Kërko

Kard. Parolin - Fondazione Centesimus Annus Kard. Parolin - Fondazione Centesimus Annus  (Vatican Media)

Kard. Parolin: "Teknologjia duhet të jetë në shërbim të dinjitetit njerëzor"

Pas audiencës me Papën, fjalimi i Sekretarit të Shtetit në sesionin përfundimtar i Konferencës Ndërkombëtare për Inteligjencën Artificiale, organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontifice

R. SH.  - Vatikan 

Përballë sfidave të krijuara nga inteligjenca artificiale, kemi nevojë për "arsimim bazë" i cili, duke pasur parasysh përparimin teknologjik, "të synojë përmirësimin e kushteve të jetës së njerëzimit": kjo është udha për të siguruar që makinat të mbeten "të përqendruara te njeriu dhe tek mbrojtja e të drejtave të tij" dhe në këtë mënyrë "të shmanget prirja që uniciteti i njeriut të identifikohet dhe të reduktohet në një grup të dhënash". Këtë nënvizoi  Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, gjatë fjalimit të mbajtur dje në Sallën Klementine - në fund të audiencës me Papën Françesku, me rastin e sesionit përfundimtar të Konferencës Ndërkombëtare për Inteligjencën Artificiale (AI ) organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontifice, nga data 20 deri më 22 qershor, në Institutin Papnor Patristik Augustinianum, në Romë.

Të dëgjojmë pyetjet e njeriut të sotëm

“Dëgjimi i Fjalës së Zotit - vërejti Kardinali - kërkon të dëgjosh pyetjet dhe shqetësimet e njeriut të sotëm”, përballë ndryshimeve të shpesha  që ndodhin në shoqëri. Ndërmjet tyre, me të gjitha sfidat e saj, lind tema e AI, e cila "po përhapet" në marrëdhëniet njerëzore, "duke ndikuar në zakonet individuale dhe sjelljet shoqërore", aq sa duket se po përballet, më shumë sesa "me një epokë ndryshimesh, me ndryshimin e një epoke” - theksoi Kardinali Parolin, duke cituar fjalët e Papës Françesku. Në të vërtetë, “në krahasim me risitë teknologjike të së shkuarës, si shpikja e shtypit, motori me avull, automobili, i cili shërbeu për të transformuar botën fizike, teknologjitë e reja të informacionit përpunojnë një realitet jomaterial” dhe për këtë arsye kanë kuptim domethënës "ndikimi në mënyrën se si zhvillohet inteligjenca njerëzore".

 Centesimus Annus, angazhimi i Kishës për përparimin dhe reduktimin e pabarazive

Kjo çon në një "transformim strukturor të përvojës së vetvetes dhe marrëdhënieve me të tjerët", siç kishte sinjalizuar në mënyrë profetike Romano Guardini në dekadat e para të shekullit të 20-të. Është e nevojshme të merret në konsideratë, saktësoi Sekretari i Shtetit, se "Inteligjenca Artificiale është aktualisht subjekt i një baze me zhvillim të shpejtë, që shënon kalimin nga mësimi automatik" - në të cilin roli i njeriut në figurën e eksperimentuesve është themelor - për atë që quhet "të mësuarit e thellë". Në këtë të fundit, aftësia për të marrë të dhëna në mënyrë autonome mbizotëron, duke optimizuar në mënyrë progresive performancën. Prandaj është e nevojshme, theksoi kardinali, të jemi vigjilentë me kujdes që të mos i nënshtrohemi logjikës së pragmatizmit e të programimit por, përkundrazi të “drejtojmë revolucionin teknologjik në mënyrë të drejtë dhe sociale”.

Llojet e ndryshme të inteligjencës artificiale

Në dritën e këtyre konsideratave, Kardinali Parolin shqyrtoi më pas disa lloje të Inteligjencës Artificiale, të tilla si inteligjenca "parashikuese", kur një makinë është në gjendje të bëjë parashikime bazuar në inputet e fituara më parë. Kështu ndodh, për shembull, në fushat e "bursës, në diagnostikimin mjekësor, në parashikimin e sjelljes së konsumatorit". Por ky është një kufi - paralajmëroi – sepse bazuar në modelet e kaluara, "kthesa e papritur e ngjarjeve" nuk merret parasysh. Edhe AI ​​"vendimmarrëse", e cila nxjerr informacione për të ofruar "sugjerime që synojnë drejtimin e zgjedhjeve dhe ofrimin e reagimeve të dobishme për të verifikuar efektivitetin e tyre", ka boshllëqe. Në këtë rast makinat kanë  rol ekzekutiv më vendimtar dhe automatizimi i vendimmarrjes nënkupton një reduktim të ndjeshëm të përfshirjes së qenieve njerëzore", duke e bërë të vështirë "përcaktimin se kush do të ishte përgjegjës për llogaritjen e çdo dëmi".

Së fundi, Kardinali kujtoi inteligjencën "gjenerative", e cila është e aftë të gjenerojë tekste, imazhe, video, muzikë ose media të tjera në përgjigje të inputeve, "duke i paketuar ato në stilin e kërkuar". Shembuj shumë domethënës janë të pranishëm në fushën farmaceutike dhe mjekësore, me rezultate që nuk do të ishte e mundur të arriheshin duke u mbështetur vetëm në aftësitë individuale. E kjo mund të jetë e vlefshme edhe në fushën e bujqësisë, duke lejuar "optimizimin e të korrave" dhe "lejimin e popullatave të tëra për të luftuar problemin e urisë".

Një produkt i njeriut, që duhet të respektojë dinjitetin e individëve

Pasi paralajmëroi rreziqet që mund të shkaktojë AI në rast të kontrollit në distancë të armatimeve ushtarake, pa masat e duhura paraprake - siç do të ndodhte edhe në botën e punës dhe në kujdesin e shtëpisë së përbashkët - kardinali përfundoi fjalimin e tij duke e parë AI jo si një kërcënim, por si një aleat i njerëzimit, dhe duke vënë në dukje se është gjithmonë produkt i njeriut. Prandaj, përparimi teknologjik duhet të ndihmohet nga një modus operandi që respekton dinjitetin dhe vëllazërinë e qenieve njerëzore, duke shmangur përdorimin e tij për mirëqenien e të paktëve, në dëm të të shumtëve.

23 qershor 2024, 12:45