Kërko

Pallati i Kancelerisë Pallati i Kancelerisë 

Kard. Parolin: pa dialog nuk mund të ketë paqe, por luftë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit hapi në Romë punimet e "Tryezës për Paqen" me pjesëmarrjen e rreth 30 fituesve të Çmimit Nobel. Shpresa e Graça Machel Mandela-s: “Të niset një mesazh, për të bashkuar familjen njerëzore në vëllazëri”. Rigoberta Menchù Tum: "Së bashku mund të formojmë një aleancë globale". Sot, 11 maj, audienca me Papën

R. SH. - Vatikan

“Edhe duke ripohuar të drejtën e patjetërsueshme për vetëmbrojtje, lufta është gjithmonë dështim i mbarë njerëzimit, e jo vetëm i palëve individuale të përfshira në të”. Të gjitha luftërat janë në kundërshtim me dinjitetin njerëzor. “Për vetë natyrën e tyre, nuk synojnë t’i zgjidhin problemet, por përkundrazi t'i keqësojnë". Me këto fjalë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin hapi Tryezën e Paqes në Romë, në Palazzo della Cancelleria. Me të dje, 10 maj, ishin rreth 30 fitues të Çmimit Nobel për Paqen, ndërmjet të cilëve, Rigoberta Menchù Tum nga Guatemala, Dmitrij Muratov nga Rusia, Tawakkol Karman nga Jemeni, si dhe personalitete si Machel Mandela, e veja e Nelson Mandelës dhe administratori i NASA, Bill Nelson.

#Behuman, për një pakt global vëllazërie

Ngjarja i hap rrugën manifestimit #BeHuman, Takimit II Botëror kushtuar Vëllazërisë Njerëzore, organizuar këto ditë nga "Fratelli tutti Foundation": dymbëdhjetë tabela tematike të hapura për publikun dhe disa të transmetuara drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e shkencëtarëve,  ekonomistëve, mjekëve, drejtuesve, punëtorëve, kampionëve të sportit dhe qytetarëve të thjeshtë. Të gjithë së bashku, në kërkim alternativash për luftërat dhe varfërinë, frymëzuar nga parimi i vëllazërisë.

Lufta godet dinjitetin njerëzor

“Perëndia i krijoi njerëzit për të jetuar në paqe dhe për të mbrojtur Krijimin, jo për ta shkatërruar atë e njëri-tjetrin”. Duke prekur dinjitetin njerëzor dhe duke marrë drejtim diametralisht të kundërt me krijimin, lufta - nënvizoi Kard. Parolin - "jo vetëm sulmon dinjitetin e të tjerëve, por edhe të vetin".

Pikëpyetje mbi konceptin e "luftës së drejtë"

Sipas Sekretarit të Shtetit, sot “vetë koncepti i 'luftës së drejtë', i lindur në një epokë në të cilën konfliktet ishin relativisht të kufizuara në shtrirje, duhet të vihet në dyshim. Në epokën bashkëkohore, me ardhjen e armëve bërthamore dhe shkatërrimit në masë, kjo teori paraqitet tepër problematike”.

Zëri i diplomacisë të mbizotërojë mbi atë të armëve

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kardinali kujtoi Bulën e Jubileut, shpallur nga Papa Françesku dhe nënvizoi se pa dialog jo vetëm që nuk mund të ndërtohet paqja, por shpërthen lufta, e cila zëvendëson zërin e diplomacisë me atë të armëve. Pastaj kardinali përmendi tri fushat e angazhimit, kujtuar nga Papa, në mënyrë që të fillojmë të mbjellim farët e paqes: të korrigjohen shkaqet e padrejtësive, të shlyhen borxhet e padrejta dhe të pazgjidhura, të ngopen të uriturit.

Varfëria, padrejtësia e madhe e botës bashkëkohore

“Çlirimi nga padrejtësia i hap rrugën lirisë dhe dinjitetit njerëzor”. Themelore - sipas kardinalit - “është mbrojtja e drejtësisë sociale, veçanërisht në rrethanat aktuale, kur vlera e njeriut kërcënohet seriozisht nga tendenca e përhapur për t'iu drejtuar ekskluzivisht kritereve të 'dobisë dhe të pasurisë' Mungesa e drejtësisë sociale, pohon akoma Kardinali, është premisa e varfërisë, 'një nga padrejtësitë më të mëdha të botës bashkëkohore' në të cilën 'ata që zotërojnë shumë janë relativisht të paktë e ata që nuk zotërojnë pothuajse asgjë, shumica”. Prej këndej vjen "mungesa e edukimit, e cila shpesh çon në bashkëpunim me ekstremizmin dhe fundamentalizmin".

Borxhi dhe vëllazëria

Krahas varfërisë së njerëzve, Kardinali kujton atë të vendeve që "nuk janë në gjendje të shlyejnë borxhin e jashtëm": "Ndonëse rikonfirmon parimin mbi bazën e të cilit borxhi i kontraktuar duhet të respektohet", Parolin thekson se është e nevojshme "të mos cenohet e drejta themelore e popujve për ekzistencë dhe përparim", duke rizbuluar kështu vëllazërinë ndërmjet kombeve.

Industria e armëve

Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet problematikës së armëve: në vitin 2023, shpenzimet në këtë fushë arritën në 2,443 miliardë dollarë, ndërsa ndihmat për zhvillim mezi arritën në 233 miliardë. “Luftërat vazhdojnë të shtohen sepse industria e armëve mbështet ekonominë e shumë vendeve”, vëren Kardinali, që përsërit me forcë fjalët e Piut XII: “Asgjë nuk humbet me paqen. Çdo gjë mund të ndodhë me luftën”.

Flet Graça Machel Mandela, e veja e Nelson Mandelës

"Ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për t'i dhënë fund luftës, konflikteve që po shkatërrojnë botën: në Ukrainë, në Gaza dhe në Sudanin jugor" - deklaroi Graça Machel Mandela për mediat e Vatikanit: "Duhet të fillojmë të diskutojmë rrënjën, shkaqet, sepse pa prekur arsyet pse ekziston konflikti, mund të flasim për paqe, por konflikti do të përsëritet gjithmonë. Shpresoj se ne mund të dërgojmë një mesazh për të bashkuar familjen njerëzore në vëllazëri”.

Dy fjalë nga Rigoberta Menchù Tum

“Përballë krizës globale, në të cilën nuk ka dialog të vërtetë apo multilateralizëm të vërtetë, por vetëm pozita pushteti” - pohon nga ana e saj Rigoberta Menchù Tum - jemi mbledhur së bashku dhe kemi një mundësi të madhe. Shumica e të pranishmëve në këtë samit kanë ushtruar udhëheqje shpirtërore, politike apo teknike. Së bashku ne mund të krijojmë një aleancë globale me njerëzit e zakonshëm, sepse shumica dërrmuese e popullsisë së botës nuk merr vendime për të ardhmen e tyre, por përjeton pasojat e vendimeve të njerëzve të tjerë”.

11 maj 2024, 12:45