Kërko

 Corpus domini, Taddeo Crivelli, Corpus Domini, Miniatura su pergamena, 1476 – 1476, Ultima Museo di S. Petronio, Bologna Corpus domini, Taddeo Crivelli, Corpus Domini, Miniatura su pergamena, 1476 – 1476, Ultima Museo di S. Petronio, Bologna

Korpi Krishtit në fe, në art, në letërsi

Në solemnitetin e Korpit dhe Gjakut të Krishtit zbulojmë origjinën e festës dhe arsyen pse ka nxitur krijimtarinë gjatë shekujve, duke i dhuruar njerëzimit një mori kryeveprash

R.SH. / Vatikan

Solemnitetet që pasojnë Pashkët janë si petalet e një luleje madhështore. E stolisin Ngjalljen e Jezu Krishtit, e bëjnë edhe më të ndritur: Ngjitja Jezu Krishtit në Qiell, Rrëshajët, Trinia Shenjte dhe, së fundi, festa Corpus Dominit, që mbyll kurorën e solemniteteve hyjnore. E Solemniteti i Korpit dhe i Gjakut të Shenjtnueshëm të Krishtit, ky është emri i saktë, bie në tetëditshen e Rrëshajëve, në qershor, muaj i dritës.

Nga dyshimi, në shkëlqimin e fesë

Origjina e Corpus Christi nisi në mesin e shekullit të 13-të, në Belgjikë, si  përgjigje që i jepej teorive të filozofit francez Berengar of Tours, i cili mohoi transubstancionin - ose shndërrimin e bukës dhe të verës në korpin dhe gjakun e Zotit tonë, prej këndej, të pranisë së Tij reale në Eukaristi. Në atë kohë, disa dekada më parë, një mistike belge, murgesha Augustiniane Juliana e Cornillon, kishte vizione. Së pari ajo pa në ëndërr një hënë të plotë, të njollosur nga një hije e errët, sikur diçka mungonte për ta bërë atë të ndritshme. Më pas ishte vetë Jezu Krishti që iu duk, për ta nxitur murgeshën të bëhej nismëtare e festës së Korpit të Zotit, duke korrigjuar, kështu, rrymat e shumta skeptike, në mos po shkandulluese, të cilat ngjallnin dyshime. Robert de Thourotte, ipeshkvi i Lièges, e dëgjoi murgeshën dhe mblodhi një këshill për të nisur festën në dioqezën e tij.

Mesha e Bolsenës

Në vitin 1263 në Bolsena ndodhi mrekullia e famshme eukaristike, e rrëfyer me shumë hollësira nga kronikat e kohës, duke përfshirë edhe atë të Shëna Ndout, nga Firenze dhe, më vonë të Giovanni Villani-t. Gjatë udhëtimit të tij përgjatë Via Cassia, prifti bohem Pietro da Praga u ndal në kishën e Shën Kristinës në Bolsena. Shtegtimi i tij në Romë kishte qenë akt devoçmërie për të sqaruar dyshimet që e kishin mbërthyen: ai nuk besonte në praninë e korpit dhe të gjakut të Krishtit në Eukaristi. Ndërsa po kremtonte Meshën, në çastin e lartimit të Ostes, gjaku i kuq nisi të pikonte nga ostia e saposhuguruar duke lënë gjurmë të shumta mbi korporalin. Papa Urbani IV, i cili ishte në Orvieto, e shpalli mrekullinë. Më 11 gusht 1264 vetë Papa shpalli edhe bulën Transitus de hoc mundo dhe solemniteti u shtri në të gjithë Kishën Katolike.

Mesha e Bolsenës, 1512-14
Mesha e Bolsenës, 1512-14

Veprat e Rafaelit në Dhomat e Vatikanit

Kjo është një nga mrekullitë më të njohura dhe më të famshme në histori. Shumë artistë e përjetësuan atë çast të jashtëzakonshëm, duke përfshirë edhe Raphael-in. Kujtojmë, së pari, një afresk në dhomën e Heliodorus, ndërmjet Dhomave të Vatikanit. I realizuar në vitin 1515, synon të përkujtojë devocionin e Julit II ndaj Eukaristisë, në një kohë konfliktesh dhe lëvizjesh të reja doktrinore të kundërta. Skena është e ndarë në dy pjesë, si një partiturë me dy akte, mes të shkuarës dhe së tashmes. Në qendër është Altari, me një mbulesë luksoze të qëndisur me mbishkrime. Çasti i mrekullisë, apo ajo që ndodhi, pasqyrohet përmes priftit të shtangur dhe të ndihmuar nga djemtë e altarit me qirinj, ndërsa njerëzit tronditen nga befasia. Në anën e kundërt, i gjunjëzuar, në profil, duke u lutur, Papa! Poshtë tij, disa kardinaj e edhe më poshtë, karrige të reja dhe të shkëlqyera. Nga kjo anë gjithçka është statike, pothuajse e palëvizshme. Ndërsa e kaluara përshkruhet në dinamizmin e lëvizjes, e tashmja është e ndalur, në paqen e fesë.

Lidhja ndërmjet Darkës së Mbrame dhe Corpus Domini

Sipas Papës Urbani IV, kjo duhej të ishte një festë e gëzueshme në të cilën njerëzit duhet të merrnin pjesë me himne dhe këngë. Për këtë arsye, Shën Toma i Akuinit u ngarkua nga Papa për të kompozuar Oficen Hyjnore të Corpus Domini, liturgjinë e orëve dhe mesalin. Himni eukaristik Pange Lingua, në veçanti, na kujton lidhjen e thellë  të Corpus Christi me Darkën e Fundit të Zotit, duke theksuar nga përshtatja e shkathët e Tomës, himnet e së Enjtes së Madhe - kompozuar nga Venantius Fortunatus - i cili jetoi ndërmjet shekujve 6 dhe 7 - për liturgjinë e re. Premtimi i Pashkëve të së Enjtes së Madhe bëhet realitet konkret në Corpus Domini.

Justus of Gent, Communion of the Apostles, 1473-1476, vaj në panel, 288x321 cm, ©Mic, Galeria Kombëtare e Marche, Urbino, Ph Claudio Ripalti
Justus of Gent, Communion of the Apostles, 1473-1476, vaj në panel, 288x321 cm, ©Mic, Galeria Kombëtare e Marche, Urbino, Ph Claudio Ripalti

Lidhja  përshkruhet edhe në disa vepra arti, të cilat tregojnë Jezu Krishtin duke u dhënë kungimin apostujve të gjunjëzuar. Njëra nga më të admirueshmet ndodhet në Urbino, në Galerinë Kombëtare të Marche.

Është një ikonografi që, ndërsa të kujton skemën e Darkës së Mbrame, shquhet nga identiteti i qartë dhe i dukshëm: Krishti, në këmbë, në qendër, nuk bekon bukën, por ua jep osten apostujve, të cilët nuk janë ulur në tryezë, por gjunjëzohen me duart e shtrira drejt Tij. Engjëjt në lutje, në fluturim nën tavanin e dhomës, i japin skenës solemnitet dhe shenjtëri më të madhe. Një detaj jo pak i rëndësishëm, i pranishëm edhe në vepra të tjera me të njëjtën temë, si në veprën e Cola dell'Amatrice, është se figurat e apostujve dhe Krishtit janë përballë panelit që mbetet në sfond dhe jo pas, si në Darkën e Fundit, duke shënuar kufirin e kohës dhe përmbushjen e Misionit të Krishtit në tokë.

Dhunimi, si antitezë

Le të kthehemi përsëri te altari i madh në Urbino: në bazën e pikturës së Gentit ka një podium, vepër e Paolo Uccello, “Mrekullia e ostes së dhunuar” e cila mund të datohet në vitet para asaj të piktorit flamand, ndërmjet viteve 1467 dhe 1468. Podiumi na kujton një ngjarje që ndodhi në Paris, në vitin 1290, e rrëfyer nga historiani fiorentin Villani, e cila lidhet me polemikën e gjallë të asaj kohe kundër hebrenjve. Skenat e ndryshme i shënojnë episodet në një mënyrë të gjallë dhe plot ngjyra, duke krijuar një përrallë të vërtetë, ndërmjet tmerruesve dhe ndërtuesve. Qëllimi është paralajmërimi. Në veçanti, në skenën e tretë me rishenjtërimin e ostes, vjedhur dhe shitur nga një grua tek një fajdexhi, që kishte nisur të kullojë gjak e që të kujton kremtimet e Corpus Domini. Një episod që duket se është e kundërshta e mrekullisë së Bolsenës.

Procesioni me të Shenjtnueshmin, prani e gjallë e Zotit

Një nga shenjat më të forta të solemnitetit të Corpus Christi është procesioni tradicional. I Shenjtnueshmi mbartej e vijon të mbartet edhe sot e kësaj dite nëpër rrugë, nën një baldakin. Karakteristikë e shumë vendeve të Italisë, por jo vetëm, janë edhe të ashtuquajturat infiorate, tapetet e bëra me petale lulesh për të formuar dekorime dhe imazhe me bukuri të jashtëzakonshme. Korteu ka një vlerë të thellë dhe nuk është vetëm shprehje popullore e fesë apo e zakoneve folklorike. Ta çosh të Shenjtnueshmin Sakrament rrugëve plot me njerëz do të thotë të nënvizosh praninë e gjallë të Jezusit dhe të kujtosh fjalët e tij: "E ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në fund të fundit të botës" (Mt 28, 20).

Edhe ky çast solemn i liturgjisë së Corpus Christi përshkruhet gjerësisht në art, nga miniaturat - te afresket dhe telajot. Periudha kur ikonografia arriti sukses të veçantë, ishte epoka baroke për shkak të madhështisë dhe koralitetit të çastit, në të cilin pjesëmarrësit e ndryshëm fisnikë donin të dukeshin, që kështu edhe të vetë-festoheshin.

Por edhe në veprat moderne mund të vërejmë risi të veçanta dhe kërkim të një kuptimi më të thellë. Njerëzit bëhen të vegjël dhe përzihen në një turmë popullore brohoritëse ose që lutet. Heshtja dhe përqendrimi i më të thjeshtëve dhe më të përvuajturve mund të soditet në veprën e piktorit sardinez Giuseppe Biasi, në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, i cili pikturoi një procesion të largët dhe një kishë të thjeshtë zhytur në një panoramë rozë.

Të ngjashme me këtë si ndjenja dhe klimë, janë edhe vepra të tjera të të njëjtit piktor, kushtuar disa herë të njëjtës temë.

Procesioni Corpus Domini në Chieti është një pikturë e jashtëzakonshme dhe shumë e veçantë, vepër e Francesco Paolo Michetti-t (1851-1929) e cila fitoi çmim në Ekspozitën Kombëtare të Napolit më 1877. Procesioni përparon drejt nesh, spektatorëve, duke u larguar nga kisha, dhe për këtë arsye nuk shihet në rrjedhën e saj anësore siç ndodh zakonisht në këtë tip ikonografie. Fasada e madhe e ndërtesës kishtare e bllokon të gjithë hapësirën si sfond i madh, duke lënë vetëm një pamje anësore të qiellit fshatarak. Prifti me tabernakullin duket i vogël mes turmës, nën tendën me vija të arta. Nga brenda kishës mund të shihet projektimi i një dritë të bardhë, verbuese. Siç u vu re nga Francesco Netti, piktor napoletan, bashkëkohës i Michetti-t, në vend që të jetë pikturë kishtare, është grumbull detajesh dhe figurash. Njerëz të zakonshëm me veshje rajonale, turmë besimtarësh, muzikantë, fëmijë dhe adoleshentë. Një i ri po ndez një fishekzjarre dhe tremb një murgeshë të re; pas tij banda e qytetit fillon të luajë me trombonë dhe një daulle të madhe. Një nënë rrok në kraharor dy fëmijët e saj të vegjël. Fëmijë të tjerë janë stolisur me lule e edhe më shumë lule hidhen dhe bien në shkallët e oborrit të kishës. Atmosferë ndërmjet së shenjtës dhe profanes, gëzimit popullor dhe fesë së krishterë e kujtimeve dionisiane. Në vitin 1888, duke kujtuar veprën brilante dhe revolucionare të Michetti-t, Gabriele D'Annunzio, mik i artistit dhe bashkatdhetar i tij, shkruante: “Dhe Corpus Domini ishte për të gjithë ne, kërkues të shqetësuar të një arti të ri, Fjalës së pikturuar; ishte, në kishën tonë, shembëlltyrë e shembëlltyrëve”.

Corpus Christi në letërsi

Edhe në letërsi, si në pikturë, festa e Corpus Domini zgjoi frymëzime, shëmbëlltyra e ndjesi të reja. Mjafton të sjellim ndërmend vargjet e Carduccit, të natyrës klasike, por edhe ato të poetit hermetik Carlo Betocchi, që të tmerrojnë, të trondisin, të magjepsin. Ata duket se dramatizojnë pikturën e Michetti-t, por gjithashtu na bëjnë të mendojmë për kisha gjithnjë e më të zbrazëta. Poeti hermetik gjallërohet nga besimi i thellë, nga ndjenja e vëllazërisë, nga prania e Zotit në jetë. Ka shpresë për njeriun, kur mendon se Krishti nuk na braktis kurrë. Në këto vargje, të cilat vetëm në shikimin e parë janë trishtuese, duket sërish figura e Shëlbuesit, duke i dhënë jetë dhe shpresë të gjithëve. Edhe nëse njeriu dezerton e harron, Krishti nuk e braktis kurrë. E dëshmon këtë duke ngjallur jetë dhe shpresë përmes dy tufave të trishtuara lulesh, shkulur nga dheu, që shndërrohen dhe fillojnë të marrin frymë.

Mrekullia e Korpit të Krishtit

(Përkthim i lirë nga italishtja)

N’ një fshat t’vogël malor,

Mesha mbet pa kremtuar

nën hije të një rrapi

n’një skutë krejt të harruar

 

Kisha zë e ankohet:

në rrugë, si moskurrë

nuk shihet asnjë grua

nuk ecën asnjë burrë!

 

Kanë punë e rengje të tjera

kta burrat e kësaj ane,

merren me fëmijët e këqij

zihen me ndoj’ zeshkane!

 

Në këtë Kishë krejt boshe

Kot prifti po pret sot

e drita e qiriut,

përflaket krejtësisht kot!

 

Ndërsa një varfanjake

loton e gjunjëzuar;

në altarin e Marisë,

qan tjetra, e dëshpëruar…

 

Po Jezu Krishti e donte

dikënd në Kishë të tij:

ndaj mori tufa lulesh

edhe i bëri fëmijë;

 

Prekje e mrekullueshme:

Kisha u mbush papritë

në festë të Corpus Domini,

me këngë edhe me dritë!

02 qershor 2024, 16:09