Kard. Parolin: dialogu është e vetmja rrugë për paqe të drejtë në Ukrainë
R.SH. / Vatikan
"I vetmi mjet i aftë për të arritur paqen e vërtetë, të qëndrueshme dhe të drejtë është dialogu ndërmjet të gjitha palëve të përfshira": këtë e përsëriti me vendosmëri Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke folur dje, më 16 qershor, si vëzhgues, në takimin e nivelit të lartë të paqes për Ukrainën, në Bürgenstock, Zvicër. Në emër të Papës Françesku, kardinali pohoi afërsinë "me popullin e munduar ukrainas", duke kujtuar "angazhimin e vazhdueshëm" të Papës "në favor të paqes".
Të furnizohet ndihma dhe të ndihmohet ndërmjetësimi
Kryesor në fjalimin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit ishte inkurajimi i bashkësisë ndërkombëtare që të "gjenden mënyra për ndihmë dhe ndërmjetësim ndihme, qoftë e natyrës humanitare apo politike", me shpresën se "përpjekja diplomatike e nxitur nga Ukraina dhe e mbështetur nga shumë shtete do të përsoset dhe do të arrihen rezultatet, që i meritojnë viktimat dhe që i shpreson e gjithë bota”.
Në të njëjtën kohë, Kardinali Parolin nënvizoi se Selia e Shenjtë vazhdon të angazhohet "për të mbajtur kontakte të vazhdueshme me autoritetet ukrainase dhe ruse", gjithnjë e gatshme për të ndihmuar në zbatimin e "nismave të mundshme të ndërmjetësimit", të pranueshme "për të dyja palët", nga të cilat mund të përfitojnë "njerëzit e prekur".
Nuk duhet t’i dorëzohemi kurrë luftës!
Kardinali, më pas, e vlerësoi samitin, duke e quajtur "ngjarje me rëndësi globale", të përgatitur "me kujdes" nga Ukraina, vend i cili, nga njëra anë, bën "përpjekje të mëdha për të mbrojtur veten kundër agresionit", e në tjetrën, vazhdon të punojë "në frontin diplomatik" për "një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme". Kjo sepse, përballë "luftës dhe pasojave të saj tragjike, është e rëndësishme të mos dorëzohemi kurrë - theksoi Sekretari i Shtetit - por të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për t'i dhënë fund konfliktit", duke përdorur "qëllimin e mirë, besimin dhe frymën krijuese”. Respektimi i ligjit ndërkombëtar
Në një çast të fjalës së tij, në veçanti, Kardinali u përqendrua edhe te "respektimi i së drejtës ndërkombëtare" duke përsëritur "vlefshmërinë e parimit themelor të respektimit të sovranitetit të çdo vendi dhe të integritetit të territorit të tij".
Riatdhesimi i fëmijëve, i domosdoshëm
Më pas, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë kafrdinali Parolin u ndalua tek tema e riatdhesimit të fëmijëve, për të cilën "u krijua një mekanizëm ad hoc lidhur me zgjidhjen e rasteve konkrete", pas vizitës së kardinalit Matteo Zuppi në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Papës, në Kiev dhe Moskë. Në këtë drejtim, Kard. Parolin e cilësoi nevojën e “forcimit të çdo kanali në dispozicion për të lehtësuar këtë proces” si “imperativ”, duke theksuar se “duhet të jetë përparësi absolute”, gjithashtu për të shmangur “çdo shfrytëzim” të situatës së të miturve.
Shqetësim për të burgosurit civilë dhe ushtarakë
Një çështje tjetër vendimtare, e theksuar përfundimisht nga Kardinali, ishte ajo e të burgosurve, "si civilë - ashtu edhe ushtarakë", veçanërisht për shkak të "raporteve periodike për mosrespektimin e Konventave të Gjenevës", si Konventa e katërt, e cila ka të bëjë më drejtpërdrejt me civilët. Kardinali shprehu shqetësimin e Selisë së Shenjtë për vështirësinë e krijimit, "së bashku me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të një komisioni të përzier mjekësor, që mund të vlerësojë situatën e të burgosurve të luftës, të cilët kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor".
Delegacioni i Selisë së Shenjtë
Në Bürgenstock, Kardinali Parolin - i ftuar njëkohësisht nga presidentët e Zvicrës dhe Ukrainës, përkatësisht Viola Amherd dhe Volodymyr Zelensky – u shoqërua nga nunci apostolik në Zvicër, Imzot Martin Krebs dhe nga Imzot Paul Butnaru, zyrtar i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare të Sekretarisë së Shtetit. Delegacioni i Selisë së Shenjtë, si vëzhgues dhe duke ndjekur praktikën e mosnënshkrimit të deklaratave të përbashkëta, abstenoi në nënshkrimin e komunikatës përfundimtare të punimeve, ndërsa shprehu mbështetjen për konkluzionet e samitit.