Kërko

Çka do të thotë të jesh shtegtar?

A keni shtegtuar ndonjë herë! Me shkop e strajcë në dorë, si shtegtarët e të gjitha kohërave, që përshkonin e përshkojnë kontinetet për t’u gjunjëzuar para Zotit në vise ku bën mrekulli? Jeni nisur ndonjë herë për shtegtim? Në këmbë a me mjete të tjera, nën strehë, a nën qiellin e hapur…? A keni dëgjuar ndokënd të flasë për shtegtarin e shtegun që përshkon, për të kërkuar mëshirë?

R.SH. / Vatikan

Shtegtari, para së gjithash, është pendestar. Ai e di se pa mëshirën e Zotit nuk mund të shpëtojë, sepse mëkatet e kanë larguar tepër prej Atij të Lumit! Prandaj, dëshira për t’i shlyer e nxit të nisë shtegtimin.

Varfërisht e përvujtërisht ia nis, me ndihmën e Provanisë hyjnore, të kërkojë ndjesë e lehtësim për shpirtin e tij, duke e riorganizuar jetën në rrugën e bamirësisë së sinqertë, bujare, pa asnjë interes! Në çdo hap që bën, përsërit lutjen: "O Zot Jezu Krisht, ki mëshirë për mua, mëkatarin!". E këto fjalë nuk i thotë vetëm për vete, por edhe për mëkatet e mbarë njerëzimit, sepse me Krishtin dhe në Krishtin dëshiron të ecë, të vuajë, të jetojë bota mbarë. Shtegtari e di se Një i vetëm mund ta ndihmojë për  "një vdekje të mirë": Ai që i dha jetë. Ndaj ecën drejt Tij dhe është gati të humbasë gjithçka për Të.

Ata që nuk janë në gjendje të largohen nga shtëpia, mund të bëjnë shtegtime shpirtërore, me vetë Zotin: të ecin në shtigjet e shpirtit të tyre, të cilat ndoshta mëkati i ka bërë tejet të vështira, dhe të gjejnë ngushëllim te Jezusi, samaritani i mirë, që i shëron të gjitha plagët e hapura nga jeta.

Në Mesharin e Vich të vitit 1038 gjejmë lutjet që priftërinjtë i lartonin Zotit gjatë Meshës Shenjtë të shtegtimit. Në shërbim të shtegtarëve thirreshin Engjëjt, për t'u shërbyer, për t'u prirë në hapat e duhur dhe për t'i mbrojtur nga armiqtë; i drejtohej lutja mëshirës hyjnore, që të gjenin ndihmë në fatkeqësi dhe pastrimin e zemrave në ligështi.

Edhe sot në disa vende ruhen ritet e lashta, si “rituali i mbulimit të kokës me thes”, simbol i shtegtimit të varfanjakut  lutës, që të jetë gati të japë çka ka - e të marrë çka i mungon; e edhe “riti i imponimit të shkopit”, shenjë e mbështetjes hyjnore në lodhje e gjatë sulmeve të armikut. Tani shtegtari është gati: i fortë me besimin në Zotin dhe i varfër në pasuritë e botës, vihet përudhë drejt një caku, për të përfunduar shtegtimin shenjt.

Nga La Domenica, Don Luigi Bonarrigo

 

05 korrik 2024, 12:05