Kërko

Në korrik koncistori për Acutis dhe të Lumtë e tjerë. Dy udhëtime apostolike në shtator

Papa thirri një Koncistor të zakonshëm publik për disa çështje shenjtërimi. Do të mblidhet më 1 korrik, për të votuar disa çështje të kanonizimit, duke përfshirë ato të Carlo Acutis dhe Giuseppe Allamano. Kështu bëri të ditur zyra e shtypit e Vatikanit, duke publikuar programin e kremtimeve papnore deri në shtator. Nga data 2 deri më 13 shtator do të zhvillohet udhëtimi apostolik i Papës në Indonezi, Papua Guinenë e Re, Timorin-Lindor dhe Singapor.

R.SH. / Vatikan

Zyra e kremtimeve Liturgjike të Papës ka njoftuar takimet e radhës të Atit të Shenjtë Françesku. Më 1 korrik të ardhshëm do të mbahet Koncistori i zakonshëm publik për votimin e disa çështjeve të kanonizimit dhe për të caktuar datën e shenjtorëve të rinj: atë të Carlo Acutis, Giuseppe Allamano, Marie-Leonie Paradis, Elena Guerra, si dhe martirëve në Siri Emanuele Ruiz e shtatë shoqërues të Urdhrit të Fretërve të Vegjël, të Francesco, Abdel Mooti dhe Raffaele Massabki. Kështu shënohet në kalendarin e kremtimeve liturgjike papnore që kryesohen nga Papa Françesku nga qershori deri në shtator.

29 qershor, në orën 9.30 në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku do të kryesojë Meshën në festën liturgjike të Shën Pjetrit e Palit Apostuj, me bekimin e simbolit të Pallios për kryeipeshkvijtë e rinj metropolitan.

Vizita baritore e Papës në Trieste është programuar më 7 korrik të ardhshëm, me rastin e përfundimit të Javës Sociale të Katolikëve Italianë. Nga data 2 deri më 13 shtator do të zhvillohet udhëtimi apostolik i Papës në Indonezi, Papua Guinenë e Re, Timorin-Lindor dhe Singapor, ndërsa nga 26 deri më 29 shtator Papa do të udhëtojë në Luksemburg dhe Belgjikë.

03 qershor 2024, 14:58