Vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Parolin në Liban
R.SH. / Vatikan
Sipas njoftimit të një tweeti të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dje, e edhe pohimit të vetë sekretarit të Shtetit ditët e fundit, sot më 23 qershor, filloi vizita e kardinalit Pietro Parolin në Liban. Janë planifikuar takime me autoritetet, me Patriarkanën Maronite, Kishën vendase, Patriarkët dhe udhëheqësit fetarë. “Prej kohe - kujtoi Kard. Parolin në përfundim të takimit “Bisedime për Paqen” në Senat - isha ftuar nga Urdhri i Maltës për të shkuar dhe për të vizituar veprat e tyre, me ndikim të madh shoqëror në një situatë krize të përgjithshme. Kriza libaneze është 360° dhe sigurisht do të ketë përpjekje, siç ka bërë gjithnjë diplomacia e Selisë së Shenjtë, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje institucionale”.
Nesër, më 24 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të kremtojë Meshën në solemnitetin e Shën Gjon Pagëzuesit, Pajtor i Urdhrit të Maltës, në prani të ambasadores së Urdhrit në Liban, Maria Emerica Cortese dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. Kardinali do të largohet sërish më 27 qershor pas vizitës në disa nga qendrat humanitare të drejtuara nga Shoqata libaneze e Urdhërit dhe pjesëmarrjes në disa veprimtari
Angazhimi i Urdhrit të Maltës
Për më se 70 vjet, Urdhri i Maltës - lexojmë në një deklaratë - ka qenë në vijën e parë të ndihmës shëndetësore dhe shërbimeve të mbështetjes sociale për popullatën. Që nga viti 2020, Urdhri e përqendroi veprimtarinë në projektet "agro-humanitare" për të garantuar sigurinë ushqimore, për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të mbështetur shtresat më të prekura të popullsisë në Liban. Urdhri i Maltës drejton gjashtë qendra agro-humanitare në një vend ku kujdesi aktual i tokës bujqësore ka të bëjë me 69.26% të territorit (afërsisht 158 kilometra katrore), me synimin për të arritur në 75% deri në fund të këtij viti. Është një mënyrë për t'iu përgjigjur krizës së rëndë ekonomike të vendit ku 80% e popullsisë jeton në një gjendje varfërie dhe pasigurie në rritje.