Shpirti Shenjt dhe Maria
R.SH. / Vatikan
Shpirti Shenjt dhe Maria Virgjër! Në muajin maj, e pikërisht këtë të diele, Kisha katolike kremton solemnitetin e Rrëshajëve. Me këtë rast Kisha thekson lidhjen e ngushtë të Marisë me Shpirtin Shenjt, duke i ftuar të gjithë besimtarët të frymëzohen prej Nënës së Krishtit.
Festa e madhe e Rrëshajëve na fton të meditojmë për lidhjen ndërmjet Shpirtit Shenjt e Marisë. Lidhje tejet e ngushtë, e privilegjuar, e pazgjidhshme, sepse feja e Marisë tërheq dhuratën e Shpirtit hyjnor. E gjithë ngjarja e lindjes së Jezusit dhe e fëmijërisë së tij të parë udhëhiqet në mënyrë pothuajse të dukshme nga Shpirti Shenjt, ndonëse nuk përmendet gjithnjë. Zemra e Marisë, në përkim të plotë me atë të Birit hyjnor, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet me fe, me shpresë e me dashuri.
Prej këndej, Kisha i ftoi të gjithë t’i përngjasin Marisë, Nënës së Jezusit e në shkollën e Marisë mësojmë edhe ne ta njohim praninë e Shpirti Shenjt në jetën tonë, ta ndjejmë frymëzimin që vjen prej tij e ta ndjekim përvujtërisht. Ai na bën të rritemi, sipas natyrës së Krishtit, e na dhuron frytet e mira, që Shën Pali Apostull i numëron në Letrën drejtuar Galatëve: “Dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, butësinë, besnikërinë, përvujtërinë, vetsundimin (Gal 5,22).
Maria nuk mund të kuptohet pa Shpirtin Shenjt. Lidhje tejet e ngushtë, e privilegjuar, e pazgjidhshme, sepse feja e Marisë tërheq dhuratën e Shpirtit hyjnor. Jezusi i ngjallur u tha Apostujve: “Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjn 20,21); e u dha atyre Shpirtin e tij të Shenjt. Kjo do të thotë se, ashtu siç Jezusi ishte lajmëtar i dashurisë së Hyjit Atë, edhe ne duhet të jemi lajmëtarë të dashurisë së Krishtit: të jemi lajmëtarë të ngjalljes së tij, të fitores së tij mbi të keqen e mbi vdekjen, bartës të dashurisë së tij hyjnore.
Lutje Shpirtit Shenjt
Lutje Shpirtit Shenjt
Eja, o Shpirt Ngushëllues,
ti e sheh hutimin tonë,
jetën tonë të trazuar e njeh
ndër rrugët e vështira të historisë,
ku shpesh na pret veç rrëzimi.
Po Ti je aty e i mbështet
ata që vuajnë për drejtësi,
ata që luftojnë për paqe.
Mos lejo që arroganca
e interesat e të fortëve
të fitojnë mbi vuajtjen e të varfërve
e mbi poshtërimin e të ligshtëve!
Eja, o Shpirt Ngushëllues:
Ti e njeh etjen tonë për dashuri
e për ngrohtësi njerëzore,
nevojën për ngushëllim.
Ti e njeh trishtimin e ankthin
që zemrat na i pushton.
Ndihmoi, o Shpirt i Zotit, të vetmuarit.,
brerë nga dëshpërimi,
e zgjo ndër zemra dëshirën
për të ndarë së bashku gaz e lot.
E sill mes nesh, ti Shpirt i Zotit
vetëm vëllazërim e pajtim.
Eja, o Shpirt Ngushëllues,
Ti e di sa e madhe është lodhja
kur ecim në gjurmët e Jezusit,
e di se kemi frikë,
se na pëlqen kompromisi
e përtacia.
Ungjillin kujtona,
e mësona bukurinë e tij të kulluar,
forcën e tij, prej nga buron veç paqe,
e na jep gëzimin ta kemi pranë çdo ditë!