Kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore dhe kryetar i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco), kryesoi të martën, më 25 qershor, kremtimin eukaristik, që përuroi asamblenë e 97-të të përgjithshme të organizmit Kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore dhe kryetar i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco), kryesoi të martën, më 25 qershor, kremtimin eukaristik, që përuroi asamblenë e 97-të të përgjithshme të organizmit

Kard. Gugerotti për Roaco-n: ndihmoni më të varfërit ndër të varfër

Prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore dhe kryetari i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco) kremtoi meshën e përurimit të asamblesë së 97-të të përgjithshme të organizatës, e cila mbahet në Romë. Në homelinë e tij, thirrja për një stil të përvuajtur e plot fe në bamirësi, si dhe paralajmërimi për të pasur kujdes me ato qeveri dhe institucione publike, që bëjnë donacione për interesat e tyre

R.SH. – Vatikan

Logjika e "përkrahjes së krishterë" duhet të jetë ajo e "derës së ngushtë" që të çon drejt jetës: këtë kujtoi kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore dhe kryetar i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco), i cili kryesoi të martën, më 25 qershor, kremtimin eukaristik, që përuroi asamblenë e 97-të të përgjithshme të organizmit, i cili koordinon agjencitë bamirëse katolike në Lindjen e Krishterë. Takimi mbahet në Romë deri nesër, 27 qershor.

Lutja për paqen

Gjatë meshës, të pranishmit kujtuan bamirësit dhe u lutën për paqen, duke ia besuar Zotit dhe ndërmjetësimit të Nënës së tij Shenjte vendet e vuajtura nga lufta. Gjatë komentit të Ungjillit të ditës (Mt 7, 6.12-14), kardinali Gugerotti nënvizoi se, për të krishterin, stili i bamirësisë duhet të jetë "një stil i përvuajtur, plot fe, që dëshiron t'u japë të tjerëve çfarë do të donim të merrnim prej tyre si dhuratë”. Konkretisht, shtoi kardinali, kjo do të thotë se jo vetëm duhet “të shkojmë te më të varfërit e të varfërve”, por duhet edhe “t’i zbulojmë, t’i gjejmë”, pa u kufizuar në ata që i njohim tashmë. Kreu i Roaco-s shprehu vlerësimin për "sakrificat dhe vetëmohimin" e veprimtarëve të bamirësisë, që shërbejnë edhe në "vende shumë të rrezikshme, mes njerëzve, të cilët jetojnë në kushte të tmerrshme. Zoti nuk do të harrojë atë që bëni për Të”, siguroi prelati. Qendrore në homeli ishte pikërisht thirrja për t'u bërë mirë të tjerëve, sepse "jemi vëllezër e motra dhe jo të pasur e të varfër".

Moment nga kremtimi
Moment nga kremtimi

Mos shikoni rolet institucionale, por vijeni veten në shërbim të të tjerëve

“Jemi diakonë, jemi shërbëtorë, jemi ndjekës të Krishtit të kryqëzuar – shtoi Gugerotti – e ky duhet të jetë standardi i misionit tonë”. Që këtej, kërkesa për të mos u ndalur në rolet institucionale, por për t'u frymëzuar nga Shpirti Shenjt, sepse "rruga që kemi zgjedhur për të shërbyer në Kishë dhe në botë është thirrje". Më pas, kardinali denoncoi ato qeveri dhe institucione publike, që bëjnë donacione për interesat e tyre, duke nxitur të ndiqet modeli i Shën Marisë, e cila, megjithëse shtatzënë, shkoi për ta vizituar kushërirën e saj Elisabetën, edhe ajo në pritje të një fëmije. Një udhëtim, sigurisht, “jo i lehtë”, por i realizuar me “bujari të madhe” e pikërisht këtë bujari të krishterë duhet t’i dëshmojnë botës anëtarët e Roaco-s. Së fundi, kardinali iu lut Shpirtit Shenjt që "të frymëzojë veprime jo vetëm të pajtueshme me Ungjillin e Zotit, por edhe të jenë shprehje e tij".

Refugjatë në Rripin e Gazës
Refugjatë në Rripin e Gazës

Nesër audienca me Papën

Pas sesioneve për Tokën Shenjte, Ukrainën, Etiopinë dhe rajonin e Karabakut, asambleja e përgjithshme e Roaco-s vazhdoi sot, 26 qershor, me një ditë kushtuar kujdesit baritor për katolikët lindorë, që banojnë jashtë vendit të tyre. Nesër, anëtarët e Roaco-s do të takohen me Papën Françesku në Vatikan.

26 qershor 2024, 12:20