Vatikani: turizmi të bëhet impenjim konkret për paqen
R.SH. – Vatikan
Binomi "Turizëm dhe paqe", që i jep titullin Ditës së 45-të Botërore të Turizmit, kremtuar nga OKB-ja më 27 shtator, nuk mund të ishte më i përshtatshëm "në një periudhë kaq të trazuar si e jona" për t'u dhënë njerëzve, që do të vihen për udhë “një çast reflektimi dhe impenjimi personal”. Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzimin e shkruan këtë në një mesazh për këtë rast publikuar më 28 maj, firmosur nga imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Seksionit për çështjet themelore të ungjillizimit në botë, ku nënvizohet se lufta, duke mos garantuar sigurinë e njerëzve, ndikon negativisht në turizëm dhe në veprimtari të ngjashme. “Aty ku ka vatra lufte – lexojmë – mungesa e turistëve e shton varfërinë e popullsisë, së cilës i mungon një nga format e nevojshme për të jetuar me dinjitetin e duhur”.
Histori, kulturë dhe përkushtim ndaj vëllazërimit
Dikasteri, i cili merret me turizmin fetar, dëshiron të kontribuojë në mënyrë që mesazhi i paqes të arrijë tek ata, që punojnë në këtë sektor. Ai kujton me mirënjohje impenjimin e shumë meshtarëve dhe laikëve, "të cilët ia kushtojnë jetën turizmit dhe shtegtimit aktiv e të frytshëm", duke i ftuar "në shtigje të reja", aty ku është e nevojshme. “Interesi, që i bën të lëvizin miliona turistë – vërehet në tekst – mund të kombinohet lehtësisht me përkushtimin ndaj vëllazërimit, për të krijuar një rrjet ‘lajmëtarësh të paqes’, që i flet gjithë botës e për të kërkuar fundin e çdo lufte dhe rihapjen e territoreve plot histori, kulturë dhe fe”. Turizmi, nënvizohet më tej, “mund të inkurajojë ndjeshëm rilidhjen e marrëdhënieve ndërpersonale për të cilat ndjejmë nostalgji të thellë”. Bëhet fjalë për "kulturën e takimit", "mbështetur fuqishëm nga Papa Françesku".
Në bagazh, hapja ndaj botës dhe ndaj të tjerëve
Takimi ndërmjet njerëzve është rast për dialog, njohje reciproke dhe burim respekti, prandaj, turizmi fetar duhet t'i vendosë të gjitha këto në qendër. “Të mos mungojë kurrë thirrja dhe lutja për paqen në botë e, njëkohësisht, edhe ajo për marrëdhëniet ndërpersonale” – shkruhet në Mesazh, ku i kërkohet çdo shtegtari të marrë me vete në bagazh interesin mendjehapur ndaj botës e ndaj të tjerëve.
Shtegtarë në Romë për Jubileun 2025
Mesazhi kujton se Jubileu 2025, duke filluar nga 24 dhjetori i ardhshëm, do të sjellë miliona shtegtarë në Romë "për të jetuar përvojën e ndjesës së plotë jubilare", nxitur nga ndjenja e shpresës, që jeton në zemrën e të gjithëve. “Turizmi i karakterizuar nga kjo shpresë – nënvizohet më tej – mund të bëhet shenjë konkrete dhe e prekshme për arritjen e paqes”. Lidhur me këtë, përmenden disa fjalë kuptimplote të Papës Françesku: "A është e tepërt të ëndërrosh që armët të heshtin dhe të mos sjellin më shkatërrim e vdekje? Jubileu të kujtojë se ata, që bëhen 'veprimtarë të paqes, do të quhen bij të Zotit'. Nevoja për paqen i sfidon të gjithë dhe na kërkon të ndjekim projekte konkrete”. Në Ditën e ardhshme Botërore të Turizmit, kjo është ftesa që u drejtohet të gjithë veprimtarëve të fushës dhe atyre, që vihen për udhë “me ndjenja dhe dëshira për qetësi e harmoni”.