Kërko

Marrëdhëniet midis Selisë së Shenjtë dhe Filipineve për të mirën e qytetarëve

Selia e Shenjtë beson në domosdoshmërinë absolute të dialogut si mjet për të kapërcyer konfliktet e kohës sonë”, pohoi imzot Gallagher në Manila, me rastin e Ditës së Papës, duke kujtuar fjalët e Atit të Shenjtë Françeskut sipas të cilit “dialogu mund ta mposht luftën”. “Tundimi për të braktisur dialogun dhe për t'u tërhequr në blloqe të fuqisë armiqësore reciproke nuk do të sjellë paqen dhe sigurinë që i duhet botës”.

R.SH. / Vatikan

Qëndrueshmëria e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Filipineve, për më shumë se shtatë dekada, është konkretizuar në bashkëpunimin e ndërsjellë në sektorë të panumërt për të mirën e popullsisë filipinase. Kështu deklaroi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, në fjalimin e tij mbajtur pranë Nunciaturës Apostolike në Manila me rastin e Ditës së Papës, me rastin e festës kombëtare të Selisë së Shenjtë në Filipine.

Imzot Gallagher, duke vizituar Filipinet, nga 1 deri më 5 korrik, kujtoi lidhjen e tij personale me vendin aziatik, ku në vitet 1990 ishte sekretar dhe më pas këshilltar i Nunciaturës Apostolike në Manila. “Filipinet kanë një rol shumë të rëndësishëm në Kishën Katolike – vuri në dukje kryeipeshkvi –. Filipinet kanë popullsinë e tretë më të madhe katolike në botë, pas Brazilit dhe Meksikës. Dhe katolikët filipinas, për shkak të shumë filipinasve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, po rigjallërojnë komunitetet katolike në çdo cep të botës”.

Imzot Gallagher kujtoi më pas vizitat e Papëve në Filipine: Pali VI më 1970, Gjon Pali II më 1981 dhe 1995 dhe Françesku më 2015. Mikpritja e këtij populli, sipas prelatit, do të manifestohet edhe me pjesëmarrjen e shumë filipinas në udhëtimin e radhës të Papë Françesku në Indonezi, Papua Guinea e Re, Timorin Lindor dhe Singapor.

Selia e Shenjtë beson në domosdoshmërinë absolute të dialogut si mjet për të kapërcyer konfliktet e kohës sonë”, pohoi imzot Gallagher, duke kujtuar fjalët e Papës Françeskut sipas të cilit “dialogu mund ta mposht luftën”. “Tundimi për të braktisur dialogun dhe për t'u tërhequr në blloqe të fuqisë armiqësore reciproke nuk do të sjellë paqen dhe sigurinë që i duhet botës”, shtoi Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, i cili në përfundim tha se ishte i sigurt se kjo vizitë në Filipine do të jetë një mundësi për të ripohuar se si Kisha Katolike Filipine vazhdon të jetë "një forcë për të mirën e shoqërisë, me shumë programe dhe iniciativa për të përmirësuar kushtet e njerëzve të mënjanuar dhe më të cenueshëm".

04 korrik 2024, 17:27