Kërko

Papa Francesco dona una terza ambulanza a un ospedale in Ucraina Papa Francesco dona una terza ambulanza a un ospedale in Ucraina

Ukraina, Papa Françesku i dhuron një spitali, ambulancën e tretë

Për të tetën herë, Kardinali lëmoshtar do të shtegtojë në vendin e Evropës Lindore, në distriktin Zboriv të rajonit të Ternopilit, për të dorëzuar në Spitalin Qendror një ambulancë të pajisur si qendër e lëvizshme reanimacioni. Kardinali do të çojë edhe ilaçe tejet të nevojshme për shpëtimin e jetëve, nga Farmacia e Vatikanit dhe Poliklinika Gemelli

R.SH. / Vatikan

Lutja dhe afërsia e Papës Françesku konkretizohen në ndihmën për ata që vuajnë nga pasojat shkatërruese të luftës. Do të jetë përsëri kardinali Konrad Krajewski, lëmoshtar i Shenjtërisë së Tij, që do ta dorëzojë dhuratën aq të nevojshme për jetën. Lëmoshtari do të përshkojë për të tetën herë 3 mijë km për të shkuar në veri të Detit të Zi, në rrethin Zboriv të rajonit të Ternopilit për ta dërguar ambulancën e pajisur si qendër e lëvizshme reanimacioni në Spitalin Qendror. Krajewski do të çojë edhe një sasi të madhe ilaçesh të domosdoshme për shpëtimin e jetëve, dhuratë e Farmacisë së Vatikanit dhe Farmacisë së Poliklinikës “Agostino Gemelli”. Mjet, për të mbështetur shpëtimtarët e të plagosurve.

Kujtojmë se në rajonin e Ternopilit, për shkak të vazhdimit të luftës, çdo ditë mbërrijnë autokolona të shumta që mbartin ushtarë të plagosur dhe civilë të detyruar të ikin nga zona kufitare me Rusinë, ku armiqësitë janë më të përgjakshmet. Kjo ambulancë do të jetë gjithashtu mjet i vlefshëm për të mbështetur shpëtimtarët e personave të lënduar. Gjatë këtij misioni të ri, Lëmoshtari, në emër të Papës, do të përurojë edhe qendrën e rehabilitimit “Shën Gjon Pali II”, ndërtuar në Dioqezën Katolike Romake të Kamyanets-Podilskyy, për rehabilitimin integral, fizik dhe psikologjik të atyre që pësuan traumat e rënda të luftës. Qendra të tjera të ngjashme, sipas kërkesës së Papës Françesku, u krijuan me kontributin e disa fondacioneve papnore, si Kisha në Nevojë dhe Fondacioni Papnor.

Qendra të hapura për të gjithë

Këto qendra, siç mëson Papa Françesku, janë të hapura për “të gjithë”, pa asnjë dallim feje e kombësie dhe pa asnjë përjashtim. Mjekimi u ofrohet jo vetëm të gjithë atyre që pësuan plagë në betejë, por edhe të dashurve, grave dhe fëmijëve të tyre, për të mbështetur familjet ukrainase në këtë kohë dramatike.

Qendra Shën Gjon Pali II, e cila do të përurohet në ditët e fundit të qershorit nga Kardinali Krajewski dhe dhurimi i ambulancës e i ilaçeve, janë gjeste mëshire me të cilat Papa Françesku na kujton se feja nuk është e pakorp, por merr përsipër situata të vështira të vëllezërve më të varfër dhe më të brishtë, si Samaritani i Mirë, që kujdesej për njeriun e sulmuar, të gjakosur dhe të flakur pa pikë mëshire buzë rrugës, domethënë në skutat e historisë. Këto gjeste konkrete dhembshurie synojnë të hapin rrugën drejt mëshirës për të arritur hirin e faljes.

24 qershor 2024, 12:35