2024.06.28 Riunione dei vescovi tedeschi con membri della Curia romana in Vaticano (28 giugno 2024) 2024.06.28 Riunione dei vescovi tedeschi con membri della Curia romana in Vaticano (28 giugno 2024)

Takimi i ri i Kuries Romake me ipeshkvijtë gjermanë në Vatikan: qendra, sinodaliteti

Komunikatë e përbashkët e Selisë së Shenjtë dhe Konferencës Ipeshkvnore Gjermane: vijon dialogu i nisur në vitin 2022. Në qendër të bisedës, marrëveshja e marsit për të vënë në jetë forma konkrete të ushtrimit të Sinodalitetit të Kishës në Gjermani. Nga Kuria kërkohen ndryshime në emër dhe aspekte të tjera të propozimit për një organ të mundshëm sinodal kombëtar, marrëveshje që të mos jetë mbi ose në të njëjtin nivel me Konferencën Ipeshkvnore.

R.SH. / Vatikan

Në përputhje me dëshirat e Papës Françesku, përfaqësuesit e Kuries Romake dhe të Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë (CET) u takuan dje, 28 qershor 2024, në Vatikan për bisedime të mëtejshme. Dialogu, i cili filloi me vizitën ad limina të ipeshkvijve gjermanë në nëntor 2022 dhe vazhdoi deri në takimin e fundit më 22 mars 2024, vazhdon...

Format konkrete të ushtrimit të sinodalitetit

Dialogu, i cili zgjati një ditë - shkruhet në një notë të përbashkët, lëshuar në mbrëmje - u karakterizua edhe një herë nga një atmosferë pozitive, e hapur dhe konstruktive. Baza ishte marrëveshja e datës 22 mars 2024, e cila parashikon zhvillimin e formave konkrete të ushtrimit të sinodalitetit në Kishën në Gjermani, në përputhje me eklesiologjinë e Koncilit II të Vatikanit, dispozitat e së drejtës kanonike dhe frytet e Sinodit të Kishës Universale, për t’iu paraqitur Selisë së Shenjtë për miratim.

Mbledhja e Komitetit Sinodal

Në shkëmbim, ipeshkvijtë informuan për mbledhjen e fundit të Komitetit Sinodal - organizëm i përkohshëm pune - gjatë së cilës u diskutuan bazat teologjike dhe mundësia e krijimit ligjor të një organi sinodal kombëtar. Takimi u përqëndrua në marrëdhëniet ndërmjet ushtrimit të shërbesës ipeshkvnore dhe nxitjes së bashkëpërgjegjësisë së të gjithë besimtarëve, veçanërisht në aspektet e së drejtës kanonike për vendosjen e një forme konkrete sinodaliteti në Kishën e Gjermanisë. Dëshira dhe angazhimi për të forcuar sinodalitetin në jetën e Kishës është i përbashkët, me synimin për ungjillizim më efektiv.

Ndryshime në propozimin për një organ sinodal kombëtar

Një komision i krijuar nga Komiteti Sinodal - vazhdon deklarata - do të shqyrtojë çështjet që kanë të bëjnë me sinodalitetin dhe strukturën e një organi sinodal. Do të punojë në lidhje të ngushtë me një komision të ngjashëm, të përbërë nga përfaqësues të ministrive kompetente për hartimin e një drafti. Dolën dy aspekte të rëndësishme për përfaqësuesit e Kuries Romake: ata do të dëshironin të shihnin një ndryshim në emër dhe në disa aspekte të propozimit të formuluar më parë për një organ të mundshëm sinodal kombëtar. Përsa i përket qëndrimit të këtij organi, ka një marrëveshje për faktin se ai nuk është as mbi dhe as në të njëjtin nivel me Konferencën Ipeshkvnore.

Bisedimet e ardhshme pas Sinodit

U diskutua edhe çështja e përbërjes së ardhshme të delegacionit të Konferencës Ipeshkvnore Gjermane që merr pjesë në dialogun ndërmjet përfaqësuesve të Kuries Romake dhe atyre të vetë Konferencës Ipeshkvnore. Bisedimet do të vazhdojnë pas përfundimit të Sinodit të Kishës universale. Do të diskutohen edhe tema të tjera të natyrës antropologjike, kishtare dhe liturgjike.

Pjesëmarrësit

Të pranishëm për Kurien Romake ishin kardinajtë Victor Manuel Fernandéz, Kurt Koch, Pietro Parolin, Robert F. Prevost, OSA, Arthur Roche dhe Kryepeshkopi Filippo Iannone. Për ipeshkvninë gjermane folën ipeshkvijtë Georg Bätzing, Stephan Ackermann, Bertram Meier dhe Franz-Josef Overbeck, përkatësisht kryetar i CET dhe kryetarët e Komisioneve Episkopale për Liturgjinë, për Kishën Universale, për Fenë si dhe për Sekretarinë e Përgjithshme, Sekretari Beate Gilles dhe zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore, Matthias Kopp.

29 qershor 2024, 15:23