Kard. Parolin: nëse do të krijohej mundësia, Papa do të shkonte menjëherë në Kinë
R.SH. – Vatikan
Tani për tani duket e parakohshme, por "nëse do të kishte hapje nga ana e kinezëve, edhe Papa do të shkonte menjëherë" në Kinë, një tokë për të cilën ka treguar gjithmonë vlerësim, sidomos për popullin, historinë e kulturën e saj. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, rithekson dëshirën e Atit të Shenjtë për të udhëtuar në vendin e madh dhe "fisnik" aziatik. Ai foli pasditen e djeshme, më 20 qershor, në Universitetin Papnor Urbanian, gjatë paraqitjes së veprës “Kardinali Celso Costantini dhe Kina – Ndërtues i urave ndërmjet Lindjes e Perëndimit”, redaktuar nga historiani mons. Bruno Fabio Pighin dhe botuar nga Marcianum Press.
Edhe një herë, një muaj pas konferencës së mëparshme në Urbaniana për 100-vjetorin e Concilium Sinense, frymëzuesi, promovuesi dhe organizatori i të cilit pati qenë vetë Costantini, kardinali Parolin kujtoi figurën e Legatit të parë apostolik në Kinë, që hodhi themelet e dialogut me vendin aziatik. Një nga frytet e tij mund të konsiderohet sot, pas dekadash, nënshkrimi i Marrëveshjes me Selinë e Shenjtë për emërimet e ipeshkvijve në vitin 2018, rinovuar më pas dy herë, më 2020 dhe më 2022. Do të rinovohet për herë të tretë në fund të këtij viti, nënvizoi Parolin.
Nderimi i Papës për popullin kinez
Jo më larg se të mërkurën, 19 qershor, në fund të audiencës së përgjithshme, kur përshëndeti shoqatën “Miqtë e kardinalit Celso Costantini”, Papa Françesku i dërgoi përshëndetje edhe “popullit të dashur kinez”. “Të lutemi gjithmonë për këtë popull fisnik, kaq të guximshëm, që ka një kulturë kaq të bukur”, pohoi Ati i Shenjtë.
“Papa – komentoi kardinali Parolin – e vlerëson shumë popullin e kombin kinez e nuk lë rast pa e shprehur këtë. Ndoshta sepse është jezuit, prandaj ka parasysh gjithë trashëgiminë e së kaluarës... Sigurisht, janë hapa që na ndihmojnë ta kuptojmë njëri-tjetrin gjithnjë e më shumë, të afrohemi gjithnjë e më shumë, shpresojmë që ky rrugëtim të na çojë në rezultate pozitive”. Kardinali vuri në dukje dëshirën e madhe të Papës për të shkuar në Kinë, por nënvizoi edhe se ende nuk janë pjekur kushtet për këtë.
Metoda Costantini
Kardinali Parolin përvijoi më pas një portret të Legatit apostolik Costantini, duke kujtuar disa anekdota, si p.sh. kur ai shkoi te Papa Piu XII, në vitin 1946, për të kërkuar të regjistrohej një ipeshkëv kinez në Koncistorin për 32 kardinaj të rinj, ndërmjet të cilëve ishte edhe emri i tij. Më tej, vlerësoi përpjekjet, veprat dhe sakrificat e kardinalit për të "përhapur dritën e Ungjillit në Kinë" dhe, mbi të gjitha, për të promovuar një Kishë të inkulturuar. Ishte Costantini ai që këmbënguli në krijimin e një Concilium Sinense të Shangait në vitin 1924, frymëzim profetik për Koncilin II të Vatikanit. Kështu, u hodhën themelet për një Kishë kineze, e cila në vitin 1963 përbëhej nga 23 ipeshkvij, pavarësisht nga kundërshtimi i shumë instituteve misionare në Kinë. "Këta ipeshkvij hapën rrugën e trashëgimisë apostolike për ipeshkvijtë aktualë", deklaroi Parolin.
Ipeshkvijtë kinezë në bashkim me Kishën e Pjetrit
"Metoda e Kostantinit" në marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me shtetin më të madh aziatik ndiqet sot edhe nga Papa Françesku, pohoi Sekretari i Shtetit. Gjurmët e saj shihen në letrën e vitit 2007 të Papës Benedikti XVI drejtuar katolikëve kinezë dhe konkretizohen me Marrëveshjen "e përkohshme" për emërimin e ipeshkvijve, nënshkruar në Pekin, më 2018. “Zhvillimet pozitive të regjistruara deri tani na japin shpresë se do të pasojnë gjithnjë e më të mëdha”, shtoi Parolin. “Pas marrëveshjes, të gjithë ipeshkvijtë në tokën e Konfucit janë në bashkim të plotë me Kishën e Pjetrit”.