Ekumenizëm: do të paraqitet një dokument mbi Primatin pjetrin
R.SH. – Vatikan
Selia e Shenjtë - përmes Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve - ka hartuar një dokument studimor, me miratimin e Papës Françesku, i cili përmbledh për herë të parë përgjigjet për enciklikën “Ut unum sint” dhe të dialogut ekumenik përsa i përket çështjes së primatit të Shën Pjetrit dhe sinodalitetit. Kujtojmë se Papa shenjt Gjon Pali II, në enciklikën e tij të vitit 1995 për ekumenizmin, i ftoi partnerët ekumenikë të diskutojnë për të arritur «në gjetjen e një forme ushtrimi të parësisë, e cila, megjithëse nuk heq dorë kurrë nga thelbi i misionit të saj, është e hapur për një situatë të re”. Dokumenti i ri përfundon me një propozim të Dikasterit, i cili rreshton sugjerimet më të rëndësishme, që janë bërë për rinovimin e shërbesës së unitetit të Ipeshkvit të Romës "pranuar si nga njëra, ashtu edhe nga palët e tjera".
Dokumenti “Ipeshkvi i Romës. Primati dhe sinodaliteti në dialogët ekumenikë dhe në përgjigjet për enciklikën ‘Ut unum sint’” do të paraqitet në Sallën e Shtypit të Vatikanit të enjten e ardhshme, më 13 qershor, nga kardinajtë Kurt Koch, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve dhe Mario Grech, sekretar i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit. Të pranishëm do të jenë edhe Khajag Barsamian, përfaqësues i Kishës Apostolike armene në Selinë e Shenjtë - Katolikosati i Etchmiadzin dhe kryeipeshkvi Ian Ernest, drejtor i Qendrës Anglikane në Romë dhe përfaqësues personal i kryeipeshkvit të Canterbury-t në Selinë e Shenjtë.
Në Bari, dialogu teologjik katoliko-ortodoks
Ndërkohë, dje në Bari, përfundoi mbledhja e Komitetit Koordinues të Komisionit Ndërkombëtar të Përzier për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike Romake dhe Kishës Ortodokse, nën kryesinë e përbashkët të kardinalit Koch dhe të mitropolitit Job të Pisidias, nga Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës. Takimi filloi më 3 qershor në Qendrën Shpirtërore “Oaza e Shën Marisë”, në kryedioqezën e Bari-Bitontos. Komiteti, shpjegohet në komunikatën përfundimtare për shtyp, filloi të diskutojë çështjet historike dhe teologjike, që kanë të bëjnë përkatësisht me Filioque (që thotë se Shpirti Shenjt rrjedh prej Atit dhe Birit) dhe me dogmën e Pagabueshmërisë. Për këtë qëllim, u krijuan dy nënkomisione dhe secilit iu kërkua të hartonte një projekt-dokument për njërën nga këto dy tema.
U vendos që pasi të realizohen këto dy tekste, Komiteti Koordinues të mblidhet sërish, me shpresë se kjo mund të ndodhë vitin e ardhshëm, në ditë dhe në vend ende për t'u caktuar, që të diskutohen hollësitë. “Anëtarët e Komitetit – përfundon nota për shtyp – presin vitin 2025, kur do të kremtohet 1700-vjetori i Koncilit I Ekumenik, mbajtur në Nike në vitin 325 dhe luten që kjo ngjarje të jetë frymëzim për rrugën drejt bashkimit të plotë».