Sinodo dei Vescovi - XVI Congregazione Generale, 2023.10.23 Sinodo dei Vescovi - XVI Congregazione Generale, 2023.10.23

Sinodi, një Kishë e gjallë dhe lëvizëse

Përfunduan punimet e grupit të teologëve e teologeve në kuadër të sesionit së dytë të Asamblesë së përgjithshme të zakonshme të XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, e cila do të mbahet nga data 2 deri më 27 tetor. Vijon shqyrtimi lidhur me hartimin e Instrumentum laboris

R.SH. / Vatikan

“Farët e Kishës Sinodale po mbijnë tashmë”, e përvoja sinodale vazhdon “mes përgjigjeve entuziaste dhe krijuese, por edhe rezistencës e shqetësimeve”: kështu u shpreh kardinali jezuit Jean-Claude Hollerich, raportues i përgjithshëm i Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, në përfundim të punës së grupit të teologëve që punuan nga data 4 deri më 14 qershor mbi raportet e marra nga sekretaria e përgjithshme e Sinodit, në funksion të seancës së dytë të së njëjtës Asamble sinodale, që do të mbahet nga 2 deri më 27 tetor.

Reflektim me gamë të gjërë

Konkretisht, grupi i teologëve (burra, gra, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë) nga kontinente të ndryshme punoi në selinë e sekretarisë së përgjithshme të Sinodit mbi 106 raportet e Konferencave Ipeshkvnore dhe të Kishave Katolike Lindore, mbi kontributin e Bashkimit Ndërkombëtar të Eprorëve të Mëdhenj dhe Bashkimit Ndërkombëtar të Eprorëve të Përgjithshëm si dhe mbi 175 vërejtjet e marra nga subjekte ndërkombëtare, fakultete universitare, shoqata të bashkësive dhe të besimtarëve si edhe ato individuale. Një tjetër burim i rëndësishëm reflektimi ishte ai i raporteve të paraqitura nga priftërinjtë që morën pjesë në mbledhjen treditore "Famullitarët për Sinodin", mbajtur nga 29 prill deri më 2 maj.

Vëmendja ndaj të varfërve, ndër temat më të përsëritura.

Nga i gjithë ky material del "një Kishë e gjallë dhe lëvizëse", nënvizon në një shënim sekretaria e përgjithshme e Sinodit, duke kujtuar temat më të përsëritura, si "stërvitja në sinodalitet, funksionimi i organeve të pjesëmarrjes, roli i gruas, i të rinjve, vëmendja ndaj të varfërve, inkulturimi, transparenca dhe kultura e llogaridhënies nga ana e atyre që marrin shërbesë në Kishë, por edhe katekizimi, bashkëpunimi ndërmjet kishave, figura e ipeshkvit”.

Jo, imponimit të mendimit vetjak për Kishën

Nëse nga njëra anë kemi "përvojën e njerëzve që jetuan një kthesë të fortë personale", nuk mungojnë as ata "që vazhdojnë të jetojnë të shqetësuar apo të pushtuar nga ankthi". Në veçanti - kujton kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit - "ekziston frika se ajo që dërgohet nuk do të merret seriozisht ose se ideologjitë dhe lobet e besimtarëve mund të shfrytëzojnë procesin e sinodit për të imponuar axhendën e tyre". Ndaj, kardinali rithekson se tetorin e ardhshëm Asambleja e Sinodit nuk do të përqendrohet “tek një temë apo një tjetër, por te sinodaliteti, tek përpjekja për të qenë Kishë misionare për udhë. Të gjitha pyetjet teologjike dhe propozimet baritore për ndryshime kanë këtë qëllim”. Prandaj, secili pjesëmarrës në Asamble do ta ndjejë veten "në udhëtimin e nisur në vitin 2021 e do të sjellë "zërin" e popullit të Zotit, nga i cili  vjen, për të dalluar vullnetin e Zotit për Kishën e Tij", dhe jo "për të imponuar vizionin e dikujt për Kishën".

Etapat e Instrumentum laboris

Për sa i përket procesit të hartimit të Instrumentum laboris, do të vazhdojë me faza të tjera: shqyrtimi i parë, mbi atë që është përpunuar deri tani, do të pasohet nga hartimi i tekstit, verifikimi i tij "i gjerë", miratimi i zakonshëm dhe paraqitja e dokumentit tek Papa, për miratim përfundimtar. Lidhur me këtë, Imzot Riccardo Battocchio, sekretar i posaçëm i Asamblesë XVI, thekson se Instrumentum laboris i ardhshëm do të jetë i ndryshëm nga ai i mëparshmi: nga i pari dolën temat që do të trajtohen; ndërsa i dyti "synon të nxjerrë në pah disa nyje që duhen zgjidhur për t'iu përgjigjur pyetjes ‘Si të jesh Kishë sinodale në mision’, duke përfshirë rrugën e ndjekur deri tani dhe duke propozuar argumente të bazuara teologjikisht së bashku me disa propozime konkrete, për të ndihmuar aftësinë dalluese besuar anëtarëve të Asamblesë”.

14 qershor 2024, 15:12