Kërko

Vangelo - perdonare Vangelo - perdonare

Aftësia për të falur e ndryshon jetën tonë. E edhe botën

Vëllai Roger Schutz (1915-2005): “Lutja është thesar i Ungjillit! Hap rrugën, që të çon në dashuri dhe falje. Falja mund ta ndryshojë zemrën dhe jetën tonë: largohen, atëhere, ashpërsia e rreptësia e gjykimit për t'i bërë vend mirësisë dhe dhembshurisë së zemrës. E bëhemi kështu të aftë të kuptojmë, më shumë sesa të kuptohemi.

R.SH. / Vatikan

Të gjithë e kemi lexuar, e kemi shkruar dhe e kemi menduar të paktën një herë: gjëja më e vështirë në jetë është t’i falim me gjithë shpirt ata, që na bënë a na bëjnë keq. Është fjala për një gjest a qëndrim që, në disa raste, nuk është e tepërt ta konsiderosh si kulmin e heroizmit. Të mendojmë për dikënd, që pati një të afërm të vrarë nga ndonjë sulm, ose kë humbi një fëmijë, të shtypur nga një shofer fatkeq…

E megjithatë, falja është themelore, nëse nuk dëshiron të jetosh me një barrë të rëndë në zemër. Atëherë lutja mund të jetë ndihmë e madhe, jo sepse e bën dhimbjen të zhduket, por sepse na mëson ta shohim botën me sytë e Zotit, ta ndiejmë se dashuria e tij Atërore rrok jetën tonë, veçanërisht kur gjithçka na duket boshe, e errët dhe e pakuptimtë.

Vëllai Roger Schutz (1915-2005), themelues i bashkësisë murgare ekumenike të Taizé-së, e përshkruan një çast të tillë me qartësi dhe thellësi:

 “Lutja është thesar i Ungjillit! Hap rrugën, që të çon në dashuri dhe falje. Falja mund ta ndryshojë zemrën dhe jetën tonë: largohen, atëhere, ashpërsia e rreptësia e gjykimit për t'i bërë vend mirësisë dhe dhembshurisë së zemrës. E bëhemi kështu të aftë të kuptojmë, më shumë sesa të kuptohemi.

Kush jeton duke falur, është në gjendje të kapërcejë situata të ngurta, si uji i përroit që në fillim të pranverës hap rrugën në tokën ende të ngrirë.

Sado që ndihemi të prekur, një nga nevojat më urgjente sot është të  mirëkuptohemi - aty ku ka konflikte.

Disa kujtime të së kaluarës janë të mjaftueshme për të ruajtur distancat ndërmjet njerëzve, por edhe ndërmjet kombeve.

Asgjë nuk është më e rrezikshme se kujtimi i plagëve dhe i poshtërimeve. Por as më e ëmbël, se kërkimi i palodhur kurrë i faljes dhe i pajtimit!

Pa harruar se përpjekja e palodhshme për të falur dhe për t’u pajtuar hap një të ardhme të papritur.

E çka është e vërtetë për çdo njeri, “është edhe për atë mister bashkimi, që është Korpi i Krishtit, Kisha e tij".

04 qershor 2024, 11:33