Fondacioni Centesimus Annus pro Pontifice dhe Inteligjenca Artificiale

Prej kohësh për inteligjencën artificiale flitet kudo. Dhe Fondacioni Centesimus Annus pro Pontifice nuk bën përjashtim, pasi ka zgjedhur si temë për konferencën ndërkombëtare 2024: "Inteligjenca Artificiale Gjenerative dhe Paradigma Teknokratike: si të promovohet mirëqenia e njerëzimit, kujdesi për natyrën dhe një botë në paqe".

R.SH. / Vatikan

Prej kohësh për inteligjencën artificiale flitet kudo. Dhe Fondacioni Centesimus Annus pro Pontifice nuk bën përjashtim, pasi ka zgjedhur si temë për konferencën ndërkombëtare 2024: "Inteligjenca Artificiale Gjenerative dhe Paradigma Teknokratike: si të promovohet mirëqenia e njerëzimit, kujdesi për natyrën dhe një botë në paqe".

Veprimtaria do të zhvillohet pranë Institutit Papnor Patristik Augustinianum, në Romë, nga data 20 deri më 22 qershor dhe përfundon me Audiencën private te Papa Françesku dhe me fjalimin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. Objektivi i konferencës ndërkombëtare është të shqyrtojë përfitimet dhe problemet që lidhen me evolucionin e shpejtë dhe të gjerë të Inteligjencës Artificiale (AI), me një fokus të veçantë ndaj Inteligjencës Artificiale Gjenerative (AIGen).

Fondacioni Centesimus Annus pro Pontifice synon të kontribuojë në promovimin e një përdorimi etik dhe të qëndrueshëm të Inteligjencës Artificiale (AI) për mirëqenien e njerëzve dhe mjedisit, duke kapërcyer paradigmën teknokratike. Konferenca do të analizojë si implikimet etike dhe sociale të Inteligjencës Artificiale (AI) e po kështu edhe zgjidhjet praktike që duhen miratuar për të ndërtuar një të ardhme në të cilën teknologjia do të vihet në shërbim të njerëzimit dhe planetit.

Magjisteri i Papës Françeskut, i cili ka trajtuar gjerësisht temën e inteligjencës artificiale, është një pikë referimi për këtë Konferencë Ndërkombëtare. Papa vuri edhe një herë theksin në "paradigmën teknokratike" në G7, në Itali, jo si një refuzim i teknologjisë, por për një përdorim të saj për të mirën e përbashkët.

Konferenca, që do të mbahet pranë Institutin Papnor Patristik Augustinianum, në Romë, synon të analizojë situatën aktuale, aspektet pozitive dhe rreziqet që lidhen me Inteligjencën Artificiale (AI) duke u përpjekur t'u përgjigjet disa pyetjeve themelore: për çfarë shërben AI? A është e mundur të zhvillohet dhe të përdoret AI në një mënyrë etike? A është e mundur të realizohet përparimi teknologjik dhe shkencor si një rrugë drejt paqes? A është e mundur të gërshetohet zhvillimi i Inteligjencës Artificiale Gjenerative së bashku me respektimin e të drejtave të njerëzve, përfshirjen e personave më të cenuar të shoqërisë, kujdesin për planetin, duke e bërë kështu AI një mjet për integrimin midis botëve gjithnjë e më të ndërlidhura dhe luftimin e pabarazive në rritje?

Shumë pyetje sfiduese për të cilat, organizatorët, shpresojnë të japin disa përgjigje dhe sigurisht të aktivizohet një proces dëgjimi, ndërgjegjësimi dhe veprimi në vazhdën e doktrinës shoqërore të Kishës.

18 qershor 2024, 12:14