Kërko

Kard.Parolin, "Papa do t'i kushtojë kohë takimeve me presidentët dhe krerët e shteteve" në G7

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, gjatë paraqitjes së një libri të Don Giussanit në Gregoriana, i fton qytetarët evropianë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Lidhur me praninë e Papës në G7, në Pulia, më 14 qershor, kardinali Parolin beson se Françesku do të flasë për "zbatimin e inteligjencës artificiale mbi armët" dhe se mund të ketë një takim dypalësh me presidentin amerikan Joe Biden.

R.SH. / Vatikan 

“Konferenca Ipeshkvnore Italiane është Kisha në Itali e, si çdo kishë në botë, edhe ipeshkvijtë italianë janë të lirë të shprehin mendimin. Do ta bëjnë këtë me mënyrat e duhura, nën përgjegjësinë e tyre''. Kështu iu përgjigj Kardinali Parolin gazetarëve, që e pyetën nëse Selia e Shenjtë shqetësohet njëheresh me ipeshkvijtë për reformat e kryeministrisë dhe autonomisë së diferencuar, gjatë paraqitjes së librit titulluar "Ndjenja e krishterë e njeriut, sipas Reinhold Niebuhr", tezë doktorature nga Don Luigi Giussani në Universitetin Papnor Gregorian.

Duke kujtuar edhe zgjedhjet e ardhshme evropiane, Kardinali Parolin nënvizoi se: “Një nga pikat ku rikthehet Kisha, është ajo e pjesëmarrjes, që është ushtrim  demokracie. Prandaj ftesa, që u drejtohet gjithë qytetarëve, është të veprojnë me përgjegjësi, duke marrë pjesë në votim”.

Pjesëmarrja e Papës në G7 në Puglia

Lidhur me mundësinë që Papa Françesku të ketë një takim kokë më kokë me presidentin amerikan Joe Biden në G7 e Pulias, më 14 qershor, kardinali përgjigjet: "Mendoj se Papa do t'i kushtojë kohë edhe disa takimeve dypalëshe me presidentët dhe krerët e shteteve, që ia kërkuan, kështu që unë besoj se do ta ketë edhe këtë". Ndërsa  lidhur me përmbajtjen e fjalimit të Papës në samit, kushtuar temës së inteligjencës artificiale, Kard. Parolin beson se "do të flasë për zbatimin e inteligjencës artificiale ndër armë”.

"Giussani kthehet gjithnjë në ngjarjen e Mishërimit"

Në fjalën e tij, që analizon tezën e doktoraturës së Don Giussani-t, kardinali Parolin shpjegon: "Përfundimi në të cilin arrin Giussani në fund të rrugëtimit të gjatë në veprën e Niebuhr-it, është i qartë: ‘Si nga pikëpamja filozofike, ashtu edhe nga pikëpamja teologjike, vepra e Niebuhr është thellësisht e pakëndshme për frymën tonë të traditës latine dhe katolike'. Giussani vë ashpërsisht në pikëpyetje kuptimin Niebuhrian të "së vërtetës që përbën Zbulesa e Krishterë në elementet e saja themelore, mbi bazën e teologjisë liberale - nga e cila ai distancohet në mënyra të tjera - si dhe të dallimit ndërmjet Jezusit historik dhe Jezusit të fesë, ndërsa teologu amerikan e hedh poshtë konceptin tradicional të Mishërimit".

E, duke kujtuar përsëri don Giussani-n, përfundon: "Ngjarja e Mishërimit të Zotit është bërthama e Krishterimit, tek e cila Giussani rikthehet gjithnjë, pa u lodhur. E nuk thotë vetëm se krishterimi "ishte ngjarje”, por  “është” ngjarje”, pra ngjarje unike, që mbetet në histori si “diçka që po ndodh tani””, e kjo ndodh në Kishë prej nga - nënvizoi Sekretari i Shtetit - u propozohet të gjithë njerëzve si formë e sotme e ngjarjes së Krishtit, që shuan etjen për kuptimin, shpresën dhe paqen e atyre që jetojnë tani, të zhytur në dramën dhe vuajtjen e cila, së bashku me ngjarjet normale të ekzistencës, konfliktet e përgjakshme dhe shkatrrrimtare të kohës së sotme, bëhet edhe më të mprehtë".

Fjalimet e tjera të paraqitjes në Gregoriana

Në paraqitjen e vëllimit  për tezën e doktoratës, që don Luigi Giussanit, themelues i lëvizjes Bashkim e Çlirim e pati diskutuar më 23 qershor 1954 në Seminarin e Venegono, folën edhe Michelina Tenace, profesoreshë nderi e Teologjisë Dogmatike në Universitetin Gregorian dhe Monica Scholz-Zappa.

 Takimin e drejtoi Don Andrea D'Auria, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare Kishtare 'Comunione e Liberazione' (Bashkim dhe Çlirim) në Romë.

Vepra do të paraqitet edhe në Milano të martën, më 11 qershor, në orën 18.00 nga kryeipeshkvi i Milanos, imzot Mario Delpini, në Sallën Piu XI të Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit  dhe Lorenzo Ornaghi, ish-rektor i Universitetit Katolik.  Në përfundim do të ketë diskutime nga figura të mirënjohura që merren me studimin përdorimit të inteligjencës artificiale”.

07 qershor 2024, 12:12