Sinodi, diskutimi i parë mbi Instrumentum laboris të ri
R.SH. / Vatikan
Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit ka botuar një deklaratë për shtyp për versionin e parë të Instrumentum Laboris, instrumenti i punës për Sesionin e Dytë të Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve.
Stili i sinodalitetit që aplikohet në punën përgatitore është duke përcaktuar rrugëtimin drejt Sinodit të ri, në program nga data 2 deri në 27 tetor të ardhshëm. Është fjala për stilin të cilin e kanë përjetuar ekspertët gjatë shqyrtimit të dokumentit Instrumentum Laboris që shërben për takimin e ardhshëm të Sinodit. Pas mbledhjes së teologëve, e cila u mbajt nga 4 deri më 14 qershor të kaluar, u hartua një version i parë i dokumentit Instrumentum Laboris dhe përveç anëtarëve të Këshillit të Sinodit, ky tekst i parë - sipas një njoftimi të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve – "u është dërguar edhe shtatëdhjetë personave tjerë, që përfaqësojnë mbarë popullin e Zotit (meshtarëve, rregulltarëve, laikëve, përfaqësuesve të realiteteve kishtare, teologëve, punëtorëve të baritorisë dhe një numri të konsiderueshëm barinjsh) më mbarë botësn, me ndjeshmëri të ndryshme kishtarë dhe "shkolla” teologjike të larmishme.
Parimi i rrethores
Ky "konsultim i gjerë", shpjegon kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sekretarisë së Sinodit, ka për qëllim "një përafrim dhe përkim me parimin e qarkullimit (ajo që vjen nga baza, kthehet tek baza) që ka karakterizuar edhe të gjithë procesin sinodal. Ky verifikim i materialit të përpiluar në dritën e raporteve të marra nga realiteti i Kishave vendore, synon gjithashtu të jetë një ushtrim, nga ana e Sekretarisë së Përgjithshme, të asaj llogaridhënieje që karakterizon Kishën sinodale dhe që, jam i sigurt thotë kard. Grech, do të dëshmojë vërtetësinë e punimeve sinodale".
Një stil i adoptuar nga famullitë kishtare
Në takimin e anëtarëve të Këshillit të Sinodit, vijon njoftimi, u diskutua edhe për ecurinë e procesit sinodal, veçanërisht në këtë kohë ndërmjet dy seancave të Kuvendit të Sinodit. Nga raportet e anëtarëve të Këshillit, lexojmë se “shfaqet një ndjenjë e përgjithshme mirënjohjeje dhe besimi për rrugën e bërë. Relacioni Përmbledhës i Sesionit të Parë të Sinodit u prit mirë nga komunitetet lokale sepse ishte besnik ndaj fryteve të dëgjimit të tyre. Nisma për të thirrur disa famullitarë në Romë gjithashtu u vlerësua shumë, jo vetëm sepse u respektua një indikacion i dhënë nga Asambleja e Sinodit e tetorit të vitit 2023, por sepse takimi mundësoi dëgjimin e vërtetë të mbi 200 famullitarëve të mbledhur në Sacrofano, afër Romës, tani të ngarkuar nga Papa Françesku me një mandat të vërtetë misionarësh sinodalë”. "Metoda e bisedës në Shpirt", domethënë “biseda shpirtërore” që krijon një atmosfere besimi dhe pranimi, në mënyrë kjo ‘Metodë në Shpirt’ që u ofron mundësinë njerëzve të mund të shprehen më lirshëm, mori një vlerësim të mëtejshëm, metodë kjo e cila, siç nënvizohet në njoftim, "është miratuar e madje edhe përdorur në mjaft dioqeza si një metodë "punuese" në këshillat e dioqezave dhe të famullive kishtare, e deri edhe në mbledhjet e Konferencave Episkopale vendore. “Është dhurata më e bukur e këtij sinodi”, pohoi njëri nga pjesëmarrësit.
Sinodi dhe Jubileu 2025
Puna e këtij viti, pavarësisht shkurtësisë së kohës në dispozicion, ka ndihmuar besimtarët të kuptojnë se ky Sinod ka të bëjë me sinodalitetin dhe, saktësohet në njoftim, nuk “synon zgjidhjen e këtij apo atij problemi, por synon të hyjë në një dinamikë të konvertimit baritor, sipas një stili të qenies dhe të jetuarit të misionit në Kishë, duke besuar në mbështetjen e Shpirtit Shenjt Zot. Së fundi, nga takimi i anëtarëve të Këshillit të Sinodit doli qartë në pah ftesa për ta lidhur më mirë procesin aktual sinodal me rrugën e përgatitjes për Jubileun 2025, duke filluar para së gjithash nga lutja”.
Pas punës së Këshillit të anëtarëve të Këshillit të Sinodit dhe verifikimit të gjerë, një version i ri i Instrumentum Laboris, përfundon njoftimi, "do të përpilohet dhe do t'i dërgohet sërish Këshillit të Përgjithshëm për miratim. Dokumenti i ri më pas do t'i dorëzohet Atit të Shenjtë për miratimin përfundimtar. Publikimi i tekstit pritet brenda dhjetëditëshit të parë të korrikut. Informacioni në lidhje me këtë do të jepet në kohën e duhur”.