Kërko

Demokracia liberale, përballë sfidave globale

Në Lisbonë u hap e para "Shkollë verore" e organizuar nga universitetet katolike. Formimi – që nisi më 1 korrik dhe do të vazhdojë deri më 14 korrik në kampusin e Lisbonës të Universidade Católica Portuguesa, një nga partnerët e rrjetit Sacru – ndiqet nga gjashtëmbëdhjetë studentë, prej gjashtë universiteteve të Evropës, universiteti i Oqeanisë, i Amerikës Veriore dhe Jugore.

R.SH. / Vatikan

Dy javë për të reflektuar mbi temën “Demokracia përballë sfidave të autoritarizmit”: edhe kjo sfidë, e pranuar nga studentët pjesëmarrës në shkollën e parë verore, organizuar nga Aleanca Strategjike e Universiteteve Kërkimore Katolike (Sacru). Formimi – që nisi më 1 korrik dhe do të vazhdojë deri më 14 korrik në kampusin e Lisbonës të Universidade Católica Portuguesa, një nga partnerët e rrjetit Sacru – ndiqet nga gjashtëmbëdhjetë studentë, prej gjashtë universiteteve të Evropës, universiteti i Oqeanisë, i Amerikës Veriore dhe Jugore. Përveç profesorëve, nga universiteti portugez, kontribuojnë edhe profesorë nga Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit (Itali) dhe Universiteti Sophia (Japoni).

Programi synon të sigurojë përvojë arsimore të gjithanshme, duke kombinuar studimin akademik, me vizitat kulturore rreth Lisbonës. Kjo veprimtari e parë shkencore - shpjegojnë organizatorët - i kushtohet “sfidave të përhapura dhe të ngutshme që kërcënojnë aktualisht stabilitetin dhe tërheqjen e “demokracisë liberale” në një rend global gjithnjë e më të ndërlidhur, konkurrues dhe kompleks”. "Një sekuencë e furishme ngjarjesh me rëndësi globale" - nga sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe luftërat në Afganistan e Irak - tek pushtimi rus i Ukrainës dhe konflikti izraelito-palestinez, kriza globale e refugjatëve, valët e flukseve të pashembullta migratore dhe pandemia - "pati ndikim të rëndë mbi besimin dhe perceptimin e përshtatshmërisë së demokracisë liberale për të përballuar dinamikën e ndërlikuar të së tashmes".

Prandaj, akademikët dhe studentët janë të thirrur të reflektojnë se si duhet të përkufizohet demokracia liberale, si u zhvillua, çfarë ndërveprimesh u miratuan, çka shkoi keq, cilat kritika u bënë të njohura dhe cilat parime duhet të udhëheqin "rilindjen e përhershme demokratike".

Studentët e zgjedhur për të marrë pjesë në program, vijnë nga fusha të ndryshme: shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, bashkëpunimi dhe zhvillimi, historia, filozofia, drejtësia, infermieria, gjuhësia, ekonomia dhe psikologjia. Ky integrim i disiplinave të ndryshme - shpjegon Sacru - "pasuron përvojën e të mësuarit, favorizon kuptimin e përgjithshëm të çështjeve të ndërlikuara globale dhe tregon se  ndërdisiplinariteti është gur themeli i veprimtarisë sonë".

"Kjo shkollë verore pasqyron angazhimin e Sacru-s për të përfshirë brezat e rinj nga kontinente të ndryshme - komenton sekretari i përgjithshëm Pier Sandro Cocconcelli, zëvendësrektor i Cattolica - Programi do t'u ofrojë studentëve një përvojë që shkon përtej orëve të mësimit. Do të jetë mundësi unike për t'u ndjerë pjesë e një rrjeti global dhe për të ndërtuar lidhje të forta. Në të tashmen dhe të ardhmen e përcaktuar nga ndërkombëtarizimi, është themelore që Aleanca të vazhdojë të propozojë nisma të ngjashme”.

Nga ana e saj, Mónica Dias, drejtoreshë e Institutit të Studimeve Politike të Universidade Católica Portuguesa dhe e Shkollës Verore, thekson se «shumë nga sfidat që kërcënojnë aktualisht stabilitetin e shoqërive demokratike janë globale, si në natyrë, ashtu edhe në ndikim”. “Kjo është arsyeja pse nismat si Shkolla Verore Sacru kanë vlerë të jashtëzakonshme: u krijojnë ekspertëve dhe studentëve nga e gjithë bota mundësinë të bashkohen dhe të jetojnë përvoja unike, të ofrojnë perspektiva të ndryshme dhe të propozojnë zgjidhje novatore, duke përvetësuar një program që nxit kureshtjen shkencore dhe komunikimin e hapur”.

 (L'Osservatore Romano, Charles de Pehpeyrou)

05 korrik 2024, 12:17