2024.06.06 Incontri Teologici del Mediterraneo 2024 Relatori 2024.06.06 Incontri Teologici del Mediterraneo 2024 Relatori

Takime Teologjike 2024, krishterimi dhe islami në shërbim të vëllazërisë

U shpall tema dhe relatori i Takimeve të treta Teologjike Mesdhetare, që do të organizohen nga 14 deri më 20 korrik nga kryeipeshkvia kroate e Rijekës (Rijeka) e që të kujtojnë Dokumentin e Vëllazërimit Njerëzor të Abu Dhabit. Janë hapur tashmë edhe regjistrimet për 40 studentë të teologjisë dhe doktoraturës: katolikë, protestantë, ortodoksë, e edhe islamikë. Edhe Pesë docentët janë studiues të feve të ndryshme të krishtera dhe myslimane.

R.SH. / Vatikan

“Krishterimi dhe islami: në shërbim të vëllazërisë, në një botë të ndarë”: kjo, tema e zgjedhur për edicionin e tretë të Takimeve Teologjike Mesdhetare. Një javë me leksione, punë në grupe dhe debate publike për 40 studentë të teologjisë së Ballkanit dhe Vendeve evropiane: katolikë, ortodoksë, protestantë dhe islamikë, organizuar nga kryeipeshkvia kroate e Rijekës (Rijeka). Nga data 14 deri më 20 korrik 2024, në shtëpinë baritore Domus Laurana, në Lovran, në brigjet e Adriatikut, pesë pedagogët, të cilët do të japin mësim dhe do të udhëheqin punën në grup, do të jenë gjithashtu katolikë, ortodoksë, protestantë dhe islamikë.

Sfida e dialogut ndërmjet Krishterimit dhe Islamit

“Bashkëjetesa e Krishterimit me Islamin në Mesdhe ishte dhe mbetet sfidë e përhershme - shpjegojnë organizatorët, të koordinuar nga Kryeipeshkvi i Rijekës, Mate Uzinić - e sot kjo sfidë është forcuar më tej nga globalizimi, migrimi, situata demografike dhe populistët politikë. "Takimet teologjike mesdhetare të këtij viti, duke rishfletuar Dokumentin historik kushtuar Vëllazërisë Njerëzore, nënshkruar më 4 shkurt 2019 në Abu Dhabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azhar Al-Tayeb, "do të analizojnë mundësitë për marrëdhënieje të frytshme të krishterimit me Islamin dhe do të reflektojnë mbi dialogun ndërfetar, parë si mjet kyç për të ardhmen”.

Studentë dhe mësues, të krishterë dhe myslimanë

Pikërisht për të pasuruar reflektimet teologjike të këtyre takimeve dhe për t'i bërë të hapura nga pikëpamja ekumenike dhe ndërfetare, mësuesit, përveç atyre katolikë, do të jenë edhe teologë ortodoksë, protestantë dhe islamikë. Po kështu, mund të regjistrohen  edhe studentët e vitit të tretë, të katërt dhe të pestë, studentët e fakulteteve teologjike katolike, protestante, ortodokse dhe islame si dhe studentët pasuniversitarë në teologji. Të gjithëve u ofrohet dhomë dhe ushqim falas. Për të aplikuar, duhet të plotësohet formulari i gjetur në këtë link deri më 20 qershor. Mësimet do të mbahen në gjuhën angleze. Pranohen gjithsej 40 studentë.

Pesë relatuesit e edicionit të tretë të Takimeve

Ndërmjet pesë ligjëruesve të ftuar është kroati Tomislav Kovač, profesor i teologjisë themelore dhe drejtor i Departamentit të Teologjisë Themelore në Fakultetin Katolik të Teologjisë në Zagreb. Merret me marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe feve të tjera, në veçanti, me dialogun kristian-mysliman. Është autor i librit “Mbi dialogun ndërfetar në këndvështrimin katolik. Një vështrim mbi konceptet dhe mësimet themelore të Kishës (2023)”. I pranishëm, edhe protestanti Ulrich Schmiedel, profesor i krishterimit global në Universitetin e Lundit, në Suedi, i specializuar në teologjinë publike dhe politike. Studion rolin e feve në hapësirën publike, potencialin e tyre për sfidat me të cilat përballen shoqëritë bashkëkohore, veçanërisht sfidën e migrimit. Ka botuar librin “Terrori dhe teologjia: diskutim teorik fetar i dekadës 9/ 11 (2021).

Ndërmjet mësuesve janë edhe dy gra, nga Selaniku dhe Sarajeva

Me studentët do të dialogojë edhe ortodoksja greke Angeliki Ziaka, profesoreshë e studimeve fetare dhe kryetare e Komisionit të Studimeve Islame në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit Aristotele të Selanikut. Interesohet kryesisht për dialogun ndërfetar, veçanërisht për marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe islamit. Ndër librat e saj kujtojmë: Dialogu Ndërfetar: Takimi i Krishterimit me Islamin (2016) dhe Edukimi Fetar Ndërkulturor e Studimet Islame. Sfidat dhe perspektivat në Greqi, Evropë dhe SHBA (2016).

E pranishme, edhe Zilka Spahić-Šiljak, profesoreshë e studimeve gjinore, drejtoreshë akademike e Qendrës Universitare të Burimeve Gjinore (UNIGeRC) të Universitetit të Sarajevës, drejtuese e Fondacionit TPO Sarajevo dhe Shkollës FER. Interesohet për temat e gjinisë, fesë, të drejtave e njeriut, politikës dhe ndërtimit të paqes. Në librat e saj takohemi me gratë, fetë, politikën, analizën e ndikimit të Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit në pjesëmarrjen e grave në sferën publike dhe politikën e Bosnjë-Hercegovinës (2007).

Për herë të parë ndër takime, edhe një hoxhë

Së fundi, do të jetë i pranishëm edhe Benjamin Idrizi, hoxhë i bashkësisë islame të Penzbergut, në Gjermani: doktor në teologjinë islame, kryeson Forumin e Mynihut për Islamin (MFI), është anëtar i Këshillit të Fesë të Mynihut dhe do të jetë i pranishëm në Lovran. Do të trajtojë çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me Islamin bashkëkohor. Është autor dhe redaktor i disa librave, duke përfshirë Islamin me fytyrë evropiane (2010), Mirë se vini në Gjermani! – Udhëzime migrantëve myslimanë për bashkëjetesë të suksesshme në Gjermani (2016), Kurani dhe gratë - Aspektet e harruara të Islamit nga një imam (2019) dhe Si të kuptojmë Kuranin, zoti Imam - Kuptim i Islamit këtu dhe tani (2021) .

08 qershor 2024, 11:12