Kërko

Kongresi Eukaristik në Kuito, zëri "amerikanolatin" i vëllazërisë për Kishën

U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Edicioni i 53-të i ngjarjes ndërkombëtare, i planifikuar nga 8 deri më 15 shtator në Ekuador me temë: "Vëllazëria, për të shëruar botën". Kryeipeshkvi Espinoza Mateus: "Do t'u shpallë të gjithëve se vëllazëria është e vetmja mënyrë e mundshme për të krijuar dhe për të ndërtuar një botë të re"

R.SH. /  Vatikan

Kongresi Eukaristik, që do të mbahet në Kuito të Ekuadorit, duhet "të jetë  zë me theks latinoamerikan, për Kishën në mbarë botën": do të jetë, pra, "zë shprese, që shpallet nga ky kontinent shprese". Kështu u shpreh saleziani Alfredo José Espinoza Mateus, kryeipeshkëv i Kuitos dhe kryetar i Komitetit lokal, gjatë konferencës së shtypit për paraqitjen e Kongresit të 53-të Ndërkombëtar Eukaristik (Iec 2024). Takimi kishtar do të mbahet në kryeqytetin e Ekuadorit, nga data 8 deri më 15 shtator. Tema: "Vëllazëria, për të shëruar botën - Ju jeni të gjithë vëllezër (Mt 23, 8)".

Kongresi - shton prelati - do të përpiqet të jetë ai "zë profetik, që do t'u shpallë të gjithëve se vëllazëria është e vetmja mënyrë e mundshme për të krijuar dhe për të ndërtuar një botë të re". Duke komentuar këtë temë, kryeipeshkvi nënvizoi se nuk mund të mohohen plagët e shumta të botës por - pyeti - si mund t'i shikojmë vëllezërit dhe motrat tona që vuajnë? Prej këndej, ftesa për të reflektuar nëse jemi në gjendje t'i dëgjojmë zërat e atyre, që u dhëmbin plagët dhe t'i shërojmë, duke u bërë "misionarë eukaristikë" të vëllazërisë.

Papa Françesku - kujtoi Imzot Espinoza Mateus - na fton të ëndërrojmë si një njerëzim i vetëm, "si bij të kësaj toke, që na pret të gjithëve, secilin me pasurinë e besimit të tij", secilin me "zërin e tij, të gjithë vëllezër dhe motra". Ky, theksoi ai, është kuptimi i thellë i Kongresit. Eukaristia të mëson "të krijosh vëllazërinë". Kongresi do të na ndërgjegjësojë plotësisht për të qenë “misionarë eukaristikë të vëllazërisë”. Kongresi Eukaristik në Kuito, do të jetë zëri "amerikano latin" i vëllazërisë për Kishën

Më pas, Atë Juan Carlos Garzón, sekretar i përgjithshëm i Kongresit, nënvizoi se tema të kujton enciklikën Fratelli tutti dhe përkon me kuptimin kishtar të Eukaristisë, «burim bashkimi për ata që e kremtojnë, me misionin e saj për ta bërë të dukshme veprën shëruese të Krishtit, në plagët e botës." Dokumenti bazë – kujtoi - u hartua nga Komisioni Teologjik i Kongresit Eukaristik dhe Komiteti Papnor për Kongreset Ndërkombëtare Eukaristike, me qëllim që të theksojë "qëndërsinë e Eukaristisë në jetën e Kishës" dhe "të nxisë thellimin teologjik e shpirtëror dhe të mirën e Kishës së veçantë”.

Së fundi, montfortani Corrado Maggioni, kryetar i Komitetit Papnor për kongreset ndërkombëtare eukaristike, rishqyrtoi historinë e këtyre ngjarjeve kishtare. “Ideja për të thirrur njerëz nga vende të ndryshme në një kongres që kremton Eukaristinë dhe për të reflektuar mbi rëndësinë e saj kishtare e shoqërore – shpjegoi ai – kishte që në fillim synimin për të ringjallur vetëdijen se prania e Krishtit në mesin tonë dhe përmes nesh është zemra e Kishës dhe misioni i saj". Kjo ka të bëjë me të gjitha kishat, me çdo famulli, në të gjitha vendet. Mbledhja së bashku për Eukaristinë - vuri në dukje ai - "me ndjeshmëri, kultura, histori të ndryshme, pavarësisht dallimeve gjuhësore, ndoshta me plagë ende të hapura nga armiqësia vëllavrasëse", do të thotë të përqendrohesh "në të vetmin ferment të aftë për ta mbruajtur historinë njerëzore, duke e bërë të ri brumin  e Mbretërisë së Qiellit". Natyra ndërkombëtare e kongresit - nënvizoi - "shpreh universalitetin e Misterit Eukaristik që plazmon çdo njeri të pagëzuar, në gjendjen e tij të jetës, ashtu si çdo familje të krishterë, bashkësi fetare, famulli, dioqezë".

Qyteti i Kuitos "do të vishet për festë dhe do të zgjerojë tendat e tij për të mikpritur, në Kongresin e 53-të Eukaristik, delegacione nga kisha të ndryshme anembanë botës, veçanërisht nga Amerika Latine". Ndërkohë këtyre ditëve u publikua edhe emërimi i kardinalit Kevin Farrell si Legat i Papës për festimet në Kuito.

23 maj 2024, 09:33