qytetit të Vatikanit, të cilët do ta shoqërojnë ngjarjen me disa këngë zyrtare.

125  Betleheme, nga Evropa dhe nga bota

Këtë vit do të ekspozohen 125 skena të lindjes së Krishtit, ardhur nga vende të ndryshme evropiane, si Franca, San Marino, Kroacia, Polonia, Gjermania, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Spanja dhe nga e gjithë bota, si Shtetet e Bashkuara, Kosta Rika, Venezuela, Brazili, Mali, Japonia, Filipinet, Tajvani, Paraguaj. Shqipëria mungon…

Shumë prej këtyre kombeve përfaqësohen nga ambasadat e tyre përkatëse në Selinë e Shenjtë, të cilët kanë marrë përsipër të promovojnë ngjarjen në vendet e tyre. Ndër këto janë ambasadat e Francës, San Marinos, Kroacisë, Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Tajvanit dhe Paraguajit.

Skenat e lindjes së Krishtit përmbledhin frymëzimin dhe imagjinatën e artistëve që i krijojnë me materiale shumë të ndryshme, si letra japoneze, mëndafsh, rrëshirë, polistiren, lesh, fibra kokosi, banane dhe qelqe. Ndërmjet punimeve me dorë, që vijnë nga mbarë bota, është edhe “Varka Jubilare”, një skenë e lindjes së Krishtit e prodhuar nga artistët e Shoqatës “Città dei Presepi” të Firences, e cila shpreh simbolikën e logos jubilare. Më pas, Lindja e Shën Mërisë, e Katedrales së Osakës, e paraqitur në ekspozitë me rastin e bashkëpunimit për praninë e Pavijonit të Selisë së Shenjtë në Expo Osaka 2025, përfaqësuar me materiale tipike të vendit japonez, si letra japoneze, kimono mëndafshi dhe dyshekë tatami. E, përmendim ende skenën e lindjes së Krishtit nga Shenjtërorja e Krishtit Shëlbues, në Rio de Zhaneiro, e realizuar me materiale natyrore, duke përfshirë fibrat e kokosit dhe të bananes. Do të ketë edhe një Lindje të Krishtit nga seksioni Caserta i Unionit Italian të Verbërve, në stilin napolitan, realizuar me dru e lëvore.

Hapja, deri më 6 janar 2025

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga ora 16:00 e së dielës 8 dhjetor 2024 deri në orën 19:30 të së hënës, 6 janar 2025. Hyrja për të gjithë kohëzgjatjen e ekspozitës do të jetë falas dhe pa pasur nevojë për rezervime. Ekspozita do të jetë e hapur çdo ditë, nga ora 10:00 deri në 19:30, me përjashtim të 24 dhjetorit dhe 31 dhjetorit, kur koha e mbylljes do të jetë në orën 17:00. Hyrja e fundit pritet gjithmonë jo më vonë se 15 minuta para mbylljes. Vullnetarët e Dikasterit për Ungjillëzimin do të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së manifestimit për të ofruar shërbimin e mirëseardhjes.

05 dhjetor 2024, 10:56