Kërko

Një dhuratë për Papën: "Kryqi i gëzimit"

Një dhuratë për Papën: "Kryqi i Gëzimit" i Paladino-s, riprodhuar nga Fondacioni Beato Angelico. Artizanët e shkollës historike milaneze e riprodhuan, në një format më të vogël, punën e skulptorit dhe të piktorit, krijuar për Ditën Botërore të Fëmijëve. Në të janë simbolet e krishtera, së bashku me elementet e fantazisë, për ta nxitur atë dhe për ta pajisur me vitalitetin e urtisë liturgjike të Kishës.

R.SH. / Vatikan

Peshku, dielli, kometa, dega e ullirit, kelku eukaristik. Në Kryqin e Gëzimit janë të gjitha elementet e krishtera, së bashku me aludimet përrallore, që ta nxisin imagjinatën: një vepër 4 metrash, e krijuar nga piktori dhe skulptori i njohur Mimmo Paladino, projektuar për Ditën Botërore të Fëmijëve që u kremtua dje dhe sot, më 25 dhe 26 maj.

Artizanët e Fondacionit të Shkollës Beato Angelico në Milano, vatër shekullore dhe pjellore e talentit - aktualisht e udhëhequr nga Don Umberto Bordoni - të cilët që nga viti 1921 ngritën ndërtesa kishtare, krijuan mijëra altarë, piktura, afreske, mozaikë dhe objekte për adhurim, riprodhuan tani një kopje të vogël në smalt për t'ia dhuruar Papës Françesku, me rastin e ngjarjes globale që do ta shihte Atin e Shenjtë në mes të fëmijëve nga mbarë bota.

Simbolika e krishterë dhe fantazia kromatike e Kryqit, e paraqitur të Dielën e Trinisë, "shoqëron simbolizmin e krishterë, me fantazisë kromatike", siç shpjegoi vetë Paladino. Kështu, peshqit, simbol i Krishtit, bëhen peshq fluturues; pilivesa është simbol i botës së mrekullueshme të insekteve … E, me të gjitha këto krijesa fluturuese - engjëjt, zogjtë, serafinët - që shoqërojnë manifestimet e Zotit, bashkohen pastaj yjet, lulet dhe frutat, që shndërrohen në njëri-tjetrën.

Art për të nxitur reflektimet

Gjithçka nxit reflektime të ndryshme: nxit mundësinë e krijimit të rrëfimeve dhe të ëndrrave, përmes kombinimit të përfytyrimeve simbolike, mësim i madh për teologjinë e të gjitha kohërave, vitalitet i përjetshëm i urtësisë liturgjike të Kishës dhe i Kryqit të Krishtit, që është manifestim i urgjencës për ta jetuar atë fjalë të Ungjillit të Mateut, që na nxit të rikthehemi shpirtërisht në kohën e lume të foshnjërisë:

“Atëherë Jezusi thirri një fëmijë pranë vetes, e vendosi ndërmjet tyre dhe tha: Në të vërtetë po ju them: nëse nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve” (Mt 18,2-3).

26 maj 2024, 14:21