Viganò shkishërohet për përçarje
R. SH. - Vatkan
Kryeipeshkvi Carlo Maria Viganò, ish-nunc apostolik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori shkishërimin e vendosur nga zyra, mbasi e braktisi bashkimin me Ipeshkvin e Romës dhe me Kishën Katolike. “Më 4 korrik 2024 – lexojmë në deklaratën e lëshuar nga Dikasteri – Kongresi i Dikasterit për Doktrinën e Fesë u mblodh për të përfunduar gjykimin penal jashtëgjyqësor ex can. 1720 CIC kundër "Imzot Carlo Maria Viganò, kryeipeshkëv titullar i Ulpianës, "i akuzuar për krimin e rezervuar të skizmës (kann. 751 dhe 1364 CIC; neni 2 SST)".
"Janë të njohura - vijon komunikata - pohimet e tij publike përmes të cilave refuzohet njohja e Atit të Shenjtë dhe nënshtrimi ndaj Tij, bashkimi me anëtarët e Kishës, që i nënshtrohen Atij, si edhe legjitimiteti dhe autoriteti i Koncilit II Ekumenik të Vatikanit".
“Në fund të procesit penal”, Viganò “u shpall fajtor për krimin e rezervuar të skizmës. Dikasteri deklaroi shkishërimin latae sententiae ex can 1364 § 1 CIC. Heqja e censurës në këto raste i takon Selisë Apostolike”.
Vendimi iu komunikua Kryeipeshkvit më 5 korrik 2024.
Siç dihet, në 21 qershorin e kaluar ishte vetë prelati ai që bëri të ditur dekretin, përmes të cilit thirrej në Romë për t'iu përgjigjur akuzave, duke i dhënë mundësinë deri më 28 qershor të caktojë një avokat mbrojtës për ta përfaqësuar ose për të çuar deklaratën e mbrojtjes. Me qenë se kjo nuk ndodhi, iu caktua një mbrojtës publik, që e kreu mbrojtjen e Viganos sipas rregullave të ligjit.
Në disa raste, vitet e fundit, ish-nunci në SHBA ka deklaruar se nuk e njeh legjitimitetin e Papës dhe të Koncilit të fundit. Në shkishërimin latae sentencentiae arrihet për vetë faktin e kryerjes së krimit. Personit të shkishëruar i ndalohet të kremtojë Meshën dhe sakramentet e tjera; t’i marrë sakramentet; të kremtojë sakramentet e ceremoni të tjera kulti liturgjik; të ketë pjesë aktive në kremtimet e lartpërmendura; të ushtrojë detyra ose funksione shërbesash kishtare e të merret me akte qeveritare. Kuptimi i shkishërimit është, gjithsesi, dënim mjekësor, që të fton të pendohesh, e kështu pritet gjithnjë që personi të rikthehet në bashkim me Kishën.