Kërko

2024.06.15 Il cardinale Parolin inaugura la Biblioteca in Segreteria di Stato 2024.06.15 Il cardinale Parolin inaugura la Biblioteca in Segreteria di Stato

Sekretari i Shtetit, Kard. Parolin përuron Bibliotekën e restauruar në Lozhën e Tretë

Ceremonia më 14 qershor në sallën e përtrirë me sisteme bashkëveprimi moderne, falë bujarisë së "Fondacionit Ernesto Bertarelli": një vend "për të ruajtur kujtesën historike të Selisë Apostolike"

R.SH. / Vatikan

Një vend që ringjall "vlerën e kulturës dhe të traditës" dhe "ruan kujtesën historike" të atyre, të cilët "i shërbyen Selisë Apostolike me vetëmohim": kështu u shpreh Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke folur dje, më 14 qershor, në inaugurimin e sallës së re të Bibliotekës së Sekretarisë së Shtetit. Së bashku me kardinalin Parolin, ishin të pranishëm Kardinali Fernando Vérgez Alzaga, president i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, me motrën Raffaella Petrini, sekretare e përgjithshme dhe Giuseppe Puglisi-Alibrandin, zëvendës-sekretar i përgjithshëm. Të pranishëm, edhe eprorët e Sekretarisë të Shtetit, të udhëhequr nga kryeipeshkvijtë, kardinajtë Edgar Peña Parra, zëvendës, Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare dhe Luciano Russo, sekretar për Përfaqësitë Papnore.

Salla u restaurua dhe u rinovua me sisteme moderne bashkëveprimi falë bujarisë së "Fondacionit Ernesto Bertarelli": i themeluar në vitin 1998, vepron në sektorët e ruajtjes dhe të shkencës detare. “Jemi në epokën  dixhitale e të ndërlidhjes ndaj, si rrjedhim, duhet të “jemi online”, duke përdorur edhe mjetet e reja teknologjike që na ndihmojnë të veprojmë në favor të Kishës në botë” - pohoi kardinali Parolin - i cili kujtoi më pas rëndësinë që ka për Kishën dëshmimi i së bukurës dhe i kulturës, “dialog me etje të veçantë për pafundësinë, që përcakton qenien njerëzore”. Duke cituar fjalët e Papës Françesku, Kardinali shtoi edhe:

“Nuk duhet ta lëmë mënjanë bukurinë e të mos flasim për të, sepse zemra e njeriut nuk ka nevojë vetëm për bukë, por ka nevojë edhe për kulturë, për atë kulturë, që ta prek shpirtin, që e çon njeriun më pranë dinjitetit të tij të thellë”. (Fjalimi me rastin e ekspozitës “Tutti. Njerëzimi në ecje”, 5 nëntor 2021).

Kultura - nënvizoi më tej Sekretari i Shtetit - “jeton dhe merr frymë, duke dalë nga guaska e vetëvlerësimit, kur favorizon takimet dhe dialogun njerëzor”. Për këtë arsye, Biblioteka është “hapësirë bashkimi dhe vëllazërimi, sipas asaj intuite të bukur të Shën Palit VI, i cili thoshte: «Kushdo që hyn në Bibliotekë, krahas 'mallrave' që ruhen aty, duhet të gjejë një frymë mirëseardhjeje, universaliteti’”.

Sekretari i Shtetit “kujtoi edhe shumë situata të jetës së përditshme” të jetuara me kolegët në sallën e Bibliotekës, së bashku me «vizitat e Papëve për të takuar eprorët dhe bashkëpunëtorët e Sekretarisë së Shtetit, të cilët me përkushtim i shoqëruan nga afër gëzimet dhe mundimet e Pasardhësit të Pjetrit”.

Megjithëse "në këtë ambient nuk ruhet asnjë libër me vlerë të pastër historike", tha kardinali Parolin, ndonëse ishte i bindur se struktura, e përmirësuar dhe e modernizuar, do të lejojë një aktivitet "të frymëzuar nga e mira, që duhet ta ëndërrojmë, por edhe ta ndërtojmë", sipas dëshirës së Kishës. Së fundi, shpresa është që Biblioteka, në formën e saj të përtërirë dhe multimediale, të kontribuojë në rritjen “e asaj kureshtjeje të brendshme të shëndetshme, që ndihmon për të na hapur rrugët e njohurive të reja dhe për të na  lartuar drejt Misterit të Zotit, sepse shërbimi ynë ndaj Selisë së Shenjtë kontribuon në përhapjen e asaj që është e bukur, fisnike dhe e mirë për njerëzimin e sotëm".

nga Osservatore Romano

15 qershor 2024, 20:50