Një punëtor në minierat e Senegalit (AFP) Një punëtor në minierat e Senegalit (AFP)  (AFP or licensors)

Selia e Shenjtë: edhe bota e punës ka nevojë për ekonominë e kujdesit

Kryeipeshkvi Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, duke folur në sesionin e 112-të të Konferencës ndërkombëtare të punës, nënvizoi: padrejtësia është shumë e përhapur në disa zona të botës, posaçërisht në Afrikën Sub-Sahariane, ku më se '80% e atyre që zhvillojnë ndonjë veprimtari, jeton në varfëri të plotë, pa asnjë mbrojtje sociale.

R. SH. - Vatikan

Njerëzit e gjithë botës mund “ta pranojnë dhe ta mbrojnë" rëndësinë e punës dinjitoze, në rrugën drejt një ekonomie e cila - duke kujtuar fjalët e Papës - mund të quhet para së gjithash "kujdes". Kështu u shpreh dje Imzot Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, në sesionin e 112-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës.

Në nivel global - vuri në dukje nunci apostolik- "ndikimi i vazhdueshëm dhe i thellë i pabarazive sociale" është i dukshëm: në Afrikën Sub-Sahariane, mbi 80% e fuqisë punëtore varet nga sektori informal, me mungesë të mbrojtjes sociale e me varfëri të plotë. Aspekte të ngjashme duken edhe në Azinë Jugore, Amerikën Latine, Karaibe. Në shumë rajone - shtoi - gratë vazhdojnë të jenë të pafavorizuara në tregun e punës, ndërsa mungesa e punësimit i shtyn të rinjtë drejt rrugëve të drogës dhe të krimit. Pastaj ka miliona njerëz që emigrojnë në kërkim të punës ose detyrohen të ikin për shkak të luftërave nga Ukraina - në Gaza, të dhunës, të ndryshimeve klimatike, persekutimit, varfërisë.

Selia e Shenjtë ka tërhequr “me shqetësim” vëmendjen edhe për disa të dhëna demografike: me plakjen e popullsisë, “numri i punëtorëve të moshuar po rritet vazhdimisht” dhe nivelet e ulëta të lindjeve vënë në rrezik sigurinë e zakonshme për këtë çështje dhe për sherbimet sociale. Njëkohësisht, në ekonomitë e shumta më pak të zhvilluara, popullsia është e re dhe në rritje, gjë që kërkon edhe mundësi të reja pune. Në këtë kuadër përfshihen gjithashtu ndikimi në rritje i teknologjive të reja dhe rreziku - i deklaruar tashmë nga Papa - "i një epërsie joproporcionale për disa, në kurriz të varfërimit të shumë të tjerëve ".

Prej këndej buron edhe thirrja për drejtësi sociale, “themelore” sot, në rrethana ku vlera e njeriut humbet, e kërcënuar seriozisht nga kriteret e fitimit.

14 qershor 2024, 12:25