Papa: e premte 14 qershor takon artistët e botës së humorizmit

Papa Françesku do të takohet me protagonistët e fushës së humorit nga vende të ndryshme të botës, për t'i “ndihmuar” të mos u mungojë kurrë dhurata e gazit. Të qeshin - e të bëjnë për të qeshur

R.SH. / Vatikan

“Ma jep, o Zot, sensin e humorit”, lutet çdo ditë Papa me fjalët e Shën Tomas More. Ndaj Françesku do t’i takojë protagonistët e fushës së humorit nga vende të ndryshme të botës pikërisht për t'i “ndihmuar” të mos u mungojë kurrë kjo dhuratë. Audienca, e organizuar nga Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin dhe Dikasteri për Komunikimin, do të mbahet në Pallatin Apostolik, në orën 8.30 të mëngjesit të së premtes 14 qershor 2024. Synimi - shkruajnë organizatorët - është të "krijohet lidhja ndërmjet Kishës Katolike dhe artistëve komikë".

Protagonistët e fushës së humorit do të vijnë në Vatikan nga vende të ndryshme të botës: Argjentina, Brazili, Kolumbia, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Meksika, Polonia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Timori Lindor.

Veprimtaria - e organizuar nga dy Dikasteret - synon të krijojë lidhje ndërmjet Kishës Katolike dhe artistëve komikë. “Ma jep, o Zot, ndijën e humorit”, Ati i Shenjtë lutet çdo ditë me fjalët e Shën Thomas More, siç shpjegohet në notën e publikuar ditët e fundit nga dy Dikasteret e Vatikanit: “Është hir, që ta kërkoj çdo ditë” - pohon - sepse “të larton, të bën të kuptosh sa e përkohshme është jeta dhe t'i marrësh gjërat me frymën e shpirtit të shpenguar. Është qëndrim njerëzor, por shumë pranë hirit të Zotit” (intervistë me TV2000, 20 nëntor 2016).

Njeriu i Zotit njihet sepse është i aftë të jetojë gjithnjë me buzë në gaz: “Pa e humbur realizmin, i ndriçon edhe të tjerët me frymë pozitive, plot shpresë” (Gaudete et exultate, 122). “Françesku e njeh mirë ndikimin e dukshëm që ka arti i komedisë në botën e kulturës bashkëkohore - lexojmë në shënim - Nëpërmjet talentit humoristik dhe vlerës unifikuese të të qeshurit sot bëhen reflektime të pashoqe mbi gjendjen njerëzore dhe situatën historike. Për më tepër, arti i komedisë mund të kontribuojë për një botë më empatike, më solidare".

Vetë Shkrimi Shenjt "është i pasur me çaste ironie, në të cilat vihen në lojë mendjemadhësia, paragjykimi, padrejtësia… E edhe çnjerëzimi, kur vishet me pushtet e, ndonjëherë, edhe me shenjtëri" (Artistëve, 23 qershor, 2023). Françesku shpreh besimin se humoristët - aktorë, artistë, karikaturistë, shkrimtarë… – kanë “aftësinë të ëndërrojnë variante të reja të botës”, botë të reja, ndryshe nga kjo në të cilën njeriu banon prej shekujsh! E shpesh e bëjnë këtë “me ironi”. Tallen me botën, kur bëhet për t’u tallur, duke e dënuar të keqen me buzë në gaz! E duke e bërë të qeshë edhe ajo vetë!

E këtu Papa e quan ironinë “virtyt i mrekullueshëm”. “Takimi i Papës Françesku me aktorët komikë të botës, që nuk janë aq të shumtë sa mendohet, sepse është më e vështirë ta vrasësh të keqen me gaz, sesa me pushkë, synon të kremtojë bukurinë e diversitetit njerëzor, t’i drejtojë njerëzimit mesazhin e paqes, të dashurisë dhe të solidaritetit dhe të premtojë një çast domethënës dialogu ndërkulturor dhe ndarjeje të përbashkët të gëzimit e të shpresës”- përfundon shënimi.

Aktorët e humorit, që kanë miratuar praninë e tyre janë 105, me 68 shoqërues. Pra, takimi është më 14 qershor, në Vatikan. Do të ketë shumë emra të njohur, që të bëjnë të qeshësh, vetëm kur i kujton! Deri tani janë nga 15 vende, që vijnë për të qeshur së bashku me Papën, në Vatikan! Me vetëdijen se Papa “do t’i beskojë”, që të mos u mungojë kurrë dhurata e gazit.

“Humorizmi është ilaç: i bën mirë zemrës e të mbush me gëzim. Prej 40 vjetësh e them gjithnjë me vete lutjen për humor të mirë të Thomas More”. Këtë e kujton Papa Françesku edhe tani, që do të bëhet takimi i artistëve të humorit në Vatikan. Po e kujtojmë edhe ne!

Thomas More: “O Zot, më jep një stomak…..”.

 

Ma fal, o Zot të lutem, një stomak

 

që nuk të trazon e s’ankohet aspak,

 

pse e di që Ti ia jep diçka për ta mbushë

 

e kurrë nuk e lë krejt bosh me u  përpushë.

 

Ma jep një shpirt të butë e të mirë,

 

E mbushe përplot me gaz e me hir,

 

 edhe me forcë, që të mos mëkatojë më kot

 

por të bëjë çka do, ti o i lumi im Zot!

 

Më jep një shpirt, që nuk mërzitet kurrë

 

por i bën ballë së keqes porsi burrë

 

 që s’ rri gjithnjë veç duke u ankuar

 

pse do veç vetveten e shumëdashuruar.

 

Më jep ti, o Zot, dëshirën të qesh,

 

ndihmomë që krahët për ditë t’i përvesh,

 

edhe pak gëzim, jo vetëm për mua,

 

por dhe për miqtë,  ma jep, që i dua!

 

(Përkthim krejt i lirshëm)

11 qershor 2024, 11:20