Kërko

Papa nënshkruan Kartën e Asizit, krijuar për fëmijët

Papa Françesku nënshkroi Kartën e Asizit, krijuar për fëmijët. Një delegacion gazetarësh, të pranishëm në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, 22 maj, u prit nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit pak ditë para Ditës Botërore të Fëmijëve, që do të mbahet më 25 dhe 26 maj.

R.SH. / Vatikan

Karta, e përgatitur nga Atë Enzo Fortunato, Iside Castagnola dhe Roberto Natale, rikujton parimet dhe përmbajtjen për "komunikim të mirë", të pranishme në Kartën e Asizit promovuar nga Neni 21 dhe Tryza e paqes, nënshkruar nga Urdhri i Gazetarëve dhe organizma të tjera.  

Delegacioni që, me Atë Enzo Fortunato-n, i dorëzoi letrën Papës, përbëhej nga Carlo Bartoli, president i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Gazetarëve; Paola Spadari sekretare kombëtare e Urdhrit; Guido D'Ubaldo, kryetar i Urdhrit të Gazetarëve të Lazios; Enzo Varagona, kryetar i Bashkimit të Shtypit Katolik Italian (Ucsi); Elisa Marincola zëdhënëse për Nenin 21; Giuseppe Giulietti, koordinator i presidiumeve të Nenit 21; Iside Castagnola Art.21, avokat ekspert në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve; Roberto Natale, Graziella Di Mambro dhe Antonella Napoli, të bordit të Articolo 21; Angelo Chiorazzo i kooperativës Auxilium.

Të mërkurën e kaluar, pas audiencë së përgjithshme, Atë Fortunato dhe delegacioni i gazetarëve ilustruan Kartën e Asizit për fëmijët në Palazzo della Canonica të qytetit të Vatikanit. “Mbështetja e Papës për përhapjen e Kartës është e rëndësishme - tha At Fortunato - na dha zemër për të ecur përpara”.

Për Bartolin "Karta përkthen në një gjuhë të thjeshtë thelbin e mesazheve të Papës për informacionin dhe komunikimin, veçanërisht nevojën për të përdorur saktë ueb-in dhe mediat sociale, të cilat nuk janë thjesht mjete, por mjedise, pjesë e jetës sonë". Varagona kujtoi angazhimin e Papës Françesku për komunikimet sociale dhe librin Ucsi, i cili mbledh të gjitha mesazhet e Papës me këtë temë, "nga Papa - tha ai - patëm mbështetje të madhe për ta vazhduar këtë rrugë".

24 maj 2024, 12:09