Kërko

Piazza San Pietro Basilica San Pietro Piazza San Pietro Basilica San Pietro

Statute dhe rregullore të reja për Kapitullin e Bazilikës e të Fabrikës së Shën Pjetrit

Papa miratoi, me një Kirograf, rregullat e reja për Kapitullin e Bazilikës së Shën Pjetrit, frymëzuar nga parimet e Kushtetutës "Praedicate Evangelium". U botuan edhe Statuti e Rregulloret e Fabrikës së Shën Pjetrit.

R,SH. / Vatikan

Kapitulli i Bazilikës së Shën Pjetrit - domethënë grupi i kanonikëve që kujdeset për veprimtarinë e saj - ka një Statut të ri dhe një Rregullore të re. U miratuan nga Papa me një Kirograf të botuar sot, ku thuhet se normat që do të hyjnë në fuqi me botimin në L'Osservatore Romano, janë të frymëzuara nga parimet dhe kriteret e Kushtetutës Apostolike Praedicate Evangelium.

Shërbim për shtegtarët

Bazilika e Shën Pjetrit, e ndërtuar mbi varrin e Princit të Apostujve - shkruan Papa në Kirograf - "drejtohet nga një Kapitull Kanonikësh që ruajnë pamjen e saj dhe kujdesen për jetën shpirtërore, baritore, bamirëse dhe kulturore. Ky shërbim vihet, me vëmendje të veçantë, në shërbim të shtegtarëve të shumtë, të cilët, me devocion të sinqertë, dynden për të  shprehur fenë e tyre në vendin e Dëshmisë së Apostullit, por edhe për vizitorët e shumtë, që shpesh i përkasin kulturave dhe feve të ndryshme, e interesohen kryesisht për soditjen e bukurive artistike dhe arkitekturore të ruajtura në Tempullin e Vatikanit si dhe për mesazhin e krishterë, që  transmetojnë”.

Norma të reja për kanonikët dhe bashkëpunëtorët

“Procesi i përtëritjes” të jetës kapitullare, kujton Françesku, nisi tre vjet më parë me publikimin e Normave Kalimtare, më 28 gusht 2021. Këto norma pasqyrohen edhe në Reskriptin Papnor, që u bë i njohur sot, i cili sqaron disa aspekte të shërbimit të kryer nga kanonikët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Para së gjithash, konstatohet se të dyja palët, emëruar "pa kufizime kohore përpara hyrjes në fuqi të rregullave të reja” dhe që kanë mbushur ose do të mbushin moshën 80 vjeç, marrin "statusin e Kanonikëve të nderit dhe të  Bashkëpunëtorëve të nderit" si dhe “lirohen nga të gjitha detyrimet ndaj Kapitullit". 

Statuti dhe Rregullorja e Fabrikës së Shën Pjetrit

 Statuti dhe Rregullorja e Fabrikës së Shën Pjetrit u bënë të njohura sot,  njëkohësisht me ato të Kapitullit të Shën Pjetrit. Në një deklaratë të Drejtorisë së Komunikimit të Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit, nënvizohet se rregullat e miratuara janë rezultat i një procesi tashmë të nisur përpara ardhjes së Kardinalit Kryeprift Mauro Gambetti dhe i përvojës së fituar pas zbatimit të përkohshëm të rregullave, që kishin të bënin si me Fabrikën, ashtu edhe me Kapitullin. "Perspektiva që hapet - kujton njoftimi për shtyp - është ajo e gjallërimit më fitimprurës të Bazilikës, e sidomos, e ruajtjes dhe e përtëritjes së vazhdueshme për të mirëpritur miliona shtegtarë dhe vizitorë, që vijnë në Shenjtërore çdo vit, e që priten veçanërisht, në kremtimet e Jubileut".

01 korrik 2024, 10:59