Kërko

Kard. Parolin flet në  World Changers Summit , në Casina Pio IV. Kard. Parolin flet në World Changers Summit , në Casina Pio IV. 

Kard. Parolin: shkenca t’i shërbejë dinjitetit njerëzor

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, foli në “Samitin e tretë të Ndryshuesve Botëror” në Vatikan. Të pranishëm, sipërmarrës dhe ekspertë nga bota e risisë dhe e teknologjisë, të cilët e vunë në dyshim nevojën e bashkëjetesës së shkencës, fesë dhe dinjitetit personal, në nxitjen e zhvillimit

R. SH. - Vatikan

 “Nëse shkencat sot ofrojnë mundësi të mëdha për rritje, para nesh ka edhe rreziqe e pasoja të dukshme antropologjike, që kërkojnë dallim gjithnjë e më të kujdesshëm”. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, e pohoi këtë në një fjalim përshëndetës drejtuar pjesëmarrësve në "Samitin e tretë të Ndryshuesve Botëror" - konceptuar nga profesor Gabriele Andreoli, president i Institutit për studime të avancuara dhe bashkëpunim (Iasc), një organizëm ndërkombëtar jofitimprurës, që merret me veprimtari shkencore dhe bashkëpunuese në sektorë të ndryshëm, nga kulturori, deri tek ai ekonomiko-financiar. I organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, sivjet titullohet "Forumi për të ndihmuar në formimin e një të ardhmeje më të mirë". Prandaj, “ajo që duhet pasur gjithnjë parasysh - vazhdoi kardinali, duke cituar Papën Françesku - është “realiteti i pakalueshëm i personit njerëzor”.

Të mbledhur në Casina Pio IV ishin mbi 60 sipërmarrës dhe ekspertë të risisë, të cilët paraqitën projekte dhe realitete që synojnë gërshetimin e shkencës dhe teknologjisë, me respektin dhe mbrojtjen e krijimit, duke reflektuar mbi mundësitë e bashkimit aktiv të shkencës dhe fesë edhe brenda një bote që gjithnjë e më shumë përfiton, më tepër se vuan, nga përparimi i teknologjisë.

Në rrethanat e sotme, besimtarët janë thirrur të japin kontributin e tyre. “Ata - kujtoi Kardinali Parolin – duhet të kenë pikëpamje të vëmendshme dhe proaktive për të ndjekur rrugët e përbashkëta dhe për të ndërmarrë veprime drejt një të ardhmeje të denjë për brezat e rinj”. Një pyetje, kjo, për trashëgiminë që u dorzohet më të rinjve, të cilën Papa Françesku e ka paraqitur tashmë me tone të forta në Enciklikën Laudato si' të vitit 2015, duke shtruar pyetjen: "Çfarë bote do t'u lëmë brezave të ardhshëm?". Ndaj, nënvizoi në përfundim Kardinali Parolin - “zgjedhjet konkrete për të mirën e të gjithëve” janë gjithnjë e më të nevojshme. Për këtë arsye, "marrëdhëniet e zhvillimit shkencor me njeriun" janë të rëndësishme, nëse duam ta kemi gjithnjë parasysh objektivin "e së mirës së përbashkët".

Nga ana e tij - profesor Andreoli, duke paraqitur ngjarjem, kujtoi se "ajo që na shtyn dhe na drejton, është bindja e thellë se çdo qenie njerëzore ka dinjitetin e vet dhe prandaj duhet të jetë në gjendje ta jetojë jetën e tij duke përdorur atë shkencë, teknologji e fe, që na lejojnë të merremi sot me vperimtari në shërbim të jetës”.

Gjatë samitit u paraqiten mjete në fushën e shëndetësisë, që synojnë të luftojnë sëmundjet endemike të pranishme në disa vende, si malaria; ose projekte që integrojnë zhvillimet e fundit në bio-arkitekturë me mbrojtjen e ekosistemit dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Në përfundim të fjalës së tij, Sekretarit të Shtetit iu paraqit një vepër arti që “merr frymë”, pasi është e pajisur me teknologji të aftë për të pastruar ajrin. Një vepër, u shpjegua, e krijuar nga një robot, që synon të paraqesë mundësinë e lidhjes fizike ndërmjet teknologjisë materiale dhe mjedisit përreth dhe të një lidhjeje "ndërmjet shkencës e fesë, për një botë më të harmonishme".

29 maj 2024, 17:08