Kërko

Sinodi, fillojnë punimet për Instrumentum laboris 2

Rreth njëzet teologë nga e gjithë bota mbërritën në Romë për të filluar punën për krijimin e dokumentit të punës së sesionit të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të XVI të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve.

R.SH. / Vatikan

Me dokumentin Drejt tetorit 2024  dërguar dhjetorin e kaluar të gjithë ipeshkvijve të botës, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit u kërkoi Kishave lokale dhe përfaqësuesve të grupeve të Kishave të thelloheshin në disa aspekte të Raportit Përmbledhës, që janë themelore për temën e Sinodit, duke filluar nga një pyetje bazë e gjithë procesit sinodal të Kishës: «SI të jesh Kishë sinodale në mision?». Muajt ​​e fundit, Kishat vendore individuale e kanë kryer punën e tyre duke dërguar kontributin përmes Konferencave Episkopale, Kishave Katolike Lindore dhe Takimeve Ndërkombëtare të Konferencave Episkopale.

Kard. Grech: Kisha Sinodale, një realitet i gjallë

"Jam veçanërisht i befasuar kur shoh përfshirjen e të gjithë komunitetit kishtar në këtë proces të gjatë shqyrtimi e shoshitjeje," thotë kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit. “Përveç reflektimeve që rezultojnë nga puna mbi Raportin Sintezë të Sesionit të Parë, materiali që kemi marrë shpesh shton edhe dëshmi reale se si Kishat vendore jo vetëm që e kuptojnë sinodalitetin, por po e vënë tashmë në praktikë. Kisha Sinodale nuk është një ëndërr për t'u realizuar, por tashmë është një realitet i gjallë që gjeneron kreativitet dhe modele të reja marrëdhëniesh brenda të njëjtit komunitet lokal ose ndërmjet Kishave apo grupimeve të ndryshme të Kishës".

Kontributet e Usg dhe Uisg dhe famullitarët

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit mori gjithashtu edhe kontributet nga Unioni Ndërkombëtar i Eprorëve të Përgjithshëm (UISG) dhe Unioni i Eprorëve të Përgjithshëm (USG), si dhe nga një numër i mirë vëzhgimesh, të ardhura nga subjekte ndërkombëtare, fakultete universitare, shoqata besimtarësh apo komunitete të veçanta dhe individë. Një burim tjetër i rëndësishëm reflektimi do të jenë edhe raportet e paraqitura nga famullitarët gjatë mbledhjes treditore të famullitarëve, mbajtur kohëve të fundit, në takimin Famullitarët për Sinodin.

Nga e marta, 4 qershor 2024, grupi i teologëve, ekspertë të disiplinave të ndryshme (dogmatikë, ekleziologji, teologji baritore, e drejta kanonike etj.), do të analizojë të gjithë këtë material. “Nuk po i lëmë asgjë rastësisë. Çdo dokument duhet lexuar me kujdes me synimin për të propozuar, në fund të procesit, një tekst që pasqyron punën, pyetjet dhe intuitat e marra nga baza”, thekson kardinali Grech.

Analiza e parë

Nga ana e tij, At Giacomo Costa, Sekretari i Posaçëm i Asamblesë XVI, saktëson: “Nuk është ende fjala për përpilimin e Instrumentum laboris për Sesionin e Dytë të Sinodit mbi Sinodalitetin, por për një analizë fillestare të marrëdhënieve dhe praktikave të mira që janë vënë në jetë nga komunitetet kishatre lokale, dhe një shoshitje të përbashkët mbi çështjet dhe reflektimet teologjike për të përgatitur pastaj rugën për përpilimin e dokumentit Instrumentum laboris”.

Puna e këtij ekipi ndërkombëtar, e cila zhvillohet me dyer të mbyllura, filloi me një tërheqje shpirtërore gjysmë ditore dhe do të vazhdojë deri më 13 qershor. Ditët karakterizohen nga momente të ndryshme pune (në mënyrë individuale, në seancë plenare dhe në grup). Kremtimi i përditshëm i Eukaristisë dhe momentet e lutjes personale sigurojnë që puna të zhvillohet në klimën e kërkuar për aftësi shoshitjeje.

Hapat e ardhshëm

Procesi i zhvillimit të dokumentit Instrumentum Laboris do të vazhdojë me faza të tjera: pasi të jetë identifikuar struktura e dokumentit të ardhshëm, falë artikulimit të materialit të marrë nga teologët, Këshilli i Zakonshëm do të bëjë një shoshitje të parë të asaj që është përpunuar. Fazat e hartimit të dokumentit aktual dhe sistemi i gjerë i verifikimit do të vijojnë deri në miratimin nga Këshilli i Zakonshëm i dokumentit që do t'i paraqitet Atit të Shenjtë për miratim përfundimtar. Publikimi i tekstit pritet brenda dhjetëditëshit të parë të korrikut. Njoftimet në lidhje me këtë do të jepet në kohën e duhur.

06 qershor 2024, 13:27