Kard. Czerny: mirëprite të huajin, që ka nevojë për një port të sigurt e shpresë
R. SH. - Vatikan
Mirëpriti ata, që kanë nevojë për një port të sigurt, që kërkojnë një strehë mikpritëse, që duan të dëgjojnë fjalën e një bashkësie. Kjo është ftesa kryesore, shprehur nga kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në mesazhin për të Dielën e Detit, që këtë vit festohet më 14 korrik. Miliona punonjës në sektorin detar, urohen që të mund ta ndjejnë punën e Kishës, e cila i bën të dukshme realitetet e tyre të përditshme e të padukshme.
Të bëhen të dukshme, kushtet e punës “së padukshme”
Ata që punojnë në det - ekuipazhet e anijeve, punëtorët, rimorkiatorët dhe stivodorët, rojet bregdetare, punonjësit e trafikut dhe të shpëtimit, doganierët dhe peshkatarët - kanë mundësinë të shijojnë bukurinë e pakufishme të natyrës, por shpesh, të provojnë edhe dhimbjen fizike, shpirtërore dhe errësirën shoqërore. Duke u nisur nga kjo premisë, kardinali Czerny nënvizon vlerën e shërbimit në favor të marinarëve (vullnetarë, kapelanë, anëtarë të kishave lokale në porte) të cilët, jo vetëm që kanë paga të papërshtatshme, por edhe "kërcënohen nga padrejtësia, shfrytëzimi dhe pabarazia”.
Të favorizohet uniteti dhe shkëmbimet ndërmjet popujve
Bëhet fjalë “për ta sjellë periferinë në qendër" - vëren Kard. Czerny - i cili kujton disa metoda ndërhyrjeje: "takimin personalisht dhe në lutje me njerëzit e detit; përmirësimin e kushteve materiale dhe shpirtërore të punëtorëve; mbështetjen e dinjitetit, të drejtave, marrëdhënieve dhe politikave të forcuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut të atyre që udhëtojnë dhe punojnë larg familjeve dhe atdheut”.
Mikpritja e të huajit
Prefekti - në mesazhin e tij - kujton se në kohën e misioneve të para të apostujve, çdo anije e re që mbërrinte krijonte mundësi për më shumë takime, më shumë shkëmbime, më shumë risi edhe ndaj mundësive të mëdha përtej brigjeve lokale. Ftesa, pra, është ta "mirëpresim të huajin": mund të na vërë në provë, kur "preferojmë të qëndrojmë të izoluar shoqërisht dhe shpirtërisht", vëren kardinali Czerny, megjithatë, saktëson ai - "ne nuk mund t’i shfrytëzojmë mundësitë e jetës, nëse preferojmë më shumë rehatitë familjare. Rruga e hapjes, është rruga e shpresës". Është e nevojshme të edukohemi me vëllazëri dhe miqësi shoqërore, përfundon ai. E duke ia besuar detarët Zojës, Yllit të Detit, kardinali shpreson që "detarët të ndihen pjesë e Kishës, kudo që janë e kudo që shkojnë".