Selia e Shenjtë, të luftohet përhapja e paligjshme e armëve të vogla
R.SH. - Vatikan
"Përhapja e paligjshme dhe përdorimi jo i duhur i armëve të lehta dhe të kalibrit të vogël përfaqëson një nga kërcënimet më urgjente për sigurinë në nivelin kombëtar, rajonal dhe global", prandaj Selia e Shenjtë ripohon "mbështetjen e saj për zbatimin e Programit të Veprimit" për të parandaluar, luftuar dhe çrrënjosur tregtinë e tyre, si dhe zbatimin e instrumenteve të tjera, si Deklarata Politike për përdorimin e armëve shpërthyese në zonat e banuara dhe Iniciativa për të heshtur armët." Kështu tha Imzot Robert Murphy, këshilltar pranë përfaqësisë së Selisë së Shenjtë në OKB, në kuadër të Konferencës së Katërt të rishikimit të “Programit të Veprimit për Armët e Vogla dhe të Lehta dhe Instrumentin Ndërkombëtar të Gjurmimit”, në Nju Jork.
“Dhjetëra mijëra njerëz”, shton Imzot Murphy, “vriten ose plagosen në konflikte për shkak të këtyre “armëve të shkatërrimit në masë me lëvizje të ngadaltë”, por edhe në zona jashtë luftërave. Janë fëmijët, nënvizon më tej këshilltari pranë përfaqësisë së Selisë së Shenjtë në OKB, “të cilët preken në mënyrë disproporcionale”: këto armë “zakonisht përdoren për të kryer shkelje të rënda” ndaj tyre, si rekrutimi, rrëmbimi dhe dhuna. Selia e Shenjtë ripohon "rëndësinë e një qasjeje që i përgjigjet në mënyrë efektive nevojave reale të grave dhe fëmijëve viktima të një dhune të tillë".
Nga L’ Osservatore Romano