Kërko

Veglia di Preghiera Ecumenica, 2023.09.30 Veglia di Preghiera Ecumenica, 2023.09.30

"A e beson ti këtë?". Materialet e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve publikon materialet e Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve 2025

R.SH. / Vatikan

"A e beson ti këtë?". Kjo pyetje e shkëputur nga Ungjilli i Gjonit, është vija udhëheqëse e materialeve ndihmëse për Javën e Lutjes kushtuar Bashkimit të të Krishterëve 2025. Tekstet ndihmëse u botuan javën e kaluar nga Dikasteri i Vatikanit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, shumë përpara datës së kremtimit të vetë Javës. Por edhe përgatitja e nevojshme, sepse viti i ardhshëm do të jetë veçanërisht ekumenik. Në rrjedhë të tij do të kujtojmë 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, Koncili i parë Ekumenik, që do të kujtohet pikërisht në një Jubile dhe në një vit, në të cilën Pashkët do të kremtohen në të njëjtën ditë nga Kishat e Ritit Lindor dhe Kishat e Ritit Latin.

Pak histori:

Tradicionalisht, Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve kremtohet ndërmjet 18 dhe 25 janarit, sipas një propozimi që u parashtrua në vitin 1908 nga Atë Paul Watson, sepse të dy datat përfshijnë simbolikisht Festën e Katedrës së Shën Pjetrit dhe atë të Kthimit të Shën Palit. Ka pasur shumë pararendës të ndryshëm të shquar, por vetëm duke nisur nga viti 1968, me Palin VI dhe me zhvillimet ekumenike të diktuara edhe nga Koncili II i Vatikanit, Java nisi të strukturohej me një temë dhe me veprimtari të ndryshme, duke përfshirë edhe praninë e Papës për mbrëmësoret në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, kushtuar tradicionalisht dialogut ekumenik.

Në vitin 2020 materialet ndihmëse të lutjeve u hartuan nga Bashkësia Grandchamp, në 2019-tën ishin në dorë të një grupi ekumenik nga Malta, më 2018-tën u kryesuan nga të krishterët e Indonezisë dhe në 2016 u kujdesën nga të krishterët e Letonisë. Në vitin 2022 i erdhi radha  Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme, në 2023-in, Minesotës.

Për vitin 2024, materilet ndihmëse për Javën e Lutjes kushtuar Bashkimit të të Krishterëve u përgatitën prej një ekipi ekumenik nga Burkina Faso, i përbërë nga anëtarë të Kryedioqezës Katolike të Ouagadougou, Kishave Protestante dhe Komunitetit Chemin Neuf të Burkina Fasos - një bashkësi veçanërisht aktive në kauzën e unitetit të krishterë. Këtë vit, lutjet dhe reflektimet e Javës së Lutjes për Unitetin e Krishterë u përgatitën nga vëllezërit e motrat e bashkësisë murgare të Bose-s, në Italinë Veriore.

Tekstet - të cilat janë sugjerim dhe mund të përshtaten në varësi të situatave, nevojave, traditave lokale - propozojnë një shtegtim tetë-ditor, me një lutje të përditshme, e cila përfshin meditimin mbi dy lexime të Shkrimit Shenjt dhe një Psalm. Çdo ditë do të komentohet një nga pohimet kryesore të Besojmës së Nikesë.

Kështu, në ditën e parë do të flitet për atësinë dhe kujdesin e Zotit që qeveris universin; në të dytën, për Krijimin, ashtu si vepër e Zotit; në të tretën, për mishërimin e Birit të Zotit; në të katërtën, për misterin e Mundimeve, vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit. Ditën e pestë do të reflektohet për Shpirtin Shenjt, dhurues i jetës dhe i gëzimit, në të gjashtën, për Kishën si bashkësi besimtarësh, në të shtatën, për Pagëzimin, vdekjen dhe ringjalljen e Zotit e, në ditën e tetë, për ardhjen e Mbretërisë së Zotit.

Një zgjedhje e diktuar nga fakti - lexojmë në hyrjen e teksteve ndihmëse –se “këtë vit kujtohet 1700-vjetori i Koncilit I Ekumenik” të Kishës, e kjo është “mundësi unike për të reflektuar dhe për të kremtuar fenë e përbashkët të të krishterëve, siç shprehet Besojma e formuluar gjatë Koncilit të Nikesë - një fe që mbetet e gjallë dhe e frytshme edhe sot e kësaj dite”.

Në Koncilin Kishtar të Nikesë, thirrur nga Perandori Konstandin, merrnin pjesë e 318 Etër, shumica e tyre nga Lindja, në një Kishë e cila "sapo doli nga fshehja dhe persekutimi, kishte nisur të provonte sa e vështirë ishte të jetohej e njëta fe, në rrethanat e ndryshme politike dhe kulturore të kohës”.

Kështu, marrëveshja për tekstin e Besojmës ishte "çështje e mbrojtjes së themeleve të përbashkëta, mbi të cilat do të ndërtoheshin bashkësitë lokale që njihnin njëra-tjetrën si kisha motra, duke respektuar larmitë e njëra-tjetrës" e duke kapërcyer mosmarrëveshjet e viteve të mëparshme të cilat "kishin degjeneruar në konflikte serioze”, që kishin të bënin, për shembull, me natyrën e Krishtit lidhur me Atin, çështjen e datës së Pashkëve, lidhjen e tyre me Pashkët hebraike dhe rikthimin e besimtarëve, të cilët kishin braktisur fenë në vitet e mëparshme.

Në tekstin ndihmës theksohet se Kredoja - apo Besojma - u miratua me formulën në vetën e parë shumës "Ne besojmë", e cila "theksonte një përkatësi të përbashkët" dhe ndahej në tri pjesë kushtuar tri Vetjeve të Trinisë. Më pas, në vitin 381, gjatë Koncilit të Kostandinopojës, teksti i Besojmës u rishikua, u zgjerua dhe u hoqën dënimet. E kjo është forma e Besojmës që kishat e krishtera e njohin sot si Besojma Nikeno- Kostantinopolitane.

Besojma

Po kujtojmë se Besojma e fesë së krishterë thuhet rregullisht në Meshë të dielave dhe festave, përveçse në raste të veçanta të jetës së të krishterit! Përmes saj në Kishën katolike shprehet botërisht besimi personal dhe i përbashkët i atij ose i atyre që besojnë. Besojma përfshin pikat themelore të mësimit të fesë sonë; përmban detyrimin tonë për të jetuar sipas kësaj feje dhe thelbin kryesor të fesë.  Në dallim nga Besojma Apostolike, e cila shpesh u prin përshpirtërive mariane dhe litanive, thirret e lutët Besojma e Nikesë, sepse u shpall nga Koncili i parë i Nikesë (325). Dhe vërtetë, ajo u përsërit gjatë shekujsh e erdhi deri në kohët tona, ashtu si e formuluan dhe e shqiptuan për herë të parë Etërit e Kishës, të mbledhur në një shenjtërore të lashtë të Nikesë. Besojma rrjedh nga liturgjia e ritit të pagëzimit e, më pas, u përfshi në liturgjinë e Meshës. Edhe sot, sipas traditës apostolike, meshtari, në formën e tri pyetjeve, i bën me dije prindërit, nunët dhe nunat se në çka beson Kisha, pret prej tyre dëshmimin e kësaj feje dhe i porosit t’i japin fëmijës në rritje, edukatën e nevojshme fetare.

Besojma është shprehje e unitetit të Kishës!

Teksti

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellës e të dheut,

të gjitha sendeve që shihen dhe nuk shihen.

Edhe në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Drite, Hyj i vërtetë

prej Hyjit të vërtetë.

Të lindur, jo të krijuar, të njëgjëjtë me Atin:

Nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet.

Ai për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti

prej qiellit.

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

Në kraharorin e Virgjrës Mari: e u bë njeri.

Dhe u kryqëzua për ne nën Poncin Pilat;

Pësoi mundimet, u varros,

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve,

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Edhe në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëbërës:

që rrjedh prej Atit dhe prej Birit.

Dhe së bashku me Atin dhe Birin adhurohet

dhe lavdërohet,

Që foli me anë të profetëve.

Edhe në një Kishë të vetme, shenjte, katolike,

apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

Dhe jetën e pasosur. Amen.

06 qershor 2024, 11:02