Kërko

Artistë të humorit në Vatikan, për herë të parë

Më 14 qershor Papa do të takohet, në Pallatin Apostolik, me protagonistët e humorit nga vende të ndryshme të botës. Veprimtaria, e organizuar nga Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin dhe Dikasteri për Komunikimin, synon ta lidhë Kishën Katolike me artistët e humorit, për të kremtuar bukurinë e larmisë njerëzore dhe për të nxitur mesazhin e paqes, të dashurisë e të solidaritetit. Më shumë se njëqind artistë e artiste do të vijnë kryesisht nga Italia, por edhe nga vende tjera të afërme e të largta.

R.SH. / Vatikan

“I bëjnë fëmijët të qeshin dhe e ndriçojnë për një çast fytyrën e dëshpëruar të njeriut të vetmuar… Përmes shfaqjes dhe festës, i  afrojnë njerëzit me njëri-tjetrin”…. Me këto fjalë, më 16 dhjetor 1993, Papa Shën Gjon Pali II u drejtohej gjatë një audience "njerëzve të Cirkut". Është një nga rastet e shumta në të cilat, gjatë shtatëdhjetë vjetëve të fundit, së bashku me akrobatë dhe funamboli, apo artistë, që ecin mbi litar, artistët e cirkut kanë hyrë në Vatikan me mesazhin e tyre të "festës dhe të miqësisë". Megjithatë, asnjë Papë nuk i kishte kushtuar kurrë më parë një audiencë të veçantë "protagonistëve të fushës së humorit", siç do të ndodhë të premten, më 14 qershor, në Pallatin Apostolik, ku Papa do të takohet me më shumë se 100 artistë, humoriste dhe humoristë, që vijnë kryesisht nga Evropa dhe nga kontinenti amerikan.

Humor për meditim mbi realitetin

Papa Pali VI, fillimisht në periudhën pas Koncilit të Dytë të Vatikanit, e më pas Benedikti XVI si dhe vetë Papa Françesku, i kushtuan audienca të veçanta "artistëve" në të kaluarën, por kjo është veprimtaria e parë e Vatikanit - organizuar bashkërisht nga Dikasteri për Kulturë dhe Arsim dhe nga Dikasteri për Komunikim - e cila synon "të krijojë lidhje ndërmjet Kishës Katolike dhe artistëve komikë". “Françesku - thuhet në njoftimin për shtyp që e paraqet këtë ngjarje të pazakontë - e njeh mirë ndikimin e dukshëm që ka arti i komedisë në botën e kulturës bashkëkohore”. “Përmes talentit humoristik dhe vlerës së të qeshurit sot ofrohen reflektime unike mbi gjendjen njerëzore dhe situatën historike. Për më tepër, arti i komedisë mund të kontribuojë në një botë më mirëkuptuese dhe më solidare".

Prandaj Papa e konsideron humorizmin si rast takimi, por mbi të gjitha, si interpretim që ndihmon për ta kuptuar më mirë realitetin. Nuk ka pse të na çudisë kjo njohje e kapacitetit "hermeneutik" të buzëqeshjes në kontekstin e mendimit katolik. Në vitin 2017, një artikull në La Civiltà Cattolica e përkufizon humorin si "inteligjencë e re, e cila relativizon dhe ridimensionon atë, që dikush do të donte të merrej si absolute dhe sublime" e, njëkohësisht "vë në dukje diçka të pathënë që, edhe nëse mbulohet, shkel logjikën dhe përbën një element befasie”. Sipas autorit Atë Giampaolo Salvini, humori ndihmon edhe për të “çmitizuar veten e të tjerët” e për ta dashur botën, pavarësisht nga shëmtimet e saj, ose më saktë, pikërisht për shkak të tyre!

Virtyt shenjtërie

Koncepte të përsëritura, këto, në magjisterin e Françeskut, i cili, siç dihet, e thotë për ditë "Lutjen e humorit të mirë" të Shën Thomas More, madje i kushtoi edhe një paragraf temës së nxitjes së tij apostolike të vitit 2018, Gaudete et exsultate, thirrje për Shenjtërinë në botën bashkëkohore. “Shenjti - shkruan - është i aftë të jetojë me gëzim dhe me një sens humorizmi. Pa humbur realizmin, i ndriçon të tjerët me frymë pozitive dhe shpresëdhënëse”. “Një prift që nuk ka pikë humori, nuk pëlqehet, ndjehet se diçka nuk shkon” - pati përsëritur Papa në vitin 2021, duke takuar priftërinjtë e Bashkësisë të Shën Luigjit të Francezve, në Romë. “Imitoni ata priftërinj të mëdhenj, që qeshin me të tjerët, me veten dhe madje edhe me hijen e tyre: sensi i humorit është një nga karakteristikat e shenjtërisë”. E në të njëjtin vit, duke takuar misionarët klaretinianë në Vatikan, shton: "Di të qeshësh në bashkësi, di të bësh shaka me batutat që thonë të tjerët, mos e humb sensin e humorit, është hiri i gëzimit e gëzimi është përmasë  e shenjtërisë”.

 Tallja me vetveten i bën engjëjt të fluturojnë

"Fakti që ndjenja e gjallë e humorit" është "shenjë inteligjence, por edhe lirie të brendshme" u mbështet edhe nga Benedikti XVI, në predikimin për funeralin e kardinalit Spidlik, në vitin 2010. Vetë Papa Benedikti, në një intervistë për një gazetë gjermane, në vitin 2006, citoi pa e përmendur emrin e tij, shkrimtarin britanik Gilbert Keith Chesterton, duke shpjeguar mirë potencialin shpirtëror të autoironisë – a të vetëtalljes: “Një farë shkrimtari kishte thënë se engjëjt mund të fluturojnë, sepse nuk e marrin veten shumë seriozisht. Ndërsa ne ndoshta do të mund të fluturonim edhe pak më shumë, nëse nuk do t'i jepnim vetes kaq shumë rëndësi". “Françesku - shton Komunikata e Shtypit, që njofton audiencën e 14 qershorit - shpreh besimin se humoristët - aktorë, artistë, karikaturistë, shkrimtarë... - kanë "aftësinë të ëndërrojnë variante të reja të botës", dhe se shpesh e bëjnë këtë “me ironi, që është virtyt i mrekullueshëm”.

Një kastë ndërkombëtare ndërbreznore

Në Pallatin Apostolik, Papa do të presë artistë, aktore dhe aktorë, autorë, komunikatorë, drejtues radiofonike dhe "komediantë" që vijnë nga Argjentina, Brazili, Kolumbia, Meksika, Timori Lindor, Shtetet e Bashkuara, por mbi të gjitha, nga Evropa. Grupi i italianëve është mbresëlënës. Përfshin brezni të shumta e zhanre edhe më të shumta komedie. Janë aktorë të njohur, në kinema dhe në TV, si Carlo Verdone, Cochi Ponzoni, Silvio Orlando, Cristian De Sica dhe Lino Banfi, ky i fundit i pritur tashmë disa herë nga Papa, por edhe humoristë të brezave të mëvonshëm, si Luciana Littizzetto, Elio, Nino Frassica, Alessandro Bergonzoni, Ale dhe Franz, deri tek emrat më të fundit si Valerio Lundini, Pio dhe Amedeo, Geppi Cucciari, Emanuela Fanelli.

Nuk mungojnë as ‘magjstarët’ e humorit: Raul Cremona dhe Michele Foresta (në art Magjisteri Forest) dhe dy artistë që përdorin laps dhe penel, si Don Giovanni Berti (karikaturisti Gioba) dhe artisti i rrugës nga Borgo, Mauro Pallotta (Maupal). U takua me Papën tetorin e kaluar aktorja amerikane Whoopi Goldberg, e megjithatë do të rikthehet dhe këtë herë së me bashkatdhetarët e famshëm si spikeri i televizionit Jimmy Fallon dhe aktorët e humorit Chris Rock dhe Conan O'Brien.

Mesazh paqeje dhe solidariteti

“Takimi i Papës me aktorët komikë të botës - përfundon komunikata - synon të kremtojë bukurinë e larmisë njerëzore, të nxisë mesazhin e paqes, të dashurisë dhe të solidaritetit dhe premton të jetë një çast i rëndësishëm i dialogut ndërkulturor dhe i ndarjes së përbashkët të gëzimit dhe shpresës". Pikërisht thirrje për paqe e shpresë - "Jini heronj, që mposhtin luftën!" - kjo thirrje u nis nga Sheshi i Shën Pjetrit më pak se një muaj më parë nga një tjetër humorist italian, Roberto Benigni, në fund të Ditës Botërore të Fëmijëve. Të duket se Françesku dëshiron t'i drejtohet gjithnjë e më shumë butësisë së Shpirtit si kundërhelm ndaj barrës së padurueshme të së keqes!

12 qershor 2024, 17:04